Këto prurje në valutë kanë qenë rreth 27% më të larta se të ardhurat nga eksporti i mallrave. Rritja e të ardhurave nga shërbimet e udhëtimit të ofruara në territorin e Shqipërisë, ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të shqiptarëve që kanë vizituar vendin e tyre, rritje kjo prej rreth 36%. Nga të dhënat e vrojtimit për shërbimet e udhëtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë, rezulton se rreth 47% e udhëtarëve jorezidentë bëjnë pjesë në kategorinë e emigrantëve ose personave me kombësi shqiptare, që jetojnë në vende të tjera. Përfaqësimi i kategorisë së emigrantëve në grupin e vizitorëve jorezidentë, është veçanërisht i lartë gjatë tremujorit të tretë, periudhë në të cilën një numër i konsiderueshëm emigrantësh vizitojnë Shqipërinë për qëllime personale. Ndërkaq, vlera e udhëtimit të rezidentëve jashtë Shqipërisë është vlerësuar në rreth 840 milionë euro, vëllim ky rreth 20% më i lartë krahasuar me periudhën janar-shtator të një viti më parë. Numri i udhëtarëve, i rritur me 24% ka qenë përcaktuesi kryesor i kësaj rritjeje. "Rritja në nivelin e përgjithshëm të çmimeve në vendet e Eurozonës, të cilat janë destinacionet kryesore të udhëtarëve rezidentë, ka ndikuar gjithashtu në rritjen e shpenzimeve mesatare për udhëtimet dhe rrjedhimisht, në vlerën e përgjithshme të importeve të shërbimeve të udhëtimit", shpjegon BSH-ja.
Gazeta: Shqip











