Vlera Xhakla Jeta ime nga fushata e Obames tek studiot e Timbaland

Vlera Xhakla: Jeta ime nga fushata e Obamës tek studiot e Timbaland
Kanë shkruar për të revistat amerikane “Teenpeople”, “OK!”, “Cosmopolitan” dhe gazeta US, sepse është vetëm 21 vjeçe, shumë e bukur dhe ka bashkëpunuar me këngëtarët Arash e Timbaland. Por dhe se nga një eksperiencë si modele për “Victoria’s secret”, ajo ishte imazhi në posterat e Partisë Demokratike në Amerikë në mbështetje të Obamës.

Bashkëpunoni me Timbaland këngëtarin e “Apologize”, cilat janë raportet që keni me te?

Rruga deri në studion e tij ka qenë shumë e vështirë. Me të kam kaluar disa orë, duke biseduar për elementet e këngës dhe ka qenë shumë e vështirë të gjejmë një gjuhë të përbashkët, ngaqë mua më dukeshin të gjitha propozimet si melodi të dëgjuara më parë. Mirëpo në fund gjeta ato çka kërkoja prej tij. E rëndësishme ishte që doli diçka që asnjë këngëtar nuk e kishte punuar më parë. Kam punuar tashmë edhe këngën e dytë me të cilën do ta performoj në festën e Krishtlindjeve, në këtë fundvit në “Fox Tv”.

Kjo është hera e dytë që bashkëpunoni me Timbaland. Për çfarë kënge bëhet fjalë?

Kënga e parë titullohet “Boy”, që i takon një stili jo edhe aq “Timbaland”. Nuk është e njëjtë me këngën e dytë, e cila titullohet “Now what ya gonna do” dhe është një këngë më ritmike. Përveç Timbaland në të kanë punuar edhe Finley Quaye dhe Dj-in e njohur amerikan Vixen. Të dy tekstet e këngëve i kam shkruar vetë. Gjithashtu, së shpejti do ta publikoj edhe një remix të këngës “Now what ya gonna do”.

Mendoni se e keni tërhequr Timbaland me bukurinë tuaj, një modele 1.78 e gjatë?

Ai ka bashkëpunuar me qindra bukuroshe, mes të cilave Madonna, dhe po mendoja pse do i duhem unë (qesh). Prapë së prapë them se ka bashkëshorten e tij dhe nuk e besoj që marrëdhëniet emocionale t’i ngatërrojë gjatë procesit të punës.

Çfarë tipi është, shumë vajza do e kishin ëndërr ta takonin...

Aq sa e kam studiuar unë është një tip që s’të lë të mërzitesh gjatë qëndrimit në studion e tij, por para kësaj mund të ndodhë të presësh 4 ose 5 orë derisa të vijë të takojë.

Timbaland është tipi i mashkullit që ju pëlqen?

Unë jam 21 vjeçe ndërsa Timbaland gati 38, është tip mashkulli krejt i kundërt me shijet e mija.

Dihet që profesioni juaj i parë është i modeles? Me çfarë po merreni për momentin?

Për momentin si modele po udhëheq një fushatë humanitare për fëmijët në nevojë, gjithashtu para disa ditëve kam pasur rastin të darkoj zyrtarisht me të gjitha modelet e “Victoria’s Secret” dhe si darka ashtu dhe koleget më pëlqyen shumë.

Si u bëtë pjesë e fushatës së Obamës?

Pjesëmarrja dhe kontributi im në Partinë Demokratike ishte njëri ndër aktivitetet më të rëndësishme të miat, jo pse jam paguar shumë, por sepse jam ndjerë shumë mirë. Kontakti erdhi nga njëra prej menaxhereve të partisë në Nju Jork, ajo kishte lexuar një intervistë timen në një revistë amerikane dhe i kishte pëlqyer shumë perceptimi im për gjërat që ndodhin në Amerikë, andaj përkrahja dhe kontributi im për Obamën s’ka qenë vetëm vizual, por edhe teorik.

Pse cili ka qenë angazhimi juaj në atë fushatë?

Përveç posterave, unë kam qenë e angazhuar edhe gjatë tubimit që është mbajtur në Nju Jork, kryesisht kam dhënë intervista të shumta për televizione internacionale, si nga Amerika Latine e deri tek televizioni gjerman Pro7, kam shpjeguar kryesisht rolin që do luajë dhe ndryshimet që do të bëhen nga politika e Obamës në Bruklin, të drejtat e barabarta mes banorëve në lagjet e Nju Jorkut pa dallime racore etj., pra mund të them që për disa përgjigje të caktuara kam qenë njëra ndër 10 zëdhënësit e Këshillit Rinor Demokratik në Nju Jorkut. Kam pasur rastin t’i drejtoj dhe t’i njoftoj më shumë me planin e partisë edhe shumë organizata botërore dhe këtë e kam bërë me shumë vullnet.

Çfarë është Vlera në sytë e të tjerëve?

Varet se në sytë e kujt, në sytë e familjes mbetem përgjithmonë Vlera vogëlushja, për sytë e atyre që punoj me ta jam Vlera punëtorja, por edhe një shoqe e mirë, ndërsa për sytë e publikut shpresoj që do të mbetem përgjithmonë një fytyrë publike, që respekton ata dhe iu sjell çdo herë gjëra të mira.

Po ju vetë çfarë vlere do veçonit në tipin tuaj?

Deri tani mund të them me pëlqen fakti që jam treguar shumë e sinqertë dhe besnike me të gjithë njerëzit që njoh.

Planet më të afërta në muzikë?

Të realizoj albumin tim të parë. Por kam disa plane për t’i realizuar në Shqipëri vitin e ardhshëm, e le të mbetet surpriza ime shqiptare e radhës.

Cila është çmenduria më e madhe që keni bërë deri tani?

Edhe pse dukem si fytyrë e qetë, disa njerëz të veçantë më njohin për një listë të gjatë të çmendurive që bëj, jo vetëm unë por edhe çdo gjeneratë e viteve 80\' në Amerikë. Çmenduria më e madhe, ka qenë kur një herë pata përgjuar prindërit e mi ndërsa bënin seks. Sa adoleshente e çmendur kam qenë! (qesh)


Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama