Jam kamikaz i ISIS kapet te Shtepia e Femijes

'Jam kamikaz i ISIS', kapet te Shtepia e Femijes

Një 34-vjeçar që ka përhapur panik në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë, u arrestua dje pasi pretendonte se ishte kamikaz. “Jam kamikaz i ISIS-it. Allahu Akber”, mësohet të ketë thënë Fatjon Habibi, e cili më pas kishte hyrë furishëm duke terrorizuar fëmijët. Por menjëherë roja i Shtëpisë së Fëmijës ka njoftuar policinë sapo dëgjoi fjalët kërcënuese të 34-vjeçarit për një sulm të mundshëm kamikaz.

 

Fatjon Habibi u arrestua dje nga Policia, pasi u shpall në kërkim gjatë të mërkurës. Nga burimet e policisë mësohet se Habibi është besimtar mysliman dhe praktikues i këtij besimi fetar. Ai shkon rregullisht në xhaminë e “Xhermëhallës” në Delvinë, fakti i cili evidentohet edhe nga fotot që 34-vjeçari ka postuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. Por nga ana tjetër ka dyshime që Fatjon Habibi është i sëmurë mendor. Një gjë e tillë është verifikuar dukshëm gjatë marrjes së tij në pyetje, pasi ka pasur luhatje në dëshmi.

 

Edhe gjatë kontrollit fizik të tij dhe në ambientet e shtëpisë nuk është konstatuar ndonjë objekt i dyshimtë që mund të përbënte rrezik. Në trup nuk kishte asnjë element përbërës të një kamikazi të mirëfilltë, Nga ana tjetër janë marrë dëshmitë e familjarëve të tij, të cilët gjithashtu kanë konfirmuar se prej kohësh Fatjoni vuante nga problemet mendore. Momentalisht, 34-vjeçari mbahet në gjendje arresti, derisa të verifikohet plotësisht niveli i rrezikshmërisë që ai paraqet. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së të mërkurës, një mesazh kërcënues sërish nën siglën e ISIS iu adresua shefit të Policisë Rrugore të Sarandës.

 

“Jemi ISIS, ditë të këqija do të vijnë edhe për ju”. Kërcënimi është dërguar me mesazh në celularin personal të shefit Leonard Xhindi. Policia dhe Prokuroria e Sarandës nisën hetimet për të zbuluar autorësinë e këtij mesazhi. Në fakt, që pas sulmeve terroriste që tronditën Parisin të premten e 13 nëntorit, të shumta kanë qenë alarmet edhe në Shqipëri. Siç duket, rritja e kërcënimit nga elementët ekstremistë ka shtuar valën e alarmeve të rreme për sulme terroriste.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama