Historia e Soniles Kam shitur droge qe 17 vjec per te shpetuar nenen

Historia e Soniles: Kam shitur droge qe 17 vjec per te shpetuar nenen

Sonila Dinoshi, njëra prej dy vajzave të arrestuara në operacionin antidrogë, “Epilog”, ka pranuar se ishte pjesë e rrjetit që në moshën 17 –vjeçare. Sot ajo është 31 vjeç, nënë e një djali dhe e divorcuar. Sonila e ka pranuar më parë publikisht se ishte shpërndarëse heroine e madje edhe përdoruese e saj. Në janar të vitit 2012, në një intervistë për GSH ajo tregoi për herë të parë se ishte detyruar të shiste drogë për të shpëtuar nënën e saj të prekur nga kanceri.

“Arrita të shisja drogë për dy vjet rresht. Atëherë u transformova. Nga një vajzë me një trup shumë të bukur, që mund të vishej bukur e të ekspozohej, fillova të vishesha si çun, sepse, duke marrë parasysh punën që po bëja, të mos i lija asnjeriu përshtypjen se unë isha një vajzë e lehtë për t’u përdorur. E bëja vetëm për mamin. Të paktën ato që i kishin munguar gjatë gjithë viteve t’i kishte në ato pak ditë jetë që i kishin ngelur. U mundova të mos i mungonte asgjë, dhe thjesht nga ilaçet që i bleva arriti të mbijetonte edhe 10 muaj të tjerë. Kur fillova të shisja drogë, fillova edhe të pija. Kur e kam parë mamin tim pas operacionit, u shokova dhe nuk dua ta kujtoj tani. Atëherë kam pirë për herë të parë. Kam pirë shtatë muaj rresht, e lashë, u kurova me metadon më pak se një vit. Kur dola nga burgu e fillova prapë, por u bëra pishman shumë shpejt. E kuptova që ishte diçka që nuk ia vlente të vazhdohej më tej…”

Policia e kishte të skeduar si përdoruese dhe shpërndarëse droge. Vetë ajo ka rrëfyer se si u arresua në 2012.

“Mami vdiq më 5 tetor, unë jam arrestuar në 15 tetor, vetëm 10 ditë pas vdekjes së saj. U dënova 7 vjet e gjysmë, ndërkohë që kisha 1 muaj që isha shkëputur nga shitja e drogës dhe ditën që më kanë kapur rastisa në kohën e gabuar, në vendin e gabuar. Kur rashë në burg, nuk kishte kaluar shumë kohë nga vdekja e mamit dhe ende nuk isha mësuar me idenë që mami kishte vdekur. Kur u ktheva në shtëpi, e gjej shtëpinë të mbushur me fotografitë e mamit, gjë që nuk më bëri mirë. Familjarët e mi ndoshta menduan që do ta ngrohnin shtëpinë po të ishte ashtu, por unë u shokova shumë. Mund të them që ishte një traumë e tretë për mua: e para ishte vdekja e mamit, e dyta ishte futja në burg, që ishte asgjë para vdekjes së mamit, dhe kjo e treta, që nuk po përjetoja dot mirë as daljen nga burgu”.

Sonila Dinosha u kap bashkë me 24 persona të tjerë në një operacion antidrogë të policisë së Tiranës, nën akuzën për shpërndarje të lëndëve narkotike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama