Studentet e Fakultetit te Mjekesise nderojne Astrit Deharin

Studentet e Fakultetit te Mjekesise nderojne Astrit Deharin

Sot në Fakultetin e Mjekësisë është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të studentit të këtij fakulteti, Astritit Deharit, i cili u humbi jetën të shtunën e kaluar në burgun e Prizrenit ku po qëndronte në paraburgim.

Në prezencë të familjes Dehari dhe stafit akademik, kolegët dhe shokët e kanë kujtuar Astritin.

Pas mbajtjes së një minutë heshtje për të nderuar Astritin, fjalën e mori dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu.

“Ata që e njohën Astritin kërkojmë ta kujtojnë dhe lartësojnë personalitetin e tij, si një njeri i dashur për të gjithë dhe student i dalluar. Dhe ata të cilët nuk e njohën personalisht Astritin kërkojmë që të na respektojnë dhimbjen dhe të na mbështesin. Astriti do të mbetet udhërrëfyes dhe shembull për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Manxhuka-Kërliu.

Ngushëllimet në emër të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës i shprehu prorektorja prof. Teuta Pustina.

“Është e dhimbshme humbja e jetës së një të riu në këto rrethana, të një studenti të dalluar që me aftësitë e tij profesionale i kishte shërbyer kaq shumë vendit”, tha ajo.

Kurse në emër të studentëve e mori fjalën kolegu dhe shoku i Astritit, Egzon Pnishi.

“Ai kërkonte dijen përkundër injorancës, Astriti kundërshtonte çdo rritje të kostos së studimit në kurriz të studentëve- ishte për dijen publike që i garantohet secilit, kundër përvetësimit e kapjes së Universitetit. Ai nuk të pyeste kush je dhe nga vjen, por në cilën anë ndodhesh dhe çfarë bën. Prandaj, Astriti kishte shokë nga çdo krahinë e nga secili qytet, por asnjë prej tyre spekulant, asnjë prej tyre grabitës. Ai kërkonte bashkimin kundër ndarjeve të paqena,sepse kërkonte ndarjen e të mirave për të gjithë”, tha ndër të tjera Pnishi.

Në fund ka marrë fjalën babai i Astritit, Avni Dehari.

“Që në ditët e para të fëmijërisë është brumosur me dëshirën për kthim. Është përgatitur që kur të kthehet të bëhet një profesionist i mirë në fushën e mjekësisë, por njëherësh i vetëdijshëm që përpos përgatitjes profesionale do t’i duhet edhe përgatitja politike, që do ndikonte jo vetëm në përmirësimin dhe mbrojtjen e shëndetit që qytetarëve të vendit, por edhe në luftimin e dukurive negative të trashëguara nga e kaluara dhe të lindura në rrethana konkrete që pengonin zhvillimin dhe përparimin. Ai nga Zvicra solli edhe virtytet më të larta nga ai vend, siç është demokracia, liria dhe përkushtimi për t’u sakrifikuar për të gjithë shoqërinë tonë”, tha ai.

Pas përfundimit të mbledhjes komemorative studentët, bashkë me familjarët dhe profesorët e Astritit kanë vendosur një fotografi të Astrit Deharit në hollin e Bibliotekës së fakultetit të tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama