Banda e Durresit ja kontrata e Colit

Banda e Durrësit, ja kontrata e Colit
TIRANË- "Rrëfej gjithçka, në këmbim të sigurisë". Ky është pakti që Adriatik Coli ka lidhur me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, rrëfimi i të cilit dërgoi në bangën e të akuzuarve krerët e njërës prej bandave më të rrezikshme në vend. Një kontratë me 7 pika dhe një firmë e hedhur në fund nga "i penduari" ka bërë që Prokuroria e Krimeve të Rënda të sigurojë jo vetëm dëshminë e tij, por edhe fakte e prova për aktivitetetin kriminal të organizatës.

Dëshmia e Ardiatik Colit, ish- pjesëtar i bandës së Durrësit përbën "thembrën e Akilit" për organin e akuzës, jo vetëm për arrestimet e kryera pranverën e vitit 2006, por edhe gjatë procesit që vazhdon në gjykatë. 

Nëntë marsi i vitit 2006 duket se ka qenë një ditë e mbarë për grupin e prokurorëve, që do të hetonin më pas aktivitetin kriminal të njërës prej bandave më të rrezikshme në vend. Pas orësh të tëra negociatash, grupi i hetimit ka firmosur marrëveshjen me Adriatik Colin, duke siguruar rrëfimin e tij për çdo krim të kryer nga banda.

Në këmbim të dëshmisë së tij, Prokuroria mori përsipër të garantojë sig- uri maksimale për të. Në fakt, pakti që çoi në arrestimin e disa prej krerëve të bandës së Durrësit, nuk është gjë tjetër veçse një akt-marrëveshje zyrtare ndërmjet prokurorëve të çështjes dhe Adriatik Colit. Shtatë pika të kontratës dhe një firmë, kaligrafia e së cilës nuk duket edhe aq e sofistikuar i kanë garantuar organit të akuzës dëshminë dhe provat më të forta kundër aktivitetit kriminal të bandës së Durrësit.

Sipas kontratës së siguruar nga "Shekulli", Adriatik Coli ka firmosur me vullnetin e tij të lirë për të dëshmuar kundër ish -miqve të tij. Akt-marrëveshja që zyrtarizoi "të penduarin e parë" të drejtësisë bën me dije dhe kushtet që duhet të respektojnë të dyja palët. Në të thuhet se Dritan (Adriatik) Coli ka vendo- sur të bashkëpunojë me prokurorinë, vetëm kur ka mësuar lehtësirat që siguron statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë. 

Në pikën 1 të akt-marrëveshjes thuhet se: "Personi nën hetim merr përsipër të bashkëpunojë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke dhënë shpjegime të hollësishme, pa asnjë rezervë dhe kusht për të gjitha faktet , rrethanat dhe provat të cilat janë të rëndësishme dhe vendimtare për faktimin e veprimtarisë kriminale për të cilin ai hetohet si bashkëpunëtor".

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, "i penduari" duhet të zbulojë bashkëpunëtorë të tjerë të organizatës si dhe të japë sqarime për të gjitha rrethanat e fakteve për të cilat ai ka dijeni për shkak të përfshirjes së tij. Firma e hedhur në fund të aktmarrëveshjes e detyron Adriatik Colin të jetë i gatshëm për prokurorët në të gjitha shkallët e procesit të hetimit, ose në të kundërt ai humbet të gjitha privilegjet që burojnë nga statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ndërsa në pikën 3 të akt-marrëveshjes thuhet se prokurorët marrin përsipër t\'i kërkojnë gjykatës që në këmbim të të dhënave dhe fakteve të ofruara, në vartësi të nga rëndësia e tyre, uljen e dënimit apo edhe përjashtimin e Adriatik Colit nga dënimi, dhe pse ai rezulton si anëtar i bandës së Durrësit.

Kështu, në bazë të këtij pakti, më 9 mars të vitit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda mundi të sigurojë dëshminë më të rëndësishme të akuzës kundër 17 të pandehurve të këtij procesi, të akuzuar për shumë krime në Durrës dhe në Tiranë.


Marrëdhëniet

Lul Berisha e Indrit Dokle, prej kohësh në "paqe"

TIRANË- Nga miq për kokë në armiq të betuar dhe anasjelltas. Ulje-ngritjet e marrëdhënieve mes drejtuesve të bandës së Durrësit, Lul Berisha dhe Indrit Dokle i kanë lënë vendin "paqes". Pas një shoë mediatik në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit, disa muaj më parë, kur i kanë dhënë dorën njëritjetrit e kanë biseduar "kokë më kokë" duket se dy anëtarët e bandës i kanë sheshuar mosmarrëveshjet e tyre.

Më shumë sesa shkrirje akujsh, komunikimi i përzemërt faqe botës duket si një pakt mes dy krerëve të bandës së Durrësit, për të rrëzuar kësisoj dëshminë e të penduarit Adriatik Coli. "Bisedat mes tyre nuk janë gjë e pazakontë, pasi ata kanë miqësi dhe nuk kanë pasur ndonjëherë armiqësi siç ka thënë Dritan (Adriatik) Coli gjatë dëshmisë së tij",-kanë reaguar avokatët.

Ndërkaq, si Lul Berisha ashtu edhe Indrit Dokle duket se kanë zgjedhur të njëjtën strategji për të shtyrë sa të munden dëshminë e Adriatik Colit para Gjykatës së Krimeve të Rënda. I penduari i bandës së Durrësit nuk ka pasur mundësinë të japë dëshminë e tij, për shkak të mungesës së avokatëve.


Të pandehurit akuzohen për 8 vrasje dhe një sërë atentatesh në Durrës dhe Tiranë

Krimet që rëndojnë mbi "Bandën e Durrësit"

Akuzat për vrasjen e 8 personave, rrëmbimin e një femre për 18 muaj, vrasjet e mbetura në tentativë ndaj 5 personave. Sipas akt-akuzës, vrasjet nën emrin e bandës kanë filluar më 17 tetor të vitit 1998, aty rreth orës 18:30, kur i pandehuri Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën kanë vrarë me armë zjarri Dritan Sallakun, në qytetin e Durrësit.

Viktima ishte i shoqëruar nga dy shokët e tij, Ilir Nela e Agim Rexhepi të cilët u plagosën rëndë nga të shtënat që vinin nga makina tip "BMW", teksa po pinin kafe në oborrin e lokalit që ndodhej përballë shkollës "7 Nëntori" në qytetin e Durrësit. Gjithçka filloi me vrasjen e Sallakut dhe frika se shokët e tij do të hakmerreshin, detyroi Berishën dhe Saliun të organizonin eliminimin e të gjithë shokëve të Sallakut.

Pak ditë pas vrasjes së tij, u organizua atentati ndaj tre shokëve të tij: Arjan Paja dhe Viron Curri u vranë ndërsa u plagos Marsel Sotiri, ngjarje kjo e ndodhur më 29 tetor të vitit 1998, në fshatin Rrashbull të Durrësit. Më pas atentatet nuk kanë rreshtur. Më 5 korrik të 1999, banda e Durrësit akuzoi se vrau Eduart Ongarin, pasi ishte shoku i Marsel Sotirit dhe strehues i autorëve që vranë shokët e tyre, Ilir Xhunga e Arben Paja.

Me datë 22 gusht të 1999, duke përdorur një person tjetër si "karrem", banda e Lulzim Berishës ekzekutoi Marsel Sotirin në vendin e quajtur zona e Plazhit në qytetin e Durrësit. I ekzekutuari i fundit, para se banda të ndahej më dysh ishte Dritan Disha, i njohur për lidhjet e tij me Marsel Sotirin.


Banda e Durrësit

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të çojë para gjykatës 194 dëshmitarë kundër anëtarëve të bandës së Durrësit

Lista e dëshmitarëve për të vërtetuar krimet e bandës

TIRANË- Një listë me 194 dëshmitarë dhe 257 prova shkresore për të vërtetuar krimet e bandës së Durrësit. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar disa kohë më parë në gjykatë listën e gjatë të personave, të cilët do të thirren në gjykatë gjatë procedimit penal për një prej grupeve më të përfolura në vend.

Lista e dëshmitarëve nis me Adriatik Colin, "të penduarin" e kësaj bande dhe përfundon me Dorian Mashën. E ndërsa akuza pret rrëfimin e dëshmitarëve, avokatët mbrojtës të të pandehurve, deri më tani ia kanë dalë të mbajnë pezull dëshminë më të rëndësishme të këtij procesi, atë të Adriatik Colit.

Thuajse të gjitha seancat e javëve të fundit janë shtyrë, për shkak të mungesës së avokatëve, zvarritje kjo që e ka detyruar prokurorin e çështjes të kërkojë seanca të përditshme gjyqësore kundër të pandehurve. Dëshmitarët Emri i tij është në krye të listës së gjatë të dëshmitarëve, që Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë gjatë procesit gjyqësor kundër bandës së Durrësit.

Për një kohë të gjatë, avokatët mbrojtës të të pandehurve ia kanë dalë për të shtyrë sa të jetë e mundur ditën kur i penduari Adriatik Coli do të dëshmojë para togave të zeza. Procesi kundër bandës së Durrësit është ndërprerë në fazën e dëshmisë së të penduarit Coli, të cilit sapo iu dha mundësia për të folur para gjykatës, tre eksponentë të bandës u larguan në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit, bashkë me avokatët e tyre.

Por Coli është parashikuar të jetë 1 prej 194 dëshmitarëve që do të thirren në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në listën e paraqitur nga prokuroria janë edhe emrat e të akuzuarve në këtë proces si Lulzim Berisha apo edhe Endrit Dokle. Prokuroria ka vendosur të thërrasë në cilësinë e dëshmitarëve edhe të pandehurit, ndërkohë që lista vijon më një numër të konsiderueshëm dëshmitarësh, një pjesë e mirë të afërm të viktimave për të cilët akuzohen anëtarët e bandës.

Të pandehurit Përveç 11 të pandehurve, të cilët kanë dhënë secili më shumë se 2 deklarime para prokurorisë, do të jenë edhe 183 persona të tjerë, të cilët pritet të dëshmojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda mbi aktivitetin kriminal të të akuzuarve nga prokuroria. Në listën e gjatë të emrave bien në sy njerëz të njohur publikisht apo edhe miq të të akuzuarve.

Pjesa më e madhe e dëshmitarëve, sipas listës së paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë banorë të qytetit të Durrësit, ku edhe ka kryer aktivitetin banda. Mbi të pandehurit e të ashtëquajturës banda e Durrësit rëndojnë akuzat për 8 vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe disa tentativa vrasjeje apo atentate.


Vrasja e Gashit

Krimi më gjakftohtë, i rrëfyer prej Colit

Vrasja e Avni Gashit rrëfehet si më gjakftohta e kryer nga nga grupi i rivalit të Lul Berishës, Indrit Dokle. Sipas dëshmisë së të penduarit, Dokle mendonte se Gashi ishte personi që kishte tradhtuar Klodian Saliun tek Lulzim Berisha dhe për këtë gjë duhej të vdiste. Në këtë kohë, banda kishte një shtëpi tek "21 Dhjetori" në Tiranë. "Indriti i telefonoi Avniut dhe i tha që të vinte tek shtëpia jonë dhe ai erdhi.

Në atë kohë, në shtëpi gjendeshim unë, Indrit Dokle, Kujtim Buna, Sardian Sulejmani. Indriti e pyet edhe njëherë Avni Gashin për vrasjen e Klodian Salihut dhe Avni Gashi po tregonte ngjarjen, ashtu siç e kishte treguar më parë. Në një moment, Sardian Sulejmani doli nga prapa tij dhe e qëlloi me pistoletë në kokë.

Më pas ne e morëm trupin e tij dhe e vendosëm në bagazhin e makinës së Indrit Dokles dhe njëkohësisht pastruam vendin. Trupin e hodhëm afër një lavazhi anës rrugës Tiranë-Durrës, nga rruga e vjetër", -thotë Coli në dëshminë e tij për vrasjen e ndodhur më 13 tetor të vitit.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama