Vendimi Te nderpritet ndertimi te Diga e Liqenit Artificial

Vendimi: Te nderpritet ndertimi te Diga e Liqenit Artificial

Betonizimi i Parkut të Madh të Tiranës ka marrë dje një goditje të rëndë. Gjykata Administrative e Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e firmës “Gener 2”, që po ndërton pallatet tek Diga e Liqenit në Tiranë, për të shpallur të paligjshëm vendimin e Inspektoriatit Ndërtimor, që vendosi ndërprerjen e punimeve në këtë kantier. Me këtë vendim, puna në kantier do të pezullohet dhe parku do t’u rikthehet sërish qytetarëve. Kreu i INUK, Dallëndyshe Bici e ka përshëndetur vendimin e Apelit, duke u shprehur se, “fituam betejën për pezullimin, por jo luftën”.

 

Më 14 janar të këtij viti, kreu i INUK, Dallëndyshe Bici, nëpërmjet një urdhri, shpalli të pavlefshëm vendimet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, të kompanisë ndërtuese “Gener 2” sh.p.k. INUK-u i konsideroi të pavlefshme dy vendimet nr.9967/7 dhe nr. 9967/13 të Bashkisë së Tiranës, sipas të cilave, janë shkelur disa ligje. Leja për ndërtimin e këtij kompleksi është dhënë nga Bashkia e Tiranës në gusht të vitit 2014. Fakti që këto ndërtime do të kryheshin në zonën e Parkut të Madh të Tiranës dhe shumë pranë Digës së Liqenit, shkaktoi një debat të madh publik.

 

Politikanët, ambientalistët, por edhe banorët, u shprehën kundër këtij projekti, pasi cenoheshin hapësirat e gjelbra dhe siguria e digës. Pasi konstatoi fillimet e punimeve te sheshi i ndërtimit pranë rrugës “Kristo Luarasi”, INUK-u iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), si autoriteti përgjegjës për kontrollin e përputhshmërisë së akteve të botuara në regjistër me ligjet, dokumentet e planifikimit dhe ato të kontrollit të zhvillimit në fuqi. INUK-u konstatoi se vendimi për dhënien e kësaj leje ndërtimi nga kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, është i pavlefshëm, pasi ka një sërë parregullsish, sepse është bazuar në akte që nuk kanë marrë ende fuqi juridike.

 

INUK-u argumentoi gjithashtu se, me vendimin nr. 4 të datës 6 janar 2015 të Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, është konstatuar pavlefshmëria e vendimeve të KKDM-së nr. 2 dhe nr. 3 për miratimin e studimit hidroteknik për sigurinë e Digës së Liqenit Artificial dhe masat mbrojtëse. Të gjitha këto mangësi kanë bërë që INUK-u të pezullojë vendimin për vazhdimin e punimeve të këtij kompleksi. Për këtë urdhër pezullimi, firma ndërtuese e kaloi çështjen në gjykatë.

 

Shkalla e Parë e Gjykatës Administrative hodhi poshtë vendimin e INUK-ut në datën 23 janar, me argumentin se urdhri për pezullim ishte i padrejtë. Në vendimin e gjykatës, dy janë argumentet mbi të cilat është vendosur sigurimi i padisë; dyshimi i arsyeshëm për mundësinë e shkaktimit të një dëmi të rëndë për kompaninë dhe moscenimi i interesit publik. “Objekti i parashikuar, në bazë të Lejes Zhvillimore është në shumën e 100 milionë eurove dhe deri në këtë fazë, nga ana e kompanisë janë bërë shpenzime të konsiderueshme në punime dhe studime të kryera,” thuhet në vendim.

 

Një tjetër argument, që anoi peshoren e gjykatës nga vazhdimi i punimeve, ishin dy kredi bankare të marra nga kompania, në vlerën e 4 milionë eurove. Gjykata Administrative i ka dhënë të drejtë firmës ndërtuese, që ka nisur punimet për kompleksin në bazë të dy vendimeve nr.9967/7 dhe nr. 9967/13 të Bashkisë së Tiranës. Ky vendim u ankimua nga INUK-u në Apel, ku gjykata vendosi “ndryshimin e vendimit me numër 230 akti, datë 23 janar 2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Rrëzimin e kërkesës për sigurimin e padisë”. Ndërhyrja mjedisore në këtë park ka nisur qysh prej muajit gusht të vitit 2014.

 

Kur u mor leja, në gusht të 2014-ës, ndodhi rrethimi i zonës dhe u vendos tabela që prezantonte projektin, por nuk u krye asnjë punim. Pas katër muajsh, në muajin nëntor, kur kjo çështje doli jashtë fokusit të medies, nisën të priten edhe pemët e para në zonën e rrethuar. Një muaj më vonë (dhjetor 2014) punëtorët u kthyen në këtë park për të vazhduar punimet dhe për ta kthyer zonën në një shesh ndërtimi.

 

Reagime 

 

Zona ku do të ndërtoheshin objektet prej 17-katesh, për të cilin Bashkia e Tiranës kishte dhënë lejen, ishte një hapësirë e mbushur me pemë pishe dhe plepi. Për lejen e dhënë nga Bashkia e Tiranës për këto pallate reaguan edhe qytetarët. Nën emrin “Qytetarët për Parkun”, ata kërkuan vëmendjen e institucioneve që të ndërhynin për të penguar këtë ndërtim, që cenon gjelbërimin dhe rrezikon Digën e Liqenit. Sipas tyre, këto struktura ndërtimi do të çojnë në tharjen e Liqenit. Kandidati i Pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, ka denoncuar ndërtimet të parku i liqenit, si një shembull të korrupsionit politik. Sipas tij, Tirana sot është një qytet i marrë peng nga një grup njerëzish politikë e të biznesit dhe shkatërrimi i Tiranës ka qënë një proces i qëllimshëm e sistematik i klasës politike që na ka qeverisur këtë çerek shekulli. Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit, për pezullim të ndërtimeve tek diga e Liqenit. Veliaj e konsideroi këtë si fitoren e parë kundër modelit të SHQUP-it në bashki.

 

Polemikat për ndërtimet në Parkun e Madh 

 

Për lejet e ndërtimit të dhëna në Parkun e Madh të Tiranës ka pasur shumë polemika në të dy anët e partive politike. Pikërisht për projektet e ndërtimit në këtë zonë, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2011 kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, premtoi se në këtë zonë nuk do të jepte leje ndërtimi, por do të ngrinte një kompleks sportiv modern. Në vitin e fundit të mandatit si kryetar, ai dha leje për ndërtimin e një kompleksi me pesë objekte 17-katëshe dhe 3 kate nën tokë. Bashkia e Tiranës e ka dhënë lejen për këto objekte më 1 gusht të këtij viti. Sipas një sqarimi të bërë nga Bashkia e Tiranës, projekti nuk do të prekë asnjë centimetër tokë publike, por do të zhvillohet vetëm brenda pronës private. Koeficienti i shfrytëzimit të pronës private për ndërtim në këtë zonë është vetëm 40 për qind, gjë që sipas Bashkisë, do të mundësojë kthimin në hapësirë publike për qytetarët, edhe të rreth 20 mijë metrave katrorë, të cilat do të jenë gjelbërim. Mirëpo qysh prej ditëve të para që ky projekt po vihet në zbatim u prerë shumë pemë që i përkisnin hapsirës së gjelbër të parkut.

 

Zanafilla e planeve për pallate në hapësirën poshtë Digës së Liqenit nis dhjetë vite më parë, me një vendim të ish-kryeministrit Fatos Nano. Me një vendim të vitit 2004, ish-kryeministri Nano e nxori këtë hapësirë nga kufiri i Parkut të Madh të Tiranës, duke e klasifikuar si zonë sportive. Dy vite më pas, në 2006, ish-kryeministri Sali Berisha përmes një vendimi të KRRTRSH-së e shpalli zonë ndërtimesh duke i dhenë kështu dritë jeshile firmave ndërtuese për të lartuar pallate në atë zonë. Në vitin 2008, ish-kryebashkiaku i Tiranës, aktualisht kryeministër, Edi Rama prezantoi projektin e një studioje të huaj për zonën, ku parashikohej ngritja e kullave që shkonin deri në 40 kate.

 

Projekti nuk u realizua. Partia Demokratike denoncoi Ramën se e kishte miratuar këtë projekt në favor të klientëve të tij në biznes, pavarësisht se kjo nuk u provua asnjëherë. Në vitin 2011, mbrojtja e Parkut të Liqenit dhe zhbërja e projektit të ndërtimeve ishte një ndër premtimeve elektorale më të lakuara të Lulzim Bashës, që e ngjitën atë në krye të Bashkisë së Tiranës. “Do të zhbëj projektet e shumëkatësheve dhe ajo hapësirë do t’u kthehet qytetarëve të Tiranës si zonë e gjelbër,” ishte premtimi i kryebashkiakut të ri. Por, ky premtim, ashtu edhe shuumë të tjerë bërë në fushatën e 2011-ës nuk u mbajtën nga Lulzim Basha. Sot kemi më pak pemë në park dhe një gropë themelesh poshtë Digës së Liqenit që shëmton shëtitoren “Lazgush Poradeci”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama