PD-PS 112 vota per Kodin Meta del nga greva e urise

PD-PS, 112 vota për Kodin, Meta del nga greva e urisë
Drejtuesit e tre forcave politike, LSI, PDK e PS91, i dhanë fund mbrëmë grevës teksa paralajmëruan fillimin e një revolucioni demokratik. Shenja e parë ishte prania e makinës personale të Metës që në fillim të protestës në ambientet e Kuvendit. Protestuesit ndoqën seancën përmes një monitori të vendosur në shesh posaçërisht për këtë rast. Grupi i deputetëve grevistë, iu drejtua turmës së pranishme para Kuvendit, duke publikuar qëndrimet post-grevë. Ish-kryeministri Ilir Meta deklaroi se "të gjithë qytetarët janë të ndërgjegjshëm se pa mbrojtur lirinë nuk mund të jetojnë më mirë nesër". Sipas tij, po ndjehet një rrezik i madh që vjen nga kasta konsensuale Rama-Berisha, nga kasta e Gërdecit, e zhytur në llumin e korrupsionit dhe monopoleve pa fund.

"Ata erdhën deri te ky moment kriminal, të bëjnë një kod për të legjitimuar kastën e tyre siç dhunuan Kushtetutën më 21 prill me kartonët e tyre", theksoi Meta. Sipas tij, sot (dje) përfundoi etapa e parë e përpjekjeve konstruktive dhe paqësore, të sakrificave, brenda dhe jashtë Kuvendit. "Nesër fillon një etapë tjetër, etapë e cila do t‘i bëjë të gjithë botës të ditur se ata dy zotërinjtë, bosët e kastës, ata vetëm kanë bërë një gabim fatal. Nuk i dhunojnë dot ata shqiptarët, nuk i blejnë dot ata shqiptarët, nuk i vendosin në rresht si derra, siç i kanë vënë deputetët e tyre", u shpreh Meta. Lideri i LSI-së, teksa ju drejtohej mbështetësve konstatoi se ata kanë treguar se kërkojnë lulëzimin e këtij vendi dhe jo gërdecizimin e tij. "Shumë shpejt do të organizojmë manifestime në të gjithë vendin për të mbrojtur votën, për të rivendosur shenjtërinë e saj ndaj dhunuesve Rama-Berisha. Ky do të jetë fronti i lirisë, fronti i gjithë shqiptarëve", paralajmëroi Meta.

Ai kujtoi dy deklaratat e ndryshme të lëshuara para dy ditësh nga institucioni përgjegjës për zgjedhjet në gjithë botën OSBE/ODIHR. "Dëgjuam se si ambasadori iu referua qartë rekomandimeve, të cilave u jemi referuar edhe ne në aktivitetin tonë. Dy orë më pas dëgjuam një deklaratë tjetër, që do të thotë se nuk do të ketë diplomat në Shqipëri e kudo në botë që mund të mbylli këtë mynxyrë që po miratojnë kartonët e Sali Berishës dhe Edi Ramës", nënvizoi Meta. Është turp i madh, vijoi ai, jo vetëm për kartonët e Berishës dhe Ramës, por edhe për ndonjë diplomat, që i mban sytë nga xhepi i Kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës. "Fushata jonë nuk do të jetë vetëm në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", do jetë kudo në Shqipëri, në Evropë, në Uashington dhe vendet aleate", u shpreh Meta. Të mos mendojë askush shqiptar po e po, por as i huaj, insistoi kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, se mund t‘i trajtojnë shqiptarët si qytetarë të dorës së tretë, që nuk meritojnë të jetojnë në liri.

Meta gjeti rastin të falënderojë të gjitha personalitetet ndërkombëtare që kanë shprehur mospajtimin e tyre, duke premtuar se shumë më tepër do të ketë në ditët e ardhshme. "Ne nuk i referohemi kulisave të hoteleve. Ju referohemi idealeve të shenjta që në dhjetor sollën në Shqipëri thirrjet që dëgjohen edhe sot "liri, demokraci"", vijoi Meta. Kreu i partisë së dytë në të majtë, deklaroi se po fillon dhjetori i dytë në Shqipëri, nisma që do mbyllë tranzicionin dhe korrupsionin konsensual të dy partive të tjera. "Një falënderim nga zemra për ish-presidentin Alfred Moisiu, një falënderim të veçantë për ish-presidentin Rexhep Meidani, për shkrimtarin Dritëro Agolli dhe një njeri që ka goxha kritika për mua, si Fatos Lubonja", tha Meta.

Si u ngujuan 10 deputetët

Ashtu siç ishte paralajmëruar më datën 10 nëntor, një grup prej 10 deputetësh vendosi të ngujohet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë në shenjë proteste ndaj Kodit Zgjedhor. Pasi seanca mbaroi dhe gjithë deputetët u larguan, Ilir Meta, Nard Ndoka, Petro Koçi, Pëllumb Xhufi, Spartak Braho, Nikollaq Neranxi, Ndre Legisi, Frrok Gjini, Ndue Shpani dhe Ymer Tola u mbyllën në grevë. Kjo ishte ndër të rrallat raste kur deputetët vendosin të ndërmarrin masën ekstreme në mjediset e Kuvendit.

Bashkërisht, seancë dhe grevë

Për herë të parë, qytetarët shqiptarë kishin rastin të shikonin një seancë Kuvendi e shoqëruar me grevë urie. Teksa 10 deputetët kishin zënë sallën, Kuvendi u mblodh në seancë duke i injoruar. Grevistët vendosën një pankartë, ku shkruhej "Vota është e shenjtë" dhe u rreshtuan një radhë para kabinetit qeveritar. Ra në sy neglizhimi që deputetët socialistë dhe demokratë u bënë kolegëve grevistë.

Kodi Zgjedhor bëhet ligj me 112 vota pro Arrihet "mazhoranca" më e madhe, abstenojnë tre, Ceka kundër

Me 112 vota, 4 abstenime dhe vetëm 1 kundër, Kuvendi i ka dhënë fund odisesë dyvjeçare të Kodit Zgjedhor, duke e miratuar atë dhe duke i hapur dritën jeshile ballafaqimit elektoral të vitit të ardhshëm. Deputetët që kanë abstenuar janë: Durim Lamaj, Vangjel Dule, Leondard Solis dhe Spiro Peçi, ndërsa kundër ka votuar kryetari i PAD-së, Neritan Ceka. Ashtu siç kishin paralajmëruar edhe më herët, PD-ja dhe PS-ja kanë unifikuar votat e tyre, duke miratuar Kodin e ri Zgjedhor, i cili do të hyjë në zbatim në zgjedhjet e 2009-ës.

Ky unifikim ka detyruar të 10 deputetët t‘i japin fund grevës së tyre 8-ditore për t‘u larguar nga salla e Kuvendit, pasi kanë hedhur një lumë akuzash dhe sharjesh mbi dy partitë e mëdha, duke i quajtur përgjegjës për dhunimin e votës dhe demokracisë në vend. Seanca parlamentare e ditës së djeshme ka filluar e qetë dhe ka përfunduar e tillë. Sipas rregullores së Kuvendit, Kryetarja Topalli ka hapur seancën, duke verifikuar prezencën e deputetëve dhe më pas ka miratuar procesverbalin e seancës së shkuar për të nisur me diskutimet rreth rendit të ditës, i cili kishte si pikë kryesore diskutimin dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.

I pari që ka marrë fjalën në sallën e Kuvendit ka qenë deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, i cili ka kërkuar nga Kryetarja Topalli që të respektojë rregulloren e Kuvendit dhe konkretisht nenin 69, ku përcaktohet qartë koha që duhet të ketë në dispozicion Parlamenti për të shqyrtuar një projektligj dhe kjo kohë, sipas Priftit, është dy javë. Ky pretendim nuk është pranuar nga Kryetarja e Kuvendit, e cila ka sqaruar se dy javë diskutohet një projektligj, i cili vjen nga qeveria, ndërsa kodi ka gjashtë muaj që shqyrtohet dhe studiohet nga Kuvendi. Më pas, fjalën e kanë marrë deputetët Jak Ndokaj, Ilir Meta, Nard ndoka, Petro Koçi, Spartak Ngjela e Vangjel Dule, të cilët që të gjithë janë shprehur kundër kodit dhe kanë kërkuar më shumë kohë për ta shqyrtuar atë.

Ndërsa dy bashkëkryetarët Rusmali dhe Xhafa e kanë vlerësuar me nota maksimale dhe po të njëjtën gjë kanë bërë edhe deputetët e tjerë, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. Deputetët grevistë, kur kanë parë se gjithçka tashmë ishte vendosur kundër tyre, janë larguar nga salla e Kuvendit, duke u bashkuar me protestuesit që i prinin në sheshin para Parlamentit. Ata kanë qëndruar në grevë për tetë ditë me radhë dhe nëpërmjet zëdhënësit të grevës, Dritan Priftit, kanë tentuar të gjejnë gjuhën e konsensusit me PS-së dhe PD-së, por një përpjekje e tillë ka rezultuar e pasuksesshme.

Deputeti Prifti u ka paraqitur dy partive të mëdha zgjidhjen për rregullimin e kodit të ri dhe konkretisht të administrimit të zgjedhjeve, por asgjë nuk u mor parasysh. Më pas i dërguan një letër Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit, kryetarit të PS-së dhe gjithë trupit diplomatik në vend, por sërish zëri i tyre ra në vesh të shurdhër. Një ditë para seancës parlamentare, dy partitë e mëdha publikisht shprehën qëndrimet e tyre, pro këtij kodi, duke konfirmuar se tashmë nuk kishte tërheqje prapa. Qëndrim i cili, në mënyrë jo direkt, u mbështet edhe nga faktori ndërkombëtar, nëpërmjet ambasadorëve të atashuar në vendin tonë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama