Telenovela e TVSH Dhimbja e Dashurise

Telenovela e TVSH: Dhimbja e Dashurisë
Të shtunën në darkë, në TVSH ka një mbërthim të pazakontë përpara ekranit. U sur prizuam kur zbuluam se bëhej fjalë për një telenovelë shqiptare. Moshat mbi 40-45 vjeç janë shikues të rregullt të saj, por me habi konstatuam se ka të rinj (madje edhe nga stafi ynë në redaksi) që e ndiqnin rregullisht. Bëhet fjalë për "Dhimbja e Dashurisë", një telenovelë me aktorë dhe problematikë shqiptare. Takuam për të biseduar rreth kësaj telenovele që po tërhqet vëmendjen e publikut, aktoren e njohur, Hajrie Rondo, që ka një nga rolet kryesore. "Kjo është telenovela e dytë e Radiotelevizionit Shqiptar, pas telenovelës me të njëjtin regjisor të sukseshëm, Artistin e Merituar Ylli Pepo. Mendoj se është një arritje, dhe Televizioni Shqiptar, Ylli Pepo, skenaristi, dhe gjithë stafi i grupit të aktorëve meriton fjalët më të mira. Unë e ndjek edhe si qytetare, edhe si artiste, sepse jam pjesëmarrëse në një rol në këtë telenovelë. "Kam rolin e Kanos, një pensioniste", - na rrëfen znj. Rondo.

Para se të jepej telenovela, TVSH-ja ka reklamuar subjektin dhe folësi shprehet: "Me pjesëmarjen e jashtëzakonshme të aktores Hajrie Rondo". Kur ia themi aktores këtë, ajo qesh. "Ata që menduan këtë gjë, ata mund ta thonë më mirë. Unë e kam të vështirë. Gjithsesi, kështu e kanë menduar dhe kjo për mua flet shumë." Ideja për një telenovelë krejtësisht shqiptare rezulton për herë të dytë e suksesshme.

Pse, sipas Hajries?

Sepse aty janë problemet e shumta të shoqërisë sonë, janë hallet që ka ky popull përditë. Shumë nga njerëzit aty shohin veten, familjen e tyre, rrethin shoqëror. Përfshin një gamë problemesh, shqetësimesh që kanë të bëjnë me shoqërinë tonë sot. Kanë të bëjnë me deformimet sociale, me rininë, me jetën e këtij brezi të ri, me mentalitetin e rinisë së shkollave. Ka probleme te emigracionit, të shtresës së të persekutuarve. Është një skenar i shkruar bukur nga Bashkim Kodheli. Mund të them që është shumë e ndjerë si pjesë, është shkruar shumë bukur dhe shumë ngrohtë. Pastaj këto janë mesazhe që përcillen te spektatorët, te qytetarët. Me kontaktet që kam patur, e kuptoj që ka ngjallur interes.

Keni rolin e një gjysheje që duket në konflikt me mbesën. Përplasja e brezave është e qartë. Mendoni se është pasqyrim i asaj që po ndodh në realitet, në Shqipëri?

Po. Kontradita e brezave është e theksuar. Unë jam në pozicionin e gjyshes, Kanos. Mbesa në telefilm është vajza e djalit, Flutura. Kam shumë marrëdhënie me këtë personazh në pozicionin e gjyshes. Kano është një gjyshe që nuk është dakord me ato që shikon, që dëgjon, nuk është dakord me devijimet që ka rinia sot, jo thjesht nga pamja e jashtme e gjërave, por edhe nga mentaliteti, nga konceptet. Kano mundohet si një gjyshe e mirë ta edukoje vajzën që ajo të bëhet e mbarë, ashtu si ajo e kupton këtë fjalë. Do që te ajo të edukojë dhe kultvojë tek mbesa zakonet tradicionale, ato të bukurat që ka femra shqiptare, që i ka përcjellë dhe i ka ruajtur brez pas brezi.

Në një nga seritë ka patur një skenë zhveshjeje në ekran nga njëra prej aktoreve, që shumë telespektarorëve, të paktën nga reagimet që kemi në redaksi, u ka bërë shumë përshtypje. Keni patur vështirësi në xhirimin e asaj skene?

Të jem e sinqertë, kur pashë këtë skenë, unë për vete si Hajrie, brenda natyrës sime u sikletosa pak. Por nuk do të thoja që regjizori ka abuzuar me këtë skenë, absolutisht jo. Është një regjizor i emancipuar, ndërsa aktorja është pa komplekse dhe e çliruar. Kjo reflektohet edhe në këtë skenë për të cilën më pyesni. Unë si aktore nuk do të kryeja role të tilla, por si çdo gjë në vëndin tonë, edhe konceptet për këto skena kanë evoluar. Dikur ishin tabu, por gjërat ndryshojnë.

A mund të na zbulosh ndonjë gjë nga seritë e ardhshme? Ndonjë gjë të vogël sa për të ngacmuar kuriozitetin e publikut?

Përsa i përket rolit tim, unë vazhdoj në rolin e gjyshes që edukon. Një gjyshe që porosit, një gjyshe që mundohet të kultivojë te mbesa gjëra gjithmonë të mira. Gjatë filmit s\'e kam përmbysur tekstin e autorit, i cili ishte shumë i ngrohtë, por unë me atë që kam akumuluar ndër vite, huazime nga nënat tona, nga gratë tona të jugut, shpeshherë tekstin e autorit e zëvendësoj. Përdor ndonjë shprehje frazeologjike të zonës, gjëra të tilla. Në serinë e tretë, në konfliktin që kisha me mbesën, unë përdora një shprehje të huazura nga ime vjehërr ku i them që "Bëjë punët, mirë rrëzë më rrëzë, jo pëc-pëc mes e mesit, jo mut e kak në sokak". (qesh) Kam përdorur edhe një shprehje tjetër në një skenë prapë me mbesën, kur i them të ketë kujdes me veshjen: "Më pëlqen te vajza që ajo të vishet në mënyrë korrekte, por jo estravagante. Natyrisht shkolla ka rregulla dhe vajzat duhet të shkojnë më përparëse dhe jo me mishra përjashtë dhe këtu unë përdor shprehjen time: "Trang e trung këmbora e madhe, qumështi gjysëm okare". Kjo ka zbërthimin e saj dhe ka domethënien e saj. Si puna e dhenve që zhurmën e këmborëve e kanë të madhe, por qumësht japin shumë pak.

Po garderoba që përdorni aty, edhe veshjet tuaja kanë tërhequr vëmendje..?

Për garderobën, unë e kam gjetur vetë, e qëmtova vetë. Të gjitha fustanet, kostumet deri te këpucët me pak takë, siç i mbajnë këto gratë e kësaj moshe e deri tek vathët, me një fjalë e gjithë rekuizita ime, janë të gjitha prurjet e mia. Edhe frizurën e flokëve, edhe një palë syze miopie… Nuk doja që grupi i filmit të lodhej dhe të futej në telashe për këto dhe natyrisht ata mbetën jashtëzakonisht të kënaqur. Ditën e fundit të xhirimit, kur u ndamë, me erdhi mirë që me regjizorin u ndava mirë, si dhe me gjithë ekipin, duke me komplimentuar.

Ku bëhen xhirimet e "Dhimbjes.."?

Xhirimet e kësaj telenovele filluan në muajin mars. Mua më erdhi radha në qershor. Në këto tre muaj unë punova për personazhin. Mbaruam në qershor 10 seritë. Xhirimet janë bërë në ambientet e Tiranës, si në rrugë, lulishte. Ndërsa xhirimet e mia janë bërë në studio të improvizuar kuzhine, ku është ambenti që unë kam xhirimet më tepër. Një kuzhinë e thjeshtë, ndodhet në Televizionin Shqiptar.

Cilin nga aktorët vlerësoni më shumë?

Unë kam patur edhe si partner në rolin e djalit, aktorin Petrit Malaj që më ka befasuar me korrektesën e tij, me seriozitetin dhe prurjen e personazhit të Agronit. Ai ishte shumë i saktë dhe mundi të përballonte monologje të tëra në mënyrë shumë profesionale. Edhe aktorja Sonila Kapedani në rolin e nuses, meriton notën maksimale për mua.

Mund të na tregosh ndonjë ndodhi interesante nga ato "pas kuintave", pra nga sheshi i xhirimit, diçka që të ka ngelur në mendje dhe që mund të ndahet me publikun?

Me stafin, atje ku xhirohej filmi në studio, ishte një rekuizitjere. Ajo ishte prezent gjatë gjithë kohës në punën e saj, sigurisht dhe gjatë gjithë kohës rrinte dhe shikonte ose vëzhgonte edhe momentet e xhirimit. Ishte një moment pasthirrme, kur unë kap mbesën duke parë një film erotik. Unë si gjyshe, mendoja se ajo po mësonte, kurse ajo shikonte të tillë filma fshehurazi në orët e vona. E kap në një moment të tillë, ndjej pështirosje nga skena në ekran dhe lëshoj një pasthirrmë. Pikërisht kjo pasthirrmë e ka detyruar rekuizitoren që ajo të qeshte me lot. "Ika me vrap", - më tha, - "që të mos prishja atë pasthirrmën kaq orgjinale, sa edhe ne na trondite".

Një këshillë e Hajries, (tashmë në realitet) për brezin e ri, për "mbesat" e gjithë gjysheve të Shqipërisë, le të themi.

Në radhë të parë i këshilloj brezat e rinj që të jenë trashëgimtarë të denjë të prindërve të mirë. Kemi qenë brezi i punës, brez pasionant dhe idealist. Shumë gjëra mund t\'i kemi bërë gabim, por merakun dhe dashurinë për punën e kemi patur. Pasionet gjithashtu. Së paku, këto mund të merren shembull nga ky brez.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama