PS Gati per dialog por pa presione

PS: Gati për dialog, por pa presione
Greva e urisë së dhjetë deputetëve, të cilët janë ngujuar në sallën e Kuvendit prej tetë ditësh, ka vështirësuar punën e Konferencës së Kryetarëve për të miratuar planin e punës për seancën e ditës së djeshme. Duke e pasur të pamundur një gjë të tillë, pra miratimin e planit të punës, ku bënte pjesë dhe Kodi Zgjedhor, i cili duhet të votohet në sallën e Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve vendosi shtyrjen për 24 orë të seancës së ditës së djeshme.

Sipas Konferencës së Kryetarëve, seanca do të zhvillohet sot, por dhe kjo nuk mund të thuhet me saktësi, pasi në orët e mëngjesit të sotëm, pritet të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve për të saktësuar procedurën që do të ndiqet gjatë seancës parlamentare. Justifikimi zyrtar i Konferencës së Kryetarëve për shtyrjen e seancës, ishte dhënia e kohës për grupet parlamentare me qëllim njohjen e tyre me projektligjin për Kodin e ri Zgjedhor. Shtyrja e kësaj seance do të thotë një ditë më shumë greve urie për dhjetë deputetët.

 Përfaqësuesit e LSI-së dhe PDK-së në Konferencën e Kryetarëve kanë kërkuar të zbatohet rregullorja e Kuvendit, përkatësisht neni 69 i saj, ku shprehet qartë procedura që duhet të kalojë çdo projektligj, përpara se të kalojë në seancë plenare. Ata kanë kërkuar kohë për të njohur dhe për të studiuar projektligjin dhe për të bërë propozime për amendamente sipas gjykimit të tyre. Përfaqësuesit e LSI dhe PDK në konferencë, janë shprehur se nuk e kuptojnë nxitimin e PS-PD për të mos i lënë kohë deputetëve të njohin dhe përgatiten për debat për ligjin më të rëndësishëm të Shqipërisë, për ligjin, i cili na ka detyruar të mbyllemi në një grevë urie me sakrifica të mëdha personale, për ligjin i cili duhet të garantojë një bazë ligjore të pakontestueshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pas këtij vendimi, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se greva e urisë së tyre do të vazhdojë, nëse nuk do të reflektohet objektivisht për Kodin e ri Zgjedhor.

 "Partia Demokratike dhe ajo Socialiste duhet t‘i bëjnë zgjedhjet sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR", është shprehur Meta, duke theksuar se vota e lirë dhe zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë, dhe asnjë politikë sektoriale nuk mund të jetë më e rendesishme se vota e lirë. Greva e 10 deputetëve ka nisur një javë më parë dhe ata janë shprehur të vendosur t‘i shkojnë deri në fund qëllimit të tyre. Por, se ç‘do të ndodhë vërtet me grevën e urisë së dhjetë deputetëve, kjo mbetet për t‘u parë ditën e sotme, ku Kuvendi pritet të mblidhet në seancë parlamentare.

 Dy partitë e mëdha PD-ja dhe PS-ja deri më tani janë shprehur të vendosura për të mos u tërhequr nga qëndrimi i tyre, ndërkohë që presioni nga partitë grevistë sa vjen dhe rritet. PDK-ja ka deklaruar dy ditë më parë se, nëse kodi miratohet pa u marrë parasysh sugjerimet e tyre, atëherë ata do të përshkallëzojnë reagimin e tyre, duke u futur në grevë urie 900 anëtarë të kësaj force politike. Deputetët grevistë kanë theksuar dhe ritheksuar disa herë se janë të gatshëm të dalim nga kjo grevë dhe kontribuojnë për zgjidhjen nëse PS-PD shprehen qartë për përfshirje më të gjerë të faktorëve politik apo civil në procesin e administrimit të zgjedhjeve, dhe nëse Presidenti i Republikës apo OSBE garanton vërtetësi dhe seriozitet të këtyre deklaratave.

Socialistët prononcohen për grevën: Të hapur për dialog, por pa presione

Pas 10 ditësh nga greva e urisë së deputetëve, Partia Socialiste ka vendosur të pozicionohet në raport me Kodin e ri Zgjedhor.

PS bëri të ditur se ka qenë e do të jetë e gatshme të dialogojë vijimësisht me të gjithë, dhe nuk ka akuzuar e fyer askënd që ka pikëpamje të ndryshme nga tonat, sepse qëllimi nuk është të imponojë një qëndrim në dëm të dikujt, po të formulojë një qëndrim sa më të drejtë në interes të publikut.

Leskaj

"Le ta kuptojnë kolegët tanë parlamentarë se mllefi nuk është alternativë, se një qëndrim nuk imponohet me zor, por me argumente, ashtu siç duhet ta kuptojnë edhe kundërshtarët tanë qeveritarë se, duke bërë diversion me emrin e PS, nuk bëjnë tjetër veçse tregojnë atë që dimë të gjithë, primitivizmin e tyre politik", u shpreh Leskaj.

Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, deklaroi dje se është krejt normale që për një reformë kaq të rëndësishme, e cila prek drejtpërsëdrejti stereotipa të krijuar dhe interesa të caktuara, të ketë kundërshti dhe mospajtime brenda spektrit të përfaqësimit politik. "As në eksperiencat më të mira perëndimore nuk figurojnë raste konsensusesh me 100%, kur është fjala për reformën zgjedhore", theksoi ajo.

Në këndvështrimin e Leskajt, kjo reformë për vetë natyrën e saj specifike ngjall kudo - në çdo vend demokratik - kurdoherë që zhvillohet, kundërshti të dukshme dhe mospajtime të konsiderueshme mes partive të mëdha e të vogla. Drejtuesja e deputetëve socialistë në Kuvend mendon se në procesin e kësaj reforme, ne socialistët kemi mbajtur e do të mbajmë deri në fund parasysh interesin e Shqipërisë e të shqiptarëve, që vota të shkojë aty ku e jep votuesi.

 "Që çdo parti të peshohet nga zgjedhësit, jo të rritet apo zvogëlohet artificialisht, siç ka ndodhur 17 vjet me radhë", nënvizoi Leskaj. Teksa shtoi se zgjedhësit nga parlamenti duan zgjidhjet e munguara për vite me radhë, jo shfaqjet e padenja të gjithë këtyre viteve. "Ne kemi argumentet tona, të tjerë kanë argumentet e tyre. Le t‘i ballafaqojmë qetësisht përpara qytetarëve. Ne kemi hyrë në këtë proces për t‘u dhënë shqiptarëve shansin e shumëpritur të një votimi të pa deformuar, të tjerë duan të nxjerrin nga ky proces kapitale politike, ndërsa të tjerë akoma duan të imponojnë dështimin e procesit", këmbënguli Leskaj. Berisha

Demokratët shprehen hapur se negociojnë vetëm me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore. Kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm dje, në grupin parlamentar të PD-së, të pranojë tërheqjen nga kodi elektoral në rast se partia më e madhe e opozitës e vendos këtë. Përpara deputetëve demokratë, Kryeministri vlerësoi kodin elektoral të përgatitur në komisionin e ligjeve, por, duke komentuar grevën e urisë së 10 deputetëve, u shpreh se kjo është çështje e së majtës dhe LSI duhet të negociojë me PS-në. Kryetari i demokratëve nuk ka lënë pa ironizuar edhe qëndrimin e ish-ministrit të tij, deputetit Nard Ndoka, për grevën e urisë. Kreu i Partisë Demokratike është shprehur se "PDK është parti pa elektorat dhe nuk na prish punë".

Burime pranë grupit parlamentar kanë bërë me dije se kjo ka qenë deklarata e vetme që është bërë në grupin e PD-së, ku i vetmi që ka folur për kodin e ri elektoral ishte shefi i mazhorancës, Sali Berisha, ndërkohë që deputetët demokratë vetëm kanë dëgjuar fjalimin e Kryeministrit pa bërë asnjë koment. Sipas deputetëve demokratë, deri tani Partia Demokratike nuk ka asnjë shenjë tërheqjeje, në rast se nuk ka asnjë sinjal nga selia rozë për bashkëpunim me LSI. Në të kundërt, kodi i ri elektoral do të votohet ndërmjet dy partive më të mëdha, duke e kaluar në këtë mënyrë 3/5 e votave në Kuvend. Një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka theksuar se selia blu nuk tërhiqet nga ndryshimet aktuale për kodin, ndërkohë që ka theksuar gjithashtu se ka vend edhe për përmirësime.

Tryeza

Gjashtë parti të vogla apel për PS-PD

Drejtues të gjashtë partive të vogla u bënë thirrje dje forcave kryesore të ulen në negociata me deputetët grevistë. "Të gjitha partitë e mbledhura konkluduan që vendi ndodhet në një krizë shumë të rëndë politike. Ne jemi të gjithë shumë të motivuar, për të punuar që kjo krizë të evitohet dhe të mos thellohet më tej", deklaroi pas takimit deputeti Dritan Prifti. Ai konfirmoi se në tryezë kishte përfaqësues të LSI, PDK, PS91, PDS e PAD. Dy propozimet konkrete, të cilat janë shumë të qarta edhe në letrën që deputetët e ngujuar në grevë i kanë bërë drejtuesve më të lartë të shtetit dhe trupit diplomatik, konsiderohen propozime, të cilat krijojnë mundësi të plota për ta zgjidhur atë. "Deklaratat e zotit Bosch kanë qenë shumë të qarta, shumë koherente dhe i kanë të gjitha elementët e zgjidhjes brenda", u shpreh Prifti. Ai tha se vlerëson si arritje çdo reflektim, ku do të jetë e zeza mbi të bardhë në kod dhe ku do të sanksionojë qartë gjithçka që është shkelur, lidhur me votën, me vjedhjen dhe abuzimin e saj.

PD e PS: E ndryshuam kodin me 93 vota pro

Komisioni i Reformës Zgjedhore në mbledhjen e tij të fundit, ka miratuar tekstin e plotë të Kodit Zgjedhor, duke shprehur se kanë autorizim nga 93 deputetë të grupeve që përfaqësojnë. Dy bashkëkryetarët theksojnë në raport, se shprehen në emër të gjithë deputetëve të PD-së dhe PS-së, duke kanalizuar kështu edhe votën e tyre pro Kodit të ri Zgjedhor, duke paragjykuar kështu votën e deputetëve të grupeve të tyre. Në raportin dërguar Kuvendit, përshkruhet në pak rreshta puna e bërë nga komisioni gjatë këtyre muajve. Sipas raportit, puna për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor nga ana e komisionit ka qenë e ndarë në tre faza: së pari, negocimi dhe përgatitja e draft-neneve nga grupi i ekspertëve; së dyti, prezantimi dhe diskutimi i neneve në komision, i cili i miratoi ato, apo në raste të veçanta rekomandoi sugjerime për t‘u përfshirë në variantin përfundimtar të projektligjit nga ekspertët; së treti, miratimi nga komisioni i tekstit integral të projektligjit.

Deklarata: Protesta jonë është paqësore, jo mjet presioni

Grevistët: Kërkojmë dy javë kohë për diskutimin e kodit


Deputetët grevistë, me anë të një deklarate për mediat kanë bërë të ditur se protesta e tyre nuk është mjet presioni, por vetëm një protestë paqësore. Në deklaratën e firmosur nga 10 parlamentarët që hyjnë sot në ditën e tetë të grevës së urisë, thuhet se "kodi i ri zgjedhor duhet të sigurojë një administrim më pluralist dhe gjithëpërfshirës në administrimin e zgjedhjeve, një administrim që nuk kontrollohet dhe dominohet nga dy partitë kryesore politike". Duke mos i kursyer kritikat dhe akuzat ndaj dy partive të mëdha, por sidomos ndaj PS-së, në deklaratë thuhet se "PS-ja ka kërkuar komisione të depolitizuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pavarësisht se më vonë ndryshoi qëndrim". "Ne, thuhet në deklaratë, kemi propozuar dhe deklaruar publikisht vullnetin tonë për këtë depolitizim të administrimit të zgjedhjeve". Sipas deputetëve, në këtë mënyrë realizohet konsensusi opozitar dhe zgjidhet kriza parlamentare. "Nëse PS-PD reflektojnë dhe gjejnë konsensus për këtë variant, ne mirëpresim zgjidhjen, e cila është standard në gjithë Evropën dhe botën moderne", thuhet në deklaratë. Ne, theksojnë deputetët më tej, kërkojmë minimumin e kohës që lejon rregullorja e Kuvendit prej 2 javësh. "Greva e urisë në sallën e Kuvendit është mjeti i fundit sensibilizues për nevojën për dialog, të konsensusit të gjerë dhe bashkëpunimit mes forcave politike në vend, dhe sidomos me PS-PD", thuhet në deklaratë. Për deputetët, greva e urisë nuk është dhe nuk duhet kuptuar në asnjë rrethanë si mjet presioni. Ajo është paqësore, nuk synon realizim të qëllimeve të ngushta partiake, por vetëm realizimin e standardeve evropiane për të garantuar zgjedhje të lira.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama