Sekreti i nje grimi te bukur

Sekreti i një grimi të bukur
Që të arrihet një grim perfekt dhe sharmant duhet të kien parasysh disa gjëra. Së pari mënyra e trukimit varet nga forma e fytyrës, kolori i flokëve dhe veshja. Pra, janë shumë detaje që duhet të merren parasysh përpara se të bëjmë një grim. Dhe, ajo pjesë që ka më shumë rëndësi dhe që bie më shumë në sy është syri. Për fytyrat ovale, me sy të mëdhenj në formë bajame nuk këshillohet përdorimi i grimit të thjeshtë. Por gjithnjë përpara se të bëhet një grim duhet të kesh vendosur se cila do të jetë veshja jote.

Pra, ai bëhet në kombinimin me flokun dhe veshjen. Është tepër e rëndësishme që para se të bëjmë grim të bëhet fillimisht pastrimi i fytyrës me late-tonik. Më pas mbi fytyrën tuaj vendosni kremin. Mangësitë që dalin nga kremi dhe njollat e ndryshme që mund të ndodhen në sipërfaqe, eliminohen me anë të korrektorit. Pasi bëhet korrektimi i fytyrës përdoret “Make-up” në nuancat kafe, ngjyrë bronzi si dhe në kolore më të hapura. “Make-up” mbulon defektet e fytyrës, nofullat e dala, ballin e madh, mjekrën e gjatë. Eliminimi i tyre vjen si rezultat i dritëhijes nga përdorimi i tij. Make-up dhe pudra vendosen në të gjitha pjesët e fytyrës, edhe në buzë. Kjo krijon lehtësi në lyerjen përfundimtare, të buzëve, syrit, të “ruzh-it” të faqeve. Pra, është i nevojshëm në theksimin e tyre. Në këtë mënyrë jeni gati për të filluar me grimin.

GRIMI I SYRIT

Fillohet me një ton të lehtë poshtë vetullës. Me nuancë të bardhë në të verdhë të lehtë. Më poshtë, në formë harku, përdorni një nuancë në ngjyrë gështenjë, me dritë-hije në të hapur. Me një penel të ujshëm kalojmë theksimin e pjesës së rrënjës së qerpikut për të vazhduar më pas me rimelimin e qerpikëve. Mund të përdorni rimel “Mascara” me “qime” të veçanta që realizojnë zgjatjen e qerpikëve. Këshillohet të mos përdoret kthyesja e qerpikëve pasi ajo këput dhe shkul qerpikun. Kjo realizohet në të gjithë qerpikun dhe afër rrënjës së tyre vendoset një nuancë e kaftë. Përdorimi i lapsit në pjesën e brendshme tregon një pamje më të zvogëluar të syrit natyral. Ndërsa vënia e tij në pjesën e jashtme realizon zmadhimin e tij.

GRIMI I BUZËVE

Një konturë e lehtë ngjyrë të kaftë në të errët, dhe i kuqi i buzëve mund të jetë një nuancë më e çelur. I lëngshëm e me pak shkëlqim. Më pas bëhet dhe shkëlqimi i mollëzave. Theksojmë edhe një herë që buzët, shkëlqim i mollëzave dhe kolori i flokëve bëhen në kombinim me njëra-tjetrën sigurisht të gjitha këto në përshtatje me formën e fytyrës dhe me veshjen.


Gazeta Shqiptare

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama