Ndërkaq, në lidhje me komentin për çështjen e Kodit Zgjedhor, zëdhënësi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, deklaroi për "Shqip": "Rregullat, rregulloret dhe aspektet teknike të zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor kanë nevojë për një diskutim nëpërmjet mjeteve të hapura dhe bashkëpunuese". Gjithashtu, selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë, ka theksuar qëndrimin zyrtar që "zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, do të jenë një provë e vërtetë e nivelit të demokracisë së saj, ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugën e saj për një integrim të plotë euroatlantik". Deklarata e djeshme, edhe pse ka qenë qëndrimi i parë i ambasadës amerikane pas nisjes së grevës së urisë, ai përbën një deklarim konstant të Uashingtonit zyrtar, i cili ka kërkuar nga Shqipëria që të ecë në rrugën e integrimit, duke zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Uithers
Në një intervistë për emisionin "Shqip", në "Top Channel", të datës 4 nëntor, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers, ka bërë thirrje që zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 të zhvillohen krejtësisht të lira, krejtësisht të ndershme dhe në përputhje të plotë me standardet demokratike të vendeve perëndimore. Ambasadori Uithers deklaroi për emisionin "Shqip", që drejtohet nga gazetarja Rudina Xhunga, se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë jetike për Shqipërinë. Në mënyrë tejet të qartë, kryediplomati i Uashingtonit në Tiranë, u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve që merren me organizimin e zgjedhjeve, që të krijojnë një sistem efikas organizativ, pa "hile shqiptare", por që të ndihmojë sa më shumë qytetarët që të hedhin votën, të drejtën e tyre, aty ku ata e mendojnë.
Në deklaratën për emisionin "Shqip", ambasadori Uithers theksoi se organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat priten të zhvillohen në verën e vitit 2009, duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare, që thjeshton mënyrën dhe i bën qytetarët më të qartë për të ushtruar të drejtën e tyre. Një tjetër thirrje e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers, në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, ishte ajo që të hartohen listat e zgjedhësve dhe kartat e identitetit. Ambasadori Uithers e ka cilësuar fenomenin që ka ndjekur zgjedhjet shqiptare në vite, si një "informalitet" elektoral. Diplomati amerikan theksoi se "duhet që informaliteti që ka prekur zgjedhjet në të shkuarën, të eliminohet. Unë u kam bërë dhe vazhdoj t‘u bëj thirrje të gjitha forcave që të punojnë shumë, në mënyrë që këto të jenë zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka mbajtur ndonjëherë".
Gazeta: Shqip











