Kirsten është “trajnere karriere”. Kur e pyesim se çfarë do të thotë ky term, ajo na shpjegon se “mëson njerëzit si të zgjedhin se cila karrierë u përshtatet më tepër, si të jenë më frytdhënës, si të ndryshojnë karrierën e tyre”. Këtë punë unë e bën në një nga Univeristetet private të kryeqytetit, por ajo që na intrigon më shumë tek Kirsten është pasioni i saj për notin.
Noti për amatorët mund të jetë thjesht zbavitje, por si “profesion” ai ka nivelet e veta. Kirsten ka përfunduar kurset e avancuara për not dhe në kohën e lirë, ua përcjell këtë pasion, fëmijëve.
“Në not kam 6 diploma për secilin nivel të kursit”, - na tregon Kirsten për SH2-shin. Ajo i ka mbaruar të gjitha nivelet, mundet jo vetëm të notojë shumë mirë, jo vetëm t’u mësojë të tjerëve, por edhe të ndihmojë të tjerët që mund të jenë duke u mbytur.
Ajo jeton në Tiranë me bashkëshortin e saj (janë martuar vitin e kaluar). Gjithashtu edhe vëllai i saj me familjen e tij jeton këtu. “Ndaj ndihem shumë mirë, sepse kam familjen time, kemi të njëjtin rreth miqsh. Për shumë kohë vëllai im dhe unë jetonim larg njëri-tjetrit, ndërsa tani jemi kaq afër, kjo është e çuditshme…” - rrëfen Kirsten.
Kirsten, sa kohë keni që jetoni në Shqipëri?
Afërsisht një vit, ekzaktësisht këtë fundjavë bëj një vit që kam ardhur të jetoj në Shqipëri.
Mësojnë shumë shpejt not shqiptarët?
Unë notoj shumë dhe në verë më rastiste shpesh të shkoja në pishina të ndryshme këtu në Tiranë. Nëpër pishina kam parë që të gjithë njerëzit luanin me ujin, por shumë pak prej tyre notonin dhe ata që notonin ishin më shumë burra.
Ndërsa gratë dhe fëmijët nuk notonin fare. Unë vij nga një vend ku noti është shumë i rëndësishëm dhe ai mësohet që në shkollë, apo mësohet dhe më herët nga prindërit. Për mua noti është profesion i dytë.
Ndërsa përsa i përket pyetjes tuaj e kam pak të vështirë ta them një gjë të tillë. Unë po punoj me notin me fëmijë të huaj, pra fëmijë “ndërkombëtarë”, mund të them.
Po me fëmijët shqiptarë?
Personalisht kam shumë qejf të merrem me fëmijë shqiptarë, por e kam të vështirë, sepse nuk kuptoj gjuhën tuaj. Ndërsa nëse fëmijët janë shqiptarë, por flasin anglisht ose frëngjisht, nuk e kam problem. Noti është një mënyrë e mirë për të kaluar kohë dhe për t’u çlodhur, por me sa kam kuptuar në Shqipëri nuk ekziston kultura e notit.
Çfarë e bën notin kaq të domosdoshëm?
Liria që ndjen duke notuar është fantastike, muskujt shtendosen, duke të dhënë një ndjenjë relaksi të mrekullueshme. Me një dush dhe sa lehtë ndihesh, imagjino të dish not dhe të merresh përherë me not.
Ju vetë kur e keni mësuar notin?
Kam qenë 4 ose 5 vjeç atëherë. Në fillim, mbaj mend kur isha në shkollë, isha shumë e ngadaltëdhe mësuesit tim i duhej herë pas herë të merrej me mua. Nga mosha 9 deri në 12 vjeç kam jetuar në Karaibe, ishte një ishull dhe nuk kishte kuptim të mos dije not në një vend të rrethuar nga uji. Kjo është dhe arsyeja që unë jam kaq shumë e lidhur me notin.
Pasi u larguam nga Karaibet dhe u kthyem në Hollandë, unë dhe motra ime notonim gjatë gjithë kohës, nga prilli në shtator. Por duke ditur që në Hollandë vera nuk është kaq e ngrohtë sa këtu, ishte e jashtëzakonshme ajo që ne bënim.
Uji për mua është natyra e dytë. Kam luajtur waterpool në Hollandëpër 5 vjet dhe është një sport që vërtet të lodh, por, në fund të fundit, është shumë i shëndetshëm, bën shumë mirë për trupin.
Atëherë Kirsten dhe noti. Po flasim për një profesion apo për një pasion?
Besoj, është më shumë pasion sesa profesion. Ndihem shumë e relaksuar në ujë. Po, po, më shumë se gjithçka tjetër është pasion…
Ok, ne dimë që sporti kërkon dhe ushqim të mirë apo jo? Një ushqim shqiptar që i ka pëlqyer Kirstenit..?
Eeee… perimet e pjekura. Ne kemi një restorant të preferuar dhe atje shkojmë shpesh, sepse ka ushqim tradicional shqiptar. Në Shqipëri është e vështirë të jesh vegjetarian. Keni një mish qingji të parezistueshëm. Mua më pëlqen shumë edhe byreku me spinaq. Në disa vende arrin të gjesh lehtësisht edhe perimet dhe frutat, të cilat janë organike dhe kjo është gjë shumë e mirë për mua.
Keni arritur të mësoni ndonjë fjalë shqip?
Di shumë fjalë shqip, por e kam ende shumë problem të ndërtoj fjali. Kur ne dalim për pazar, atje mësoj shumë fjalë shqip. Madje mund të them disa prej tyre (vogël, faleminderit, unë quhem, shumë punë).
Unë nuk pres që njerëzit të më flasin anglisht, sepse meqë po jetoj në Shqipëri, dua të mësoj unë të flas shqip.
Javën që shkoi, më në fund arrita të bëja 1 bisedë në shqip dhe kjo ishte me një shofer taksie, më duhej me patjetër të shkoja diku, shoferi nuk kuptonte anglisht, kështu që m’u desh me patjetër të flisja në shqip, por në fund u mora vesh. Në universitet po mësoj më shumë shqip.
Njeriu më i afërt në Tiranë?
Shoqja ime shqiptare, Anduela, dhe ajo turke Deniz. Anduela është shumë e rëndësishme për mua, falë saj unë “mbijetoj”.
“Biçikletën në Tiranë, e pamundur ta ushtrosh.. Mrekullia juaj quhet Valbona”
E pyesim Kirstenin si e kalon kohën e lirë në Shqipëri. “Koha e lirë këtu ndryshon shumë nga vendet e tjera. Unë dua biçikletën, por këtu në Tiranë është e rrezikshme, kjo për shkak të trafikut të madh të makinave. Të ngasësh biçikletën në park është perfekte, por rruga është e shkatërruar. Nëse do isha jashtë Shqipërisë do të isha më aktive”, - thotë ajo.
Por jashtë Tiranës, për një tip që pëlqen jetën aktive si Kirsten, është më e lehtë. “Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe është një nga gjërat që dua shumë në Shqipëri. Ne, bashkë me një grup tjetër të huajsh, mblidhemi çdo të shtunë para stadiumit Qemal Stafa dhe ecim e ngjitemi në male jashtë Tiranës. Udhëtojmë, eksplorojmë”, - na tregon ajo.
E pyesim për vendin që do e veçonte nga gjithë të tjerët dhe ajo veçon Valbonën, në Veri.
“Valbona është një mrekulli. Unë mendoj se është zona më e bukur e Shqipërisë, por më vjen keq që, mesa kam hasur në biseda, pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e njohin atë vend. Një nga pasionet e mia është dhe fotografia dhe andej kam bërë shumë fotografi…”
“Do të doja që Tirana të kishte një vend për kërcime latine”
Kirsten, si ju duket jeta e “ditës” në Tiranë?
Jeta e ‘ditës’ këtu në Tiranë më befason. Shumë njerëzkalojnë kohën duke pirë kafe, besoj që kjo është edhe pjesë e kulturës së vendit tuaj, është edhe ngaqë njerëzit nuk kanë punë. Njerëzit pijnë shumë cigare gjatë gjithë ditës. Më pëlqen fakti që ka shumë njerëz në rrugë. Duket sikur “jetojnë në rrugë”. Më pëlqen që jeni dhe shumë të afërt me njëri-tjetrin.
Po jeta e “natës”?
Tiranës i mungojnë vendet ku kërcehet. Unë kërcej shumë muzikën latine dhe këtu nuk kam mundësi të kërcej. Kur isha jashtë shkoja gati 4 herë në javë, por këtu nuk kam mundësi. Më pëlqen shumë vallja që kërcejnë shqiptarët, por nuk kam arritur ende ta mësoj. Ndërsa karaoket, që i shoh gjithandej nëpër Tiranë, më duken shumë vend për të qeshur.
“Shqiptarët, njerëzit më miqësorë që njoh, por merren shumë me thashetheme”
Një lavdërim për shqiptarët për aq sa i njihni?
Janë shumë miqësorë, të ndihmojnë shumë. Dhe diçka tjetër që më pëlqen shumë është toleranca fetare, besoj se nga kjo duhet të mësojë gjithë pjesa tjetër e botës.
Një kritikë për shqiptarët për aq sa i njihni?
Merren shumë me thashetheme. Burri im është pak më i shkurtër se unë dhe kur kalojmë rrugës, shumë njerëz na shohin të habitur.
Një këshillë për shqiptarët me aq sa i njihni?
Nuk dua të duket sikur merrem me politikë, por shqiptarët duhet të bëjnë të pamundurën për të hyrë në BE. Por gjithsesi dua që dhe kur të ndodhë kjo gjë të ruajnë 1 veçanti që ka kultura shqiptare, atë të të qenit shumë të shoqërueshëm dhe të lidhur me njëri-tjetrin.
Një këshillë tjetër është të mos ndotin ambientin. Keni një vend shumë të bukur, por ka plehra dhe mbeturina gjithandej. Dhe atë që s’do të harroja kurrë pa thënë është të jenë më aktivë në sport, sepse sporti është i mirë për gjithçka.
Gazeta: Shekulli











