Fillimisht kanë shtyrë dhe qëlluar protestuesit të cilët ishin të ulur në tapete dhe më pas i janë drejtuar tendës, e cila ndodhej pak metra më larg. Sipas protestuesve, policia i ka qëlluar dhe shtyrë derisa pas një përleshje për gati 20 minuta ka shkatërruar çadrën, hekurat e së cilës binin mbi protestuesit, dhe e ka sekuestruar atë. Policia ka ushtruar dhunë ndaj të pranishmëve në protestë, ku dhunës nuk i ka shpëtuar dhe një protestuese shtatzanë. Mes forcave të rendit ishte dhe një civil, pa flokë, i cili ka goditur mbi gratë protestuese, ku ‘pre’ e tij ka qenë edhe kryetarja e minibashkisë nr.6 Luzhjana Abazi. Më pas policia është tërhequr në vendin e saj fillestar, por turma ka qenë e acaruar për një kohë të gjatë. Ish-deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka kërkuar protestuesve që të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë qetësinë në protestën e tyre paqësore.
Topalli.
Rreth orës 23:30 minuta, Kryemadhi ka marrë një telefonatë nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila i ka konfirmuar se do ta takojë në Kuvend. Në orën 23:44 minuta, Kryemadhi ka shkuar nga dera e parlamentit përballë PD-së ku është takuar me Topallin, e cila erdhi me makinën zyrtare TR 0016 Z. Makinës i jepte bashkëshorti i kryeparlamentares. Për rreth 17 minuta Topalli e Kryemadhi kanë qëndruar brenda në sallë dhe janë takuar me deputetët. Kryetarja e Kuvendit u interesua për shëndetin e deputetëve dhe me çfarë mund t’i ndihmonte, ndërsa Kryemadhi pasi është takuar me bashkëshortin dhe deputetët e tjerë u është drejtuar me fjalët “deputetët nesër kanë frikë të vijnë në parlament”.
Por sipas Metës “unë jam njeri paqësor”. Më pas Topalli e Kryemadhi kanë dalë nga parlamenti dhe kryeparlamentaren e ka pritur sërish makina zyrtare, në timon të së cilës ishte bashkëshorti i saj. Lidhur me incidentin e mbrëmshëm ka reaguar edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se “forcat e policisë kanë goditur protestuesit në mënyrë të papritur dhe pa motiv. Kjo tregon se Berisha kërkon të provokojë përmes dhunës dhe shkopave të gomës, por dhe përmes komisioneve të numërimit të votave bashkë me Ramën”. Ndërkohë gjatë paradites qindra e mijëra protestues kanë qëndruar jashtë kangjellave të Kuvendit të rrethuar nga kordoni i Policisë Bashkiake dhe të Ministrisë së Brendshme, në mbështetje të 10 deputetëve grevistë.
“Rama-Berisha, si Olsi me Noçen”
Pas takimit mes Topallit dhe deputetëve, Monika Kryemadhi ka bërë një paralelizëm të bashkëpunimit të Kryeministrit Berisha me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama me dashurinë e një realit show në Big Brother, Olsi dhe Noçe, një dashuri ku në qendër kishte interesin. Ndërkohë LSI, ka paralajmëruar protesta edhe në selinë e OSBE në Vjenë, ku do të kërkohet që ky organizëm ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi faktorët politikë në Shqipëri për zgjedhje të ndershme.
Panorama











