Xhejms Belushi rikthim ne Qyteze

Xhejms Belushi, rikthim në Qytezë
Ai vjen sërish për të dytën herë si shqiptar dhe qytezar, por edhe si biznesmen për të investuar në fshatin që ia ka lënë amanet babai i tij, i larguar nga qyteza që në vitet e para të shekullit të kaluar.

 Një ekip pune ka prezantuar axhendën e aktiviteteve të tij gjatë rikthimit në vendin e origjinës, ku në plan të parë aktori i shquar me origjinë shqiptare, ka vendosur pikërisht fshatin që do ta vizitojë sërish, jo vetëm për të mbajtur premtimin para banorëve, por edhe për të investuar nga fondet e kompanisë së tij të mineraleve në Qytezë. Sipas menaxherit të kompanisë, Daug Burg, me iniciativën e Belushit dhe të kompanisë së tij janë parashikuar investime në shkollën shekullore të fshatit për ta rimëkëmbur, ngritja e një muzeu, ndërkohë që ka përfunduar ura e fshatit, e cila përbënte një rrezik të madh gjatë kalimit të saj, për shkak të amortizimit.

 I ardhur si qytezar, Belushi ka planifikuar në javën e qëndrimit të tij më shumë se gjithçka të jetë pranë banorëve të paktë që i kanë mbetur këtij fshati, nga ku emigracioni dhe largimi i vijueshëm i komunitetit ka bërë që tashmë të numërohen shumë pak shtëpi dhe vetëm 20 banorë. Si president nderi, në krye të një kompanie kanadeze për kërkim mineralesh, Belushi ka zbritur sërish në tokën shqiptare me idenë se ëndrrat mund të bëhen lehtë realitet për Qytezën. Ekipi i qytetarëve që kanë përgatitur gjithçka për një axhendë të ngjeshur takimesh dhe aktivitetesh të aktorit shqiptar kanë vlerësuar paralelisht edhe ndikimin e madh që vetë Belushi ka pasur te banorët që nga ardhja e tij e parë, gjë e cila ka bërë që me kontributin e komunitetit të zonës të mirëmbahen të gjitha shtëpitë, pavarësisht nga braktisja e fshatit.

 Ky ishte edhe amaneti që aktori la pas largimit të tij nga vendi 13 vjet më parë, ndërkohë që banorët janë kujdesur që ai ta gjejë fshatin ndryshe, duke rimëkëmbur kishën e vjetër dhe duke sistemuar shumë nga shtëpitë karakteristike prej guri, ndërkohë që një odë miqsh me objekte tradicionale të artizanatit është hapur nga vetë qytezarët për të tërhequr sa më shumë vizitorë e turistë. Qyteza me shtëpitë karakteristike prej guri, të futura mes gjelbërimit, me oborret me plloça dhe çezmat e gurit, me kishën mbi kodër dhe rrugicat karakteristike me kalldrëm, nuk është fshati i vetëm ku Belushi ka planifikuar të investojë.

 Menaxheri i tij, i cili ka rezervuar të shprehë shumë nga surprizat e ardhjes së Belushit, thotë se investimet do të gjejnë shtrirje në shumë fshatra dhe qytete, ndërsa deri më tani punimet kryesore kanë qenë në zonën e Devollit, të Librazhdit dhe Mirditës. Surprizat e tjera janë ekskluzivitet i vetë aktorit me famë botërore, i cili që në mëngjes do të rikthehet në Qytezën e babait të tij dhe të gjakut prej shqiptari.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama