Kisha ne Dhermi Shqiperi-Greqi indinjate me tone me te buta

Kisha ne Dhermi, Shqiperi-Greqi, 'indinjate' me tone me te buta

Në Athinë, pala shqiptare parashtroi qëndrimin zyrtar, duke shprehur indinjatën për gjuhën e përdorur nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke. Dy palët dëgjojnë njëra-tjetrën, Athina mund të “ankohet” në Bruksel. Ministri Klosi pritet të takojë qytetarët në Dhërmi për çështjen e kishës së Shën Thanasit dhe projektin e ri.

 

Indinjatë mbajtën të dyja palët, por kanë ulur tonet dhe ndoshta tashmë po mendojnë seriozisht sesi të “pajtohen”, pasi reagimi i tyre, i Shqipërisë dhe veçanërisht i Greqisë, e kapërceu gjuhën normale diplomatike dhe kaloi në mjaft acaruese për çështjen e prishjes së kishës së Shën Thanasit në Dhërmi.

Në një takim të zhvilluar dje në kryeqytetin grek, Tirana zyrtare i ka përcjellë Athinës indinjatën e saj lidhur me gjuhën e përdorur nga diplomacia greke, sidomos me deklaratën e fundit, ku shembja e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi krahasohej me sulmet xhihadiste. Pala shqiptare ka reaguar zyrtarisht, ndërsa ajo greke thjesht ka ngritur pretendimet e saj me çështjen e prishjes së kishës së Shën Thanasit.

Ambasadori ynë në Greqi, Dashnor Dervishi konfirmoi takimin në lidhje me çështje e reagimit për kishën e Shën Thanasit, por e konsideroi takim të zakonshëm në komunikimin e vazhdueshëm që kanë dy institucionet. “Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Ministrinë e Jashtme të Greqisë i ka shprehur shpjegimet dhe shqetësimet e veta sipas pikëpamjes së palës greke lidhur me ngjarjet në Dhërmi.

E ngarkuara jonë me punë ka shpjeguar qëndrimet e palës sonë lidhur me zhvillimet, duke shprehur edhe indinjatën dhe protestën për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit tonë, që është një çështje që absolutisht e brendshme, mes komunitetit fetar dhe shtetit”.

Kështu tha ambasadori Dervishi, duke e zbutur disi tonin, kjo edhe për faktin se pas reagimit të ashpër të palës greke, kërkohej një qëndrim më diplomatik i yni, për të mos çuar më tej përplasjet. “Nuk bëhet fjalë absolutisht për notë proteste, por për shpjegime mes palëve lidhur me pozicionet që kemi rreth kësaj çështjeje. E ngarkuara jonë me punë shprehu qartë se është një çështje absolutisht e brendshme e Shqipërisë dhe theksoi indinjatën për gjuhën e ashpër që është përdorur, në mënyrë të veçantë në deklaratën e fundit të zëdhënësit të shtypit”, – shtoi Dervishi.

Për të prezantuar projektin e ri të qeverisë, por edhe për të dëgjuar qytetarët me pretendimet e tyre, ditën e sotme pritet që të zhvillojë takim me banorët e Dhërmiut ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Përveç diskutimit mbi situatën, do të parashtrohet projekti dhe ideja si e qeverisë, ashtu edhe e pushtetit lokal, për rindërtimin e kishës së Shën Thanasit, duke ndjekur gjurmët e monumentit të vjetër që u shkatërrua nga pushteti komunist në vitin 1972. Pak orë pasi inspektorët e INUV shembën objektin që ishte ndërtuar mbi rrënojat e kishës së vjetër të Shën Thanasit, Athina ashpërsoi tonet ndaj Tiranës zyrtare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Konstandin Koutra barazoi aktin me ato të xhihadistëve. “Shkatërrimi i vendeve të shenjta dhe atyre të kultit po bëhet së fundmi në zonën e Lindjes së Mesme dhe në Afrikën e Veriut nga xhihadistët. Sot ne pamë këtë gjë të bëhet edhe në Shqipërinë fqinje. Lidhur me këtë çështje do të informojnë menjëherë komunitetin ndërkombëtar”, – tha ai.

Ndërsa reagime të ashpra pati edhe nga Partia Demokratike dhe nga ajo e të Drejtave të Njeriut në vendin tonë, që e cilësuan skandaloz vendimin për prishjen e kishës, që sipas tyre u mor nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa ajo që vihej re nga i gjithë debati ishte edhe fakti se objekti që konsiderohej si kishë, nuk ishte i parametrave të denjë për një objekt kulti dhe shpesh kreu i qeverisë e konsideronte si “garazh” që tentohej të quhej kishë.

Gjithsesi, edhe vetë Kisha Ortodokse e konsideroi ngjarje të rëndë, por edhe vetë ajo përdori një fjalor shumë më të butë se zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke. Mediat në vendin fqinj, Greqi, shprehen se prishja e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi është objekt i një ankese të ngritur nga qeveria greke në Komisionin Europian dhe Këshillin e Europës. Ata shkruajnë se në ankesën drejtuar dy institucioneve të larta europiane, prishja e kishës në Dhërmi krahasohet me aktet e kryera nga xhihadistët e ISIS.

Gazeta “Kathimerini” përmend faktin se autoritetet shqiptare kanë ndërmend të kryejnë gërmime në këtë vend për të gjetur eshtrat e Nilo Katalanos, misionarit katolik të shekullit të 17-të, që shërbeu në Shqipëri. Gjithsesi gjithçka mbetet në hipoteza, pasi sipas burimeve nga Bashkia e Himarës, në atë zonë është planifikuar që të ngrihet objekti kishtar, ku të vihen në pah edhe vlerat historike, që lidhen si me varrin e misionarit Nilo Katalano, priftit katolik që hapi shkolla shqipe në Himarë, ashtu edhe ngritjen e objektit që do të shërbejë si kishë ortodokse. Deri në momentin që të “rihidhen” themelet e para, politika shqiptare dhe ajo greke mund të vijojnë të mbesin në kundërshtime të hapura, për aq kohë sa Athina të pretendojë se ortodoksët shqiptarë lidhen patjetër me minoritetin grek.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama