Kush e shkaktoi krizen e refugjateve?

Kush e shkaktoi krizen e refugjateve?

Ndërsa një numër i stërmadh refugjatësh po vjen në Europë, ata që advokuan për ndryshim regjimi në Siri katër vjet më parë duhet të reflektojnë seriozisht për zgjedhjen që bënë. Në vend që të kritikojnë vende si Hungaria dhe Serbia, të cilat nuk kanë pasur rol në nxitjen e luftës civile të Sirisë, SHBA-të dhe Franca duhet të marrin më shumë përgjegjësi në ndihmë të refugjatëve.

Skenat me refugjatë të dëshpëruar që udhëtojnë përmes një pafundësie pengesash, – përfshirë gardhe të ngritura me nxitim me tela me gjemba, roje kufitare gjaknxehta dhe vendës të zemëruar – kanë qenë tmerruese dhe na kanë sjellë ndër mend dekadat më të errëta të Europës. Ato janë një rikujtesë e hidhur se Europa nuk do të jetë kurrë “e tërë, e lirë dhe në paqe” nëse fqinjët e saj në Lindje të Mesme nuk janë të lirë dhe në paqe. Pavarësisht kësaj, dënimi i gjithëpërhapur i vendeve europiane që kanë refuzuar të pranojnë refugjatë nuk është tërësisht i drejtë.

Refugjatët janë pasojë e natyrshme e luftës; me të vërtetë, rrallë ka pasur ndonjë luftë pa civilë që përpiqen të largohen nga kasaphana. Por çfarë i shkakton luftërat? Në disa raste, kërkesat për ndryshim regjimi. Në fund të fundit, regjimet që rrëzohen janë shumë shpesh brutale dhe ka pak gjasa që ata të ikin pa luftuar.

Askund nuk është shfaqur kaq egër kjo gjë se sa në Siri. Presidenti Bashar al-Assad, me bazën e vet të vogël alevite, ka udhëhequr një diktaturë brutale prej vitesh – një të tillë që nuk ka lëshuar asnjë centimetër ndaj atyre që kanë kërkuar reforma demokratike dhe as nuk ka lënë hapësirë në shtet për ata që kanë motivuar nga një konceptim më pak sektar i qeverisjes.

Në fakt, regjimi i Asad është një vijimësi e asaj që krijoi babai dhe paraardhësi i tij, Hafez al-Assad, kur mori postin e presidentit në vitin 1971. Përqasja e Asadit të vjetër qe, në një farë mase, edhe më e dhunshme se ajo e të birit, siç mund të dëshmojë ndonjë i mbijetuar i rrethimit të qytetit të Hamës të vitit 1982, rrethim që synoi të shtypë një kryengritje nga Vëllazëria Myslimane e Sirisë.

Përpjekjet e Hafez al-Assad për të mposhtur rezistencën islamike me autoritarizëm të grushtit të hekurt mbijetuan për shumë dekada. Ideologjia e tij sekulare Bathiste ëndërroi të pakësojë dallimin mes komuniteteve të ndryshme të Sirisë, veçanërisht mes sunive dhe alevite, një versioni i shiizmit.
Por në vitin 2003, kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara rrëzoi një diktator tjetër Bathist, Sadam Huseinin e Irakut, ndasia 1300 vjeçare Suni-Shia – e cila qe në përgjithësi e fshehur, madje edhe në shfryrje prej shumë shekujsh – rifitoi një fuqi të re vdekjeprirëse. Minoranca suni e Irakut, e cila pati dominuar prej kohës qeverinë e Sadamit, humbi pushtetin përballë shumicës shia, e cila me frymën e vet sektare të qeverisjes ushqeu rezistencën e dhunshme ndaj qeverisë qendrore. Që nga shkatërrimi i versionit bathist të Sadamit, të cilën shumë e shohin si një mbulesë të sundimit të minorancës suni në Irak, udhëheqësit shia të Irakut nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe për të zbutur tronditjen – një përqasje që nuk ka kaluar pa u vënë re në pjesën tjetër të rajonit.

Në Lindjen e Mesme, ka gjithmonë shumë faj vërdallë dhe ata që fajësojnë SHBA-të për rigjallërimin e sektarizmit në rajon nuk arrijnë të kuptojnë se ai është vijimësi me natyrë ciklike. Sërish, SHBA-të luajtën një rol madhor në dramën e Sirisë. Në korrik 2011, SHBA-të dhe Franca dërguan ambasadorët e tyre në Hama, vendi i aq shumë gjakderdhjeje dhe armiqësie ndaj qeverisë së Sirisë, në mënyrë që të nxisnin “opozitën” atje – pra atë që në atë kohë qe Vëllazëria Myslimane paqësore – të bashkoheshin kundër regjimit.

Pas asaj vizite – kulmimi i përpjekjeve për të sjellë një ndryshim regjimi në Siri – çdo perspektivë për dialog apo bisedime me Asadin (familja e të cilit, për mirë apo për keq, e pati kontrolluar Sirinë për dekada me rradhë) u shkatërrua. Asnjëri nga ambasadorët nuk pati më ndonjë takim në Damask pas kësaj.

Udhëheqësit e Amerikës dhe Francës i keqinterpretuan retë e luftës që qenë mbledhur mbi Siri pas Pranverës Arabe duke i marrë ato si një shenjë se, më në fund, ky vend qe gati për demokraci. Duke mbështetur opozitën për rrëzimin e qeverisë, mendohej, do të mundësohej transformimi i të gjithë sistemit të vendit si dhe, për më tepër, përqasjes së qeverisjes në këtë vend.

Teoristi prusion i luftës Carl von Clauseëitz e quajti dikur luftën një mjet serioz për qëllime serioze. E njëjta gjë është e vërtetë për një politikë të ndryshimit të regjimit, siç u dëshmua edhe nga gjendja e shkatërruar e Sirisë sot dhe e miliona njerëzve që po kërkojnë strehë në Jordani, Liban, Turqi dhe Europën Perëndimore.

Që të jemi të sigurtë, regjimi i Asad mban pjesën më të madhe të fajot për situatën aktuale të Sirisë. Por, në mungesë të çfarëdolloj procesi politik me kuptim, do të dukej se kërkesat e jashtme për ndryshim regjimi në vitin 2011 – të cilat u ngritën në nivelin e zgjedhjes mes Asadit dhe organizatave terroriste – që të themi më të paktën, nuk qenë menduar mirë e mirë. Nëse peshohej më mirë, ata që mbështesnin ndryshimin e regjimit duhej ta kishin dalluar se Asadi the ortakët e tij jepnin shenja të qarta se çfarë rruge do të ndiqnin nëse do t’i kërkohej të largoheshin.

Ndërsa refugjatët e Sirisë, me qindra dhe mijëra, rrezikojnë çdo gjë për një shans drejt jetës së sigurtë, ata që advokuan për ndryshim regjimi katër vjet më parë duhet të reflektojnë seriozisht për zgjedhjen që bënë. Në vend që t’i bashkohen korit të kritikave ndaj vendeve si Hungaria dhe Serbia – të cilat janë përplot me probleme të brendshme dhe nuk kanë pasur ndonjë rol në nxitjen e luftës – ata duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të ndihmuar refugjatët. Dhe ata duhet të fillojnë të nxisin krijimin e strukturave politike gjithëpërfshirëse të tilla që të ndihmojnë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme në Siri.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Who Caused the Refugee Crisis?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama