Shuhet nobelisti gjerman i letrave

Shuhet nobelisti gjerman i letrave

Gunter Gras, mjeshtri gjerman i letrave dhe fituesi i Çmimit Nobel në letërsi, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 87-vjeçare.

Autori i shumë romaneve, eseve, poezive dhe dramave vdiq në orët e para të ditës së hënë në një klinikë në qytetin Luebeck, në veri të Gjermanisë.

Ai kishte lindur në një familje të varfër në Gdansk, sot qytet në Poloni. "Një fëmijëri mes shpirtit të shenjtë dhe Hitlerit", shkruan biografi i Grass-it, Michael Jürgs. Kur ishte 17 vjeç, Grass përjeton tmerrin e Luftës së Dytë Botërore, më 1944-ën si fëmijë ushtar dhe më pas si i rekrutuar në njësitë SS. Por lidhur me këtë fakt rrëfehet dekada më vonë, gjë që shkaktoi një skandal. Fillimisht ai konsiderohej si i mbijetuar i kohës së luftës.

Më 1952-in Republika Federale e Gjermanisë është e re, edhe Grass është i ri. Ai merret me art, studion skulpturë, luan në një formacion Jazz-i, udhëton dhe më në fund më 1956 shkon për një farë kohe në Paris. Ai bën një jetë jo me ndonjë shkëlqim, por disi modeste bashkë me gruan e tij të parë, por ky është fillimi i një karriere të madhe si shkrimtar.

Grass projekton këtu romanin e tij të parë "Daullja prej teneqeje", që u botua më 1959 dhe që shkaktoi indinjatë tek mikroborgjezia gjermane në ato vite, por që më pas qe një sukses botëror i përkthyer në shumë gjuhë dhe i vënë disa herë në skenë. Pikërisht katër dekada më pas krijuesi i kësaj vepre, nderohet me Çmimin Nobel në letërsi.

Në vitin 1990 ai ka qenë një ndër kundërshtarët më të zëshëm të asaj kohe për ribashkimin e Gjermanisë.

Krijimtaria letrare

Gunter Grass ka shkruar drama, poezi e kryesisht romane. Lista e veprave të tij është shumë e gjatë. Ndër veprat e tij më të njohura janë: "Vite qeni", "Anestezi lokale", "Shojëza", "Miushja", "Ogurzinjtë" e shumë të tjera. Në to gjithmonë trajtohen raportet e kthesat politike e shoqërore në Gjermani: si p.sh. roli i intelektualëve në kryengritjen e RDGJ-së më 1953, revolta studentore e vitit 1968, luftërat elektorale për zgjedhjet e parlamentare, çështjet e së ardhmes, politika Lindje-Perëndim, mbytja e anijes me refugjatë në Detin Baltik më 1945. Pajtimi me Poloninë ishte një çështje që shkrimtari e kishte veçanrisht për zemër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama