Ja si do te restaurohen 9 kishat e bregdetit

Ja si do te restaurohen 9 kishat e bregdetit

Me projektin “Trashëgimia – Motor zhvillimi” prezantuar pak ditë më parë në Vuno, Ministria e Kulturës ka gati edhe projektet e restaurimit për 9 kishat më të rëndësishme të bregut. Ja si do të restaurohen dhe rehabilitohen objektet e kultit nga Dhërmiu në Sarandë!

Janë nëntë kisha që shtrihen përgjatë gjithë bregdetit Jon me nevojën e ngutshme për restaurim. Kisha e Shën Stefanit, Kisha e Ipapandisë, Kisha Shën Mëria e Pananisë në Dhërmi, Kisha e Sotirës, Kisha e Shën Nikollës, Kisha e Shën Mëhillit, Kisha e Shën Mërisë Mesodhi në Vuno,

Kisha e Marmiroit në Orikum dhe Kisha e Mesopotamit në Sarandë janë objektet e kultit të përfshira në projektin “Rrugëtimi i Besimit”, të prezantuara me projektin “Trashëgimia – Motor zhvillimi” pak ditë më parë në Vuno, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Gjatë këtij aktiviteti, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës prezantuan në Kishën e saporestauruar të Shën Spiridhonit në Vuno, programin e rijetëzimit të Vunoit dhe Dhërmiut të vjetër në funksion të turizmit. Pas vendosjes nën mbrojtjen e shtetit të këtyre dy fshatrave si zona të mbrojtura, përmes këtij programi do ndërhyhet në mënyrë kapilare, qelizë më qelizë, në të gjitha rrugicat, muret, dritaret, çatitë, për t’i rikthyer këtyre dy perlave të Jonit, por edhe të gjithë bregut të Shqipërisë, rrezatimin e humbur në kaq shumë vite braktisjeje nga ana e shtetit. Ky operacion do t’i japë të gjithë kësaj zone turistike, një forcë të re për t’u zhvilluar dhe do t’i kthejë këto mjedise të trashëgimisë historike dhe kulturore në një motor zhvillimi të mëtejshëm për gjithë zonën. Në këtë zonë janë 110 monumente kulture, shumë prej të cilave gjenden pikërisht në Vuno, Dhërmi dhe Himarë. Objektivi kryesor i programit është restaurimi dhe rikualifikimi urban i territorit të fshatrave të bregut nëpërmjet konservimit. Për këtë, vlera të trashëgimisë kulturore në fshatrat Dhërmi, Vuno dhe Himarë janë shpallur Qendër Historike dhe zonë e mbrojtur, në mënyrë që nëpërmjet konservimit, restaurimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe i zonave të trashëgimisë kulturore të rijetëzohet sjellja dhe vlerat tradicionale të komunitetit, të rritet turizmi dhe si rrjedhojë zhvillimi ekonomik i zonës. Pas restaurimit pritet që të evidentohen zgjidhje dhe skema të reja të menaxhimit. Për vlerat e rëndësishme historiko-kulturore, Kalaja dhe fshati i vjetër i Himarës, fshati Dhërmi dhe Vuno janë vënë në mbrojtje shtetërore, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 28, 29, 30 datë 20.1.2016. Instituti i Monumenteve të Kulturës po përgatit procedurën edhe për fshatin Qeparo. Sipas Ministrisë së Kulturës, turizmi kulturor përbën rreth 40% të turizmit në vend.

Në projektin “Rrugëtimi përmes besimit” Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës kanë evidentuar problematikat në nëntë kishat e itinerarit të bregut dhe kanë përcaktuar gjithashtu edhe ndërhyrjet konservuese e restauruese për të rehabilituar këto objekte kulti.

    Kisha e Shën Stefanit në Dhërmi

Paraqet në gjendjen e sotme një kapelë të periudhës së pas pushtimit turk në muret e së cilës janë përfshirë edhe pjesë muresh më të vjetra. Studimi i tyre dhe shtrirja planimetrike flasin qartë se ndërtimi i vjetër ka qenë një bazilikë trenefëshe. Kapela e re është ndërtuar duke përdorur pjesë të absidës së vjetër dhe është në brendësi të nefit qendror. Si ndërtimi planimetrik, ashtu edhe teknika e ndërtimit të mureve të shtyjnë të mendosh për një datim të hershëm të kishës. Nisur nga mënyra e ndërtimit të mureve që takohet edhe në Himarë, mendohet se kjo kishë është ndërtuar gjatë shekujve XI-XII. Sipas ekspertëve, problematikat e hasura në këtë monument janë kalbëzim, brejtje, deformime të elementeve përbërëse të çatisë, prezencë vegjetacioni në muraturë, çati dhe ambientin përreth, degradim i llaçit të fugave në fasadë, si edhe mungesë e ndriçimit artificial. Ndërhyrjet restauruese në këtë kishë përfshijnë restaurimin e çatisë, lyerjen e elementeve drusore me vaj lini, pastrimin nga vegjetacioni, pastrim dhe fugatim i muraturës, si edhe realizimi i rrjetit elektrik në ambientet e brendshme dhe të jashtme.

    Kisha e Ipapandisë – Dhërmi, Himarë

Bazuar në tiparet tipologjike, kisha e Ipapandisë është renditur në grupin e kishave bregdetare, me përmasa mesatare dhe planimetri të zgjatur drejtkëndore. Elementi më dallues i arkitekturës së monumentit është fasada perëndimore, e cila ka tendencë vertikaliteti dhe kulmon me kambanoren dyshe. Kjo veçori është e njëjta me manastirin e Shën Mërisë që ngrihet në majën shkëmbore të fshatit, duke sugjeruar për një raport varësie midis dy ndërtesave, i cili reflektohet edhe në përmbajtjen e mbishkrimit të themeluesit, që lidhet me shtresën e parë të pikturimit.

Kështu informohemi se kisha është ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1751, kohë kur manastiri drejtohej nga murgu Ilia Leka nga Drimadha. Disa dhjetëvjeçarë më vonë, në shekullin XIX, piktura e vjetër e kishës mbulohet nga një shtresë e re afreskesh, prej së cilës nuk është ruajtur mbishkrimi i themeluesit. Ky monument paraqet dëmtime të suvasë në fasadë, si shkëputje suvaje dhe prezencë mikrobiologjike, dëmtimi i kornizës në kambanore, dëmtim i mbulesës së çatisë, si thyerje dhe mungesë tjegullash, çarje e muraturës, dëmtimi i dyerve dhe dritareve dhe lagështi në brezin e poshtëm të muraturës. Në këtë kishë do të ndërhyhet në restaurimin e

e kornizës në kambanore, pastrim i fasadës nga algat dhe likenet, restaurimi dhe konsolidimi i suvasë, restaurimi i mbulesës së çatisë dhe restaurimi i dyerve e dritareve. Gjithashtu, problematikë shfaqin edhe pikturat murale të kësaj kishe, si humbje e kohezionit të dy shtresave të pikturës me njëra-tjetrën, dëmtim, shkëputje e shtresës së arriccios nga muri, çarje e shtresës së suvasë, prania e lakunave mbi sipërfaqen e pikturës së vjetër, dëmtim dhe rënie e peliculit, depozitim i blozës mbi shtresën e pikturës, rrjedhje qirinjsh, depozitim i kripërave të kalciumit në sipërfaqen e pikturës, mbulimi i pikturës nga shtresa e pluhurit, si dhe mbulimi i pikturës murale me një shtresë gëlqereje. Ndërhyrjet restauruese përfshijnë konsolidimin e arriccios me murin si edhe e intonacos me arriccion, mbushje të xhepave, pllombime, borduime, konsolidim i peliculit, heqje e shtresës së blozës dhe mbetjeve vajore të qirinjve, si edhe pastrimi i sipërfaqes së afreskut nga pluhurat.

    Kisha Shën Mëria e Panaisë – Dhërmi

Arkitektura e kishës është një kombinim interesant i një kapele të shekullit XII-XII. Kisha është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë mbi tambur. Manastiri ka disa faza ndërtimi dhe transformimi, të cilat janë të lidhua ngushtë me transformimet ekonomike, të ndodhura në atë kohë, në atë zonë. Gjendja e sotme arkitekturore e manastirit është një adaptim i kapelës së shekullit XII me rindërtime të mëvonshme, të shekullit XVIII. Manastiri transformohet në shekullin XVIII, duke u kthyer kapela në bemë, me naos dhe me narteks. Në këtë kishë vihet re prezencë vegjetacioni në muraturë, çati dhe ambientin përreth, degradimi i llaçit të fugave në fasadë, prezencë suvaje me llaç çimento, çarje në muraturë, dëmtim i mbulesës së çatisë dhe i dyerve e dritareve, si edhe prani bordurash prej betoni. Si pjesë e ndërhyrjeve konservuese- restauruese janë parashikuar prishje e shtresës së suvasë me llaç çimento, qepje e të çarave në muraturë, pastrim i fasadës, fugave të degraduara dhe ato me llaç çimento, realizmi i fugave me llaç gëlqereje dhe restaurimi i mbulesës së kishës, heqja e bordurave prej betoni dhe restaurimi i dyerve dhe dritareve, risistemimi i ndriçimit dhe pastrimi nga vegjetacioni. Problematikë shfaq edhe piktura murale, e cila është punuar me teknikën e afreskut në tri faza pikture të shekullit XII-XIII, XVI, XVIII. Piktura shfaq dëmtim në shkëputjen e shtresës së arriccios nga muri, çarje e shtresës së suvasë, shkëputje e intonakos nga ariccio, dëmtim dhe rënie e peliculit, degradim i bordurimeve dhe pllombimeve të realizuara më parë, depozitim i blozës mbi shtresën e pikturës, rrjedhje qirinjsh, depozitim i kripërave të kalciumit, në sipërfaqen e pikturës, mbulim i pikturës nga shtresa e pluhurit, mbulimi i pikturës murale nga karbonati i kalciumit, Mbivendosja e suvave të degraduara mbi shtresën e pikturës. Ndërhyrjet në këtë objekt përfshijnë konsolidimin e ariccios me murin, të intonaccos me ariccion, mbushje të xhepave, heqje të bordurimeve të vjetra të degraduar dhe kryerja  e bordurimeve të reja, qepja e çarjeve të suvasë së pikturuar, konsolidimi i peliculit, heqja e shtresës së blozës dhe mbetjeve vajore të qirinjve, parafinë, pastrimi i sipërfaqes së afreskut nga pluhurat, të sipërfaqes nga kripërat dhe të pikturës nga gëlqerja.

    Kisha e Shën Sotirës, Vuno

Një kishë e vogël njënefëshe me çati dyujëse. Piktura murale që dekoron kishën shihet tek absida e vogël si edhe nikja në faqen lindore të bemës. Kisha e Shën Sotirës, në Vuno është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, më 1979-n. Problematikat kryesore të monumentit janë degradimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, mungesa e shtresës së petavrave dhe hidroizolimi në çati, degradimi i derës, mungesa e shtresës së pllakave të gurit në dysheme, degradimi i murit mbajtës në anën lindore.

Ndërhyrjet përfshijnë zëvendësimin e elementeve që janë jashtë kushteve teknike në konstruksionin e çatisë, restaurimin e çatisë, dezinfektimin e elementeve të drurit me antimol dhe lyerje me vaj lini, vendosje e petavrave dhe hidroizolomit në çati, mbulimi i çatisë me tjegulla vendi, shtrim me pllaka guri i dyshemesë, vendosje dere e re druri, konsolidimi i murit mbajtës në anën lindore, sistemimi dhe pastrimi i territorit.

    Kisha e Shën Nikollës – Vuno

Kjo kishë i përket tipit të kishës me një nef. Ajo ka një absidë të rrumbullakët dhe një korteks guri të dekoruar me afreske, të cilat mund të jenë të vitit 1783.

Problematika e monumentit paraqet mungesë të çatisë, dëmtime të gjithë kreut të muraturës,

humbje e vertikalitetit të murit anësor, shkëputje nga ikonostasi, çarje të thella në strukturë, mungesë e dyerve e dritareve dhe dëmtimet ë shpatullave dhe pragjeve të tyre. Restaurimet përfshijnë konsolidimin e muraturës së kishës, kthimi në vertikalitet i murit nga ana jugore, përforcimi i themelit, vendosja e tirantave tërthore, eliminimi i çarjeve në të katër anët e objektit, mbulimi me çati të re, furnizim vendosje të dyerve e dritareve, restaurim i dyshemesë me pllaka guri dhe sistemim i territorit të jashtëm.

Problematikë paraqet edhe piktura murale, si shkëputje e shtresës së arriccions nga muri, çarje dhe plasaritje të suvasë së pikturuar, dëmtim i intonacos dhe peliculit, mbulim i shtresës së pikturës nga bloza, prania e vegjetacionit mbi pikturën murale, dëmtimet mekanike.

Ndërhyrjet restauruese përfshijnë konsolidimin e arriccios me murin, të intonacos me arriccion, mbushja e xhepave, pllombime, kryerja e bodrumeve, qepja e çarjeve, konsolidimi i peliculit, heqja e shtresës së blozës dhe mbetjeve vajore të qirinjve, pastrimi i sipërfaqes së afreskut nga pluhurat, heqja e kripërave të kalciumit, pastrimi nga depozitimet organike të paqëndrueshme, pastrimi i sipërfaqes së pikturës nga gëlqerja.

    Kisha e Shën Mëhillit, Vuno

Kisha është pikturuar në të njëjtin vit me kishën e Shën Mari Mesodhisë, në vitin 1783. Duke u nisur nga ky fakt dhe gjithashtu nga ngjashmëria e madhe e këtyre dy kishave në formë dhe përmasa, mendohet se kisha është ndërtuar nga i njëjti person në të njëjtën periudhë, në 1783. Është një kishë njënefëshe me planimetri drejtkëndëshe të zgjatur, me përmasa të brendshme 11.20×3.80 m. Mbulohet me çati druri pa tavan. Ambienti i altarit ndahet me një ikonostas prej muri guri, me tri hyrje. Në anën lindore del absida rrethore. Interieri ndriçohet nga dy dritare të hapura në murin verior dhe jugor. Hyrja është në anën veriore. Monumenti paraqet probleme në fasadën veriore ku mungon lidhësi në muratorë, çarje dhe krisje në ikonostas dhe në pjesën e altarit, degradim i konstruksionit të çatisë në masë gati 40 % nga lagështia si pasojë e mungesës së hidrolizimit të çatisë, dëmtim i shtresës së dyshemesë, degradim i suvasë në fasada, degradim i derës dhe dritareve, si dhe dritare të tamponuara, të mbyllura ndër vite.

Ndërhyrjet restauruese do të jenë në konsolidim të muraturës së kishës, qepje e çarjeve dhe krisjeve të ikonostasit dhe nikieve, restaurim çatie në të gjitha elementet përbërëse të saj, pastrim, nivelim, plotësim i shtresës së dyshemesë me pllaka, rrasa guri. Meremetim i derës dhe dritareve, hapje të dritareve të tamponuara.

    Kisha e Shën Mërisë, Mesodhi, Vuno

Një kishë e thjeshtë njënefëshe, me planimetri në formë drejtkëndëshi të zgjatur, me përmasa të brendshme 11.20×3.80. Mbulohet me çati dyujëse pa tavan. Hyrjen e ka në anën perëndimore dhe është e vetmja hapësirë prej nga mund të ndriçohet kisha sepse mungojnë krejtësisht dritaret. Mbi frontonin e murit perëndimor ngrihej një kambanarë e vogël, nga e cila kanë mbetur vetëm këmbët. Kisha është pikturuar në vitin 1783. Në këtë kishë vihet re degradimi i çatisë,

dëmtim i shtresës së suvasë, degradimi i suvasë në fasada dhe derës, i llaçit të fugave në fasadë, prezencë vegjetacioni në muraturë, çati dhe ambientim përreth. Në këtë objekt do të restaurohet çatia në të gjitha elementet përbërëse të saj, pastrim, nivelim, plotësim i shtresës së dyshemesë me pllaka e rrasa guri, meremetim i suvatimit të jashtëm me llaç gëlqereje, restaurim i derës së kishës, pastrim i fasadës, fugave të degraduara dhe ato me llaç çimento, realizimi i fugave me llaç gëlqere, pastrim nga vegjetacioni, sistemi i trotuarit perimetral me kalldrëm guri.

    Kisha e Manastirit të Shën Kollit, Mesopotam, Sarandë

Një manastir i fortifikuar, i vendosur në anën jugore të një kodre të ulët dhe të gjatë që shtrihet nga veriu në jug, në mes të dy shtretërve të lumit Bistricë. Për herë të parë përmendet në shekullin XI. Kisha e Shën Kollit paraqet një zgjidhje unikale për arkitekturën bizantine. Ajo përbëhet nga një vëllim i vetëm, ku lidhen lirshëm naosi i mbuluar me katër kupola e një kolonë në mes dhe mjedisi i altarit me dy absida. Muret e kishës përbëhen, në anën e jashtme me tre breza të dallueshëm qartë nga njëri-tjetri. Brezi i poshtëm është i ndërtuar prej gurësh të mëdhenj gëlqerorë, të skuadruar pastër vetëm në faqen e jashtme. Brezi i sipërm paraqitet me teknikën e klasuonazhit, me tulla të holla. Në murin verior dhe atë jugor korniza është horizontal, ndërsa në atë lindor dhe perëndimor ndjek frontonet e çative dyujëse. Brezi i ndërmjetëm, pa ndonjë rregullsi në dukje është i ndërtuar me tulla e me gur smërçi, që përbëjnë thembrën e qemerit të mbulesës së dikurshme të qemerit të portikut. Muri juglindor ndryshe nga të tjerët është rindërtuar pas rrëzimit të mjedisit të vjetër të altarit në vitin 1793. Një tjetër rindërtim është ai i vitit 1845, në pjesën që i takon naosit, në një pjesë të murit verior. Në vitin 1793 është ndërtuar pilastri në qendër, pilastra në arkadë, pilastrat përforcuese në murin jugor, harqet mbajtës mbi to dhe tërësisht mjedisi i altarit. Në këtë kishë është vënë re degradimi i tirantave prej druri,

çarje dhe krisje në muraturë, degradim i suvasë si pasojë e lagështisë, dëmtim i shtresës së dyshemesë, prezencë lagështie në ambientin e brendshëm të kishës si prezencë vegjetacioni në muraturë fasadë dhe çati. Ndërhyrjet përfshijnë restaurim të tirantave prej druri, përforcim i strukturës dhe konsolidim i muraturës qepje e çarjeve dhe krisjeve në muraturë, rikthim i elementeve konstruktive dhe monumentale në gjendjen e mëparshme, restaurim i plotë i mbulesës, çatisë, kupolave, ndihmesa e konstruksionit me strukturë ndihmëse me tiranta dhe elemente inoksi, restaurimi i fasadave, rindërtim kontraforti në fasadën jugore.

    Kisha e Shën Mërisë – Marmiro, Orikum

Kjo kishë i është blatuar figurës së Shën Mërisë Burim i Jetës, por në kujtesën popullore është trashëguar me emrin e Marmiroit, që del në burimet historike në vitin 1307 dhe lidhet me guroren e mermerit aty pranë. Kisha gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë I, shpallur në vitin 1963. Problematika vihet re në dëmtimin antropik, lyerja me gëlqere e ambientit të brendshëm të afreskuar pjesërisht dhe i fasadave prej guri, veshje me pllaka qeramike e majolike të një pjese të faqes së murit lindor, shkallë, shtresë betoni mbi pragun e gurit, shtrim i dyshemesë me pllaka qeramike, duke mbuluar dhe zëvendësuar dyshemenë ekzistuese me pllaka guri, tamponim i dritares së absidës me mur, dëmtim i mbulesës së çatisë, dëmtim i muraturës si edhe prishje e tryezës së altarit, dëmtim i derës si edhe prani të vegjetacionit në muraturë, çati dhe ambientin përreth. Restaurimet do të bëhen në mbulesën e çatisë, dritares së absidës, pastrim të muraturës në ambientin e brendshëm me afresk të pjesshëm, restaurim të tryezës së altarit, derës së kishës, vegjetacionit dhe rehabilitim të ambientit përreth. Edhe piktura murale është e dëmtuar në shtresën e arriccios nga muri dhe çarje e shtresës së suvasë dëmtim i intonacos, rënie e peliculit, depozitim blozesi edhe e kriprave të kalciumit, dëmtime mekanike në trajtën e vijave të theksuara apo pikëzimeve të cilat kanë dëmtuar sipërfaqen e afreskuar si edhe gjurmë të aktivitetit biologjik, ndotja e sipërfaqes së pikturës nga mikroorganizmat dhe zogjtë, si edhe mbulimi i pikturës nga shtresa e pluhurit. Do të pastrohet sipërfaqja e pikturës murale nga pluhuri, konsolidim i arriccios me murin dhe i intonacos me arriccion, mbushja e xhepave, pllombime, bordurime, qepja e çarjeve si edhe konsolidim i peliculit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama