Kreditorët
Për qeverinë shqiptare, vazhdon të mbetet i hapur procesi i likuidimit për kreditorët që kanë humbur paratë e tyre në shoqërinë huamarrëse VEFA, pronë e ish-bosit Vehbi Alimuça. Janë gati 16 mijë persona që kanë humbur paratë, vlera e të cilës nuk bëhet ende e ditur, por që së shpejti do të mund të marrin një pjesë të saj. Në këtë pikë, mësohet se koeficienti i kthimit të shumës nuk do të jetë më shumë se 10 për qind, megjithatë, përcaktimi i kësaj norme varet nga vlera totale që do të krijohet nga ankandi. Aktualisht po përgatiten të gjitha dokumentet e nevojshme dhe pritet që së shpejti të bëhet publike oferta në ankand. Janë 20 prona, që më parë i përkisnin Alimuçës, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin me 20 vjet heqje lirie.
Pronat
Në listën e gjatë prej 20 objektesh bie në sy vila e ish-bosit, Alimuça, e cila ndodhet në një nga zonat më të preferuara në Tiranë. Më tej, duket se një pjesë e aseteve të VEFA-s janë të përqendruara në pjesën jugore të Shqipërisë, kryesisht në Skrapar, si: truall në fshatin Qafë, ndërtesë tek ish-fabrika e lëkurëve apo hotel "Gjerbes". Duke iu rikthyer pronave pranë Tiranës, administratorët e fajdeve kanë gati në shitje truall në pularinë e Paskuqanit, si dhe një ndërtesë dykatëshe në Yzberisht.
Shitja e aseteve, 200 milionë lekë
Shuma që pritet të krijohet nga shitja e 20 objekteve, ish-pronë e kompanisë VEFA, parashikohet të arrijë në rreth 200 milionë lekë ose afro 2,2 milionë dollarë. Vlerësimi paraprak është bërë nga ekspertët e Grupit Mbikëqyrës të Shoqërive Humarrëse, duke iu referuar 20 objekteve që janë të shtrira në pjesë të ndryshme të Shqipërisë.
Lista e pronave të VEFA-s
Objekti Vendndodhja
- Frigoriferi Rrëshen
- Pularia Aliqe Delvinë
- Reparti i Uzinës Mekanike Bujqësore Korçë
- Vila e Vehbi Alimuçës Tiranë
- Trualli i fabrikës së Salcës Fier
- Trual në Pularinë, Paskuqan Tiranë
- Trual në Guz Baba Vlorë
- Lokal Memaliaj
- Ndërtesë dykatëshe Tiranë
- Truall në fshatin Qafë Skrapar
- Ndërtesë, ish-fabrika e Lëkurëve Skrapar
- Ish-hotel "Gjerbes" Skrapar
- Depo drithi Skrapar
- Baxho në fshatin Dobrushë Skrapar
- Magazinë e prodhimit të sallami Përmet
- Magazinë mallrash Përmet
- Tokë bujqësore Pukë
- Lokal në fshatin Vabli Mat
- Baxho në fshatin Pobrat Berat
- Objekt në fshatin Zavalinë Elbasan
Gazeta: Shqip











