Kjo, pasi Policia e Shtetit nuk ka pse të informojë SHKB-në për arrestet që ajo do të bëjë, por kur të vihet në zbatim ky vendim dhe Prokuroria të hapë hetimet. Por drejtori i SHKB-së, i pranishëm në Komisionin e Sigurisë, e ka kundërshtuar propozimin e opozitës duke theksuar se SHKB-ja duhet të jetë në dijeni të arrestimeve që u bëhen punonjësve të policisë. Ajo i jep të drejtë policisë të hetojë aktivitetin e një punonjësi policie, për të cilin dyshohet se shkel ligjin, por para kryerjes së ekzekutimit të vendimit për arrest policia duhet të informojë SHKB-në. Opozita ka kërkuar të ndryshojë pika e nenit gjashtë, por mazhoranca e nuk ka pranuar, duke miratuar variantin e qeverisë. Këtu ka lindur edhe një debat mes deputetit të PD-së, Fatos Hoxha dhe deputetëve të opozitës Koçi, Lutaj dhe Çipa. Sipas Hoxhës, deri më tani opozita nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka deklaruar se çdo nismë e marrë nga mazhoranca qenka e gabuar. "Kush jeni ju që dilni në këto konkluzione", është shprehur deputeti i PD-së. Ndërkohë, reagimi i deputetëve të opozitës ka qenë i menjëhershëm. Sipas tyre, ata po japin mendimin në emër të forcës politikë që përfaqësojnë dhe i gjithë projektligji që PD-ja ka paraqitur, tha deputeti Lutaj, është gabim, pasi ministri po kërkon të marrë nën kontroll gjithçka. Ndërkohë që Koçi i ka kujtuar deputetit Hoxha se edhe mënyra se si po reagon është gabim.
Por batuta e Fatos Hoxhës ndaj deputetit Petro Koçi ka qenë e menjëhershme: "Koçi ka gabim gjithë rrugën që po ndjek, se nuk e di nga cila parti të shkojë". Duke marrë kohën më të madhe me deklarata mes vetes, deputetët nuk kanë arritur të shkojnë deri në nenet e fundit të projektligjit, duke e shtyrë mbledhjen dhe diskutimin e neneve të tjera. Ky projektligj ka disa ditë që qëndron në komisionet parlamentare, por mungesa e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës ka bërë që ai të zvarritet dhe të mos kalojë për miratim në Kuvend. Me këtë projektligj SHKB-ja kërkon të kontrollojë Policinë e Shtetit, e cila nuk varet më drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm.
PS: Jemi kundër projektligjit për SHKB-në
"Do të shkaktohen përplasje midis institucioneve ku fiton qeveria"
Socialistët akuzuan publikisht shumicën qeverisëse se po prodhon projektligje antireformë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë PS-së, Ylli Manjani, tha se "projektligji për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB) është mjeti i radhës që kjo qeveri po tenton të përdorë për të kontrolluar policinë, SHISH, prokurorinë, si dhe çdo institucion apo individ që nuk pajtohet me Kryeministrin e vendit", vijoi ai. Manjani konstatoi se me këtë projektligj qeveria synon të ndërtojë një super ministri të brendshme, e cila ka në dorë Policinë e Shtetit, policinë gjyqësore, madje edhe prokurorinë dhe SHISH-in. Sipas tij, ekzekutivi propozon ndërtimin e një strukture mbikëqyrëse të Policisë së Shtetit, dhe paralele me prokurorinë dhe me SHISH. "Kompetencat e papërcaktuara qartësisht për SHKB do të shkaktojnë përplasje ndërmjet këtyre institucioneve, nga ku fiton gjithmonë pushteti më i fortë, pra ai i qeverisë", theksoi Manjani, duke këmbëngulur se kjo është një tjetër tentativë e qeverisë për të vënë nën kontroll institucionet e autoritetet ligjore të pavarura nga qeveria.
Socialistët mendojnë se institucionet e sigurisë kanë nevojë për reforma të plota dhe serioze që t‘i përgjigjen në mënyrë profesionale dhe efektive nevojës së shqiptarëve për rend e siguri. "Mirëpo kjo qeveri antireformë e ky Kryeministër i paaftë vazhdojnë të dëmtojnë institucionet me nisma ligjvënëse, si ky projektligj, i cili nuk shton asnjë kontribut në sigurinë e shqiptarëve, por thjesht shton përplasjet e institucioneve", theksoi Manjani. Kjo, shtoi ai, është përgjigjja që kjo qeveri dhe ky Kryeministër u kthejnë shqiptarëve sot dhe nevojës së tyre për siguri. Selia rozë insiston se nuk mund ta pranojë këtë projektligj që cenon pavarësinë e organeve të hetimit dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit. "Ne nuk mund të miratojmë një projektligj të tillë, që krijon mundësi për ndërhyrje jo ligjore e jo demokratike të qeverisë në jetën private të qytetarëve e as në kompetencat e institucioneve të pavarura të shtetit", sqaroi Manjani. Opozita kundërshton këtë frymë dhe veprim antireformë e antishtet që kjo qeveri dhe ky Kryeministër, që ka rrëshqitur në drejtim të paditur, vazhdon t‘ua servirë shqiptarëve si arritje të mëdha. "Shqetësimi ynë ka qenë dhe mbetet ndërtimi i institucioneve që garantojnë rend e siguri për shqiptarët", vlerësoi Manjani.
Gazeta: Shqip











