A është e vërtetë që Kosta Trebicka ka qëndruar në hotelin tuaj, këtu në Maliq, para se të shkonte në Voskopojë?
Po. Ekzaktësisht nuk e mbaj mend sa ishte ora kur erdhi, por mund të them se sa kishte rënë mbrëmja dhe po errësohej. Kur Kosta hyri nëhotel, po merresha me punët në guzhinë dhe i lashë menjëherë, pasi Kostën e njihja prej vitesh.U bënë rreth katër vjet që ai vjen shpesh në këto anë për gjah, po më bëri përshtypje se këtë herë ishte vetëm. Po kështu, me të nuk ishin as miqtë e tij që unë e di mirë që i ka nga kjo zonë. Atë natë, Kosta ishte vetëm dhe mbaj mend që edhe e kam pyeturpër këtë fakt, që më bëri përshtypje.
Çfarë biseduat konkretisht?
E pyeta nëse ishte rikthyer për të dalë për gjah. Me vete kishte vetëm Xhinën, zagarin e tij, por nga veshja nuk dukej se ishte nisur për gjah. Mbaj mend se kishte veshur pantallona të bardha dhe triko, megjithatë ngaqë pashë zagarin, e pyeta nëse kishte dalë në këto anë për gjah. Më tha se jo, por qenin e kishte marrë vetëm për shoqëri. Nga ajo bisedë që bëmë për rreth 20 minuta, nuk besoj se ka ndenjur më shumë në hotelin tim, tha se do të nisej drejt Leskovikut.Aty e prisin disa miq për punë. Madje e saktësoi, kur unë e puna nëse kishte dalë për gjah, duke thënë se ishte këtej vetëm për punë.
Ju thatë se ka ndenjur rreth 20 minuta. A vutë re ndonjë shqetësim tek ai?
Jo. Ishte si gjithmonë, madje kemi bërë edhe shaka për punë të ariut, sepse në zonën tonë ka shumë arinj dhe Kosta i kishte tmerrësisht frikë. Asgjë të veçantë nuk kam vënë re veç faktit që ai ishte vetëm. Gjithmonë këtu ai vinte o me shokët e tij, ose me rojen e shtëpisë, Gencin. Gjatë kësaj kohe që Kosta ka hyrë dhe ka fjetur në hotelin tim, nuk ka ndodhur kurrë që ai të ishte vetëm.
Bisedë tjetër a bëri në hotelin tuaj?
Kur tha se do të shkonte në Leskovik për punë, për të parë për disa gurë dekorativë për një tregti të mundshme me Greqinë, hyri në muhabet me një inxhinier që fle në hotelin tim. Biseda e tyre ishte thjeshtë për cilësinë e gurit në këto anë. Pastaj tha se po ikte. Ka pirë vetëm një gotë ujë të freskët dhe u nis për rrugë. Më tha se nuk donte asgjë tjetër, veç ujë për të dhe zagarin. Duke qenë se ishte errësuar, unë i thashë të qëndronte në hotel, por nuk pranoi. Tha se ishte për rrugë dhe do të bënte mirë që të nisej.
Kur e mësuat vdekjen e Trebickës?
Nga lajmet dhe ende e kam të pabesueshme çfarë ka ndodhur. Së pari, për mua është shumë i dyshimtë vendi ku thuhet se ka ndodhur ngjarja. Unë dija që Kosta ishte nisur drejt Leskovikut, të paktën këtë më tha atë natë dhe ngjarja ndodh në Voskopojë. U tha se ishte për gjah dhe unë vetë e pyeta një natë më pare, por ai e mohoikëtë fakt. Ishte në këto anë për punë dhe më tha se në Leskovik e prisnin miqtë e tij.
A e dinit ju se kush ishin miqtë e tij?
Ata për të cilët tha se do të takonte, jo. Unë njoh vetëm miqtë e tij që ka në Maliq dhe më bëri përshtypje se për herë të pare, nuk ishte në shoqërinë e tyre. Përgjatë kësaj kohe që unë e njoh, nuk e kam parë asnjëherë Kostën vetëm, ndaj dhe kam shumë dyshim mbi atë çfarë ka ndodhur. Nuk di c’të them më tepër. Kjo është e gjitha e vërteta që unë di.
Këtë dëshni a e keni bërë në polici?
Po. Dy ditë më parë. Më thirrën dhe shkova në Korçë me vullnetin tim, sepse jo vetëm se e njihja Kostën, por për çdo njeri që do të kishte një vdekje të tillë, e ndieja për detyrë të dëshmoja aq sa unë di. Dhe nga ajo sa tha vetë i ndjeri Kosta,nuk kishte ardhur në këto anë për gjah. Tjetër unë nuk di ç’të them. Këtë thashë në polici dhe këtë ua tregova dhe ju. Është gjithçka që unë di, megjithëse ende është e pabesueshme se si ai njeri ka vdekur.
REAGIMI: Mjeku ligjor: Presim analiza të tjera
KORÇË- Mbledhja në fillim të javës së ardhshme e ekspertëve të Insitutit të Mjekësisë Ligjore pritet të plotësojë ekspertizën mbi vdekjen e Kostra Trebickës. Mjekuendokrinolog, Hasan Laho, i cili ka marrë pjesë në grupin e mjekëve-ligjorë që bënë autopsinë thotë se ka firmosur procesverbalin paraprak. Nga ajo sa i kanë parë sytë, eksperti i Mjeksisë Ligjore thotë se është i bindur që vdekja është shkaktuar nga politrauma, e ngjashme kjo me rastet e vdekjeve aksidentale.
Megjithatë, Laho shton se përfundimi i analizave specifike do të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vdekjes së biznesmenin, e deri në përfundimin e tyre, mjeku endokrinolog nuk preferon të komentojë ngjarjen. Pistat e ndryshme të hetimit duket se ka lënë gjurmë edhe tek mjekët që kanë bërë autopsinë e trupit të Trebickës, ndaj edhe ata vetë presin ekspertizat e tjera, për të rikonfirmuar autopsinë e firmosur prej tyre.
“Më telefonoi për të më thënë se do të shkonim për gjah, dy ditë para vdekjes”
KORÇË- Gjuetarë të vjetër në Maliq, të cilët kanë shoqëruar shumë herë Trebickën për gjah shprehen të habitur mbi atë që ka ndodhur, por më shumë për faktin se ai ishte nisur i vetëm drejt Voskopojës. Zona në të cilën shkohet për gjah në ato anë është fshati Marian. Kosta e njihte mirë këtë fshat, pasi kishim qenë herë të tjera bashkë, ndaj më duket e çuditshme që ai ka vdekur në momentin që po kthehej në Voskopojë. Koha që nga dalja prej hotelit deri në momentin kur është gjetur i vdekur nuk është e mjaftueshme për gjueti”,-thotë një i njohur i Trebickës, i cili e kishte shoqëruar atë disa herë në udhëtimet e gjuetisë.
Sipas tij, vendi ku është gjetur i vdekur nuk njihet prej tyre si zonë ku gjuhet, e madje as Lavdari, ku Trebicka është parë rreth orës 11.30 duke gjuajtur. Udhëtimi i vetëm në këtë zonë është një tjetër pikëpyetje për gjuetarin 60- vjeçar. “Tre ditë para se të ndodhte ngjarja, më ka telefonuar për të më lajmëruar se do të vinte në Korçë. Do të dalim për gjah dhe do të takoj -më tha.Sa herë që vinte këtu, unë e shoqëroja, pasi ishim miq shtëpie, por kur erdhi nuk më mori në telefon dhe pas vitesh të tëra miqësie, kjo ishte hera e parë që nuk më telefononte. Nuke di se me kë do të dilte për gjah, por vetëm jam shumë i sigurt që jo”-rrëfen 60- vjeçari. Ndërkohë, ndryshimi i itinerarit të lëvizjeve është një tjetër dyshim për gjahtartin, sipas të cilit vdekja e Trebickës, vetëm nga aksidenti që nuk është shkaktuar.
Kevin Teter nga Virxhinia, ekpert për rindërtimin e skenave të aksidenteve. Niset sot drejt Korçës. Makina e Trebickës, mbërrin eksperti i parë nga SHBA
TIRANË- Ka mbërritur në Shqipëri eksperti i shumëpritur amerikan, i cili në bashkëpunim me specialistët shqiptarë do të kryejë ekspertizës auto-teknike të makinës së biznesmenit Kosta Trebicka. Ky lajm u konfirmua nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat pohuan me anë të një njoftimi zyrtar se me ardhjen e ekspertit amerikan, Kevin Teter, me detyrë ekspert i aksidenteve automobilistike dhe i rindërtimit të skenave të aksidenteve, do ‘t’i bashkëngjitet ekspertëve shqiptarë për të filluar ekzaminimin e makinës që prej mëngjesit të sotëm. Mësohet se eksperti nga shteti i Virxhinias në SHBA do të nisë menjëherë nga puna, duke analizuar shkaqet e daljes nga rruga të makinës tip “NISSAN” kabriolet me targa TR 8843 J, ku edhe gjeti vdekjen dëshmitari kryesor i aferës së trafikut të fishekëve në drejtim të Afganistanit.
Sipas akuzës, makina e Trebickës tashmë është bllokuar dhe mbahet e izoluar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Korçës, në kushte të rrepta sigurie, nën ruajtjen e forcave policore. “Makina është e mbyllur në një garazh, e dyllosur dhe e kyçur me çelësat që i disponon prokuroria. Asnjë person nuk është i autorizuar të hyjë në vendin ku mbahet e mbyllur makina, deri në ardhjen e ekspertit të SHBA-së”,-thuhet nga prokuroria.
Kjo makinë është bllokuar pas diskutimeve me ekspertët amerikanë, për të sqaruar në mënyrë të specializuar dhe shkencore rrethanat në të cilat ky mjet ka përfunduar në një distancë të largët nga trupi i viktimës, kushtet teknike që ka pasur në momentin e rrëzimit, shpejtësinë dhe trajektoren e përshkruar në bazë të kësaj shpejtësie, të cilat do të krahasohen me provat që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, nga dheu, por edhe nëpërmjet matjeve topografike e fotografive dhe pamjeve filmike që janë kryer në vendin ku u gjet viktima”-thuhet nga burimet zyrtare të prokurorisë.
Makina me të cilën udhëtonte Kosta Trebicka në momentin kur humbi jetën është konsideruar si prova kryesore për të zbardhur këtë vdekje të mistershme. Prokurorët që kanë drejtuar hetimin kanë qenë dakord me zhvendosjen e saj nga fshati Lekas në drejtorinë e Policisë së Korçës, por nuk kanë lejuar asnjë ekspert shqiptar të kryejë eksperimente me të. Me mbërritjen e ekspertit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të sqarohet edhe kjo pikë e errët për grupin hetimor.
Veterinerët dorëzojnë raportin në prokurori: Qeni i gjahut nuk ka asnjë dëmtim
TIRANË- Veterinerët e Korçës kanë dorëzuar pranë Prokurorisë akt-ekspertimin e përfunduar ndaj qenit të gjahut dhe qimeve të gjetura në trupin e biznesmenit Kosta Trebicka, pasditen e datës 12 shtator. Sipas këtij raporti të administruar tashmë në dosjen hetimore, qeni i gjahut që u gjet pak metra larg trupit të Trebickës dhe makinës së dëmtuar nuk kishte pësuar asnjë dëmtim fizik. “Kafsha e gjetur pranë makinës së biznesmenit Kosta Trebicka është ekzaminuar në mënyrë të hollësishme dhe ka rezultuar se nuk kishte pësuar asnjë frakturë në trup, as në gjymtyrë dhe as shenja të brendshme hematomash, plagë këto të cilat i shkaktuan vdekjen pronarit të tij, Kosta Trebicka”,-thuhet në raport.
Sipas burimeve zyrtare të akuzës, qeni u gjet vetëm pak metra larg vendngjarjes, ndërkohë që ndodhej brenda makinës së bashku me Trebickën gjatë udhëtimit. Disa nga hetuesit shfaqin dyshime se ashtu sikurse Trebicka, edhe qeni i tij i gjahut duhet të reflektonte plagë prej përmbysjes së makinës. Ndërkohë, pritet që në ditët në vazhdim të përfundojnë edhe disa nga 14 ekspertizat e caktuara për t’u bërë nga Prokuroria e Korçës, e cila tashmë ka regjistruar procedimin penal të vdekjes së biznesmenit Trebicka.
Nga burimet e akuzës mësohet se ka përfunduar edhe ekspertimi i lëngjeve të stomakut të Kosta Trebikcës, ku ka rezultuar se brenda 6 orëve ai nuk kishte konsumuar ushqim dhe pije të tjera. Ndërsa sot pritet që prokuroria e Tiranës, për llogari të asaj të Korçës të rimarrë në pyetje bashkëshorten e Kosta Trebickës, për të sqaruar disa nga detajet e tjera të dala pas dëshmisë së saj të parë.
Gazeta: Shekulli











