Dyshimet e ekspertit Trebicken e vrane

Dyshimet e ekspertit: Trebickën e vranë

Një element tjetër që shton dyshimet është shpendi i vrarë, që u gjet pranë trupit të viktimës. Është një shapkë fushe, që nuk gjendet në zonën malore të Voskopojës.

Elementi i tretë që rrëzon versionin e aksidentit ka të bëjë me pozicionin e makinës dhe shenjat e lëna prej saj në vendin e ngjarjes, që tregojnë se makina nuk ka ardhur nga rruga, por ka ecur në mënyrë të pakuptimtë përmes fushës me bar, duke e prerë tërthoras rrugën.

Ndërkohë, edhe telefoni personal i Kosta Trebickës, që u bllokua nga policia në vendngjarje, ka zbuluar një detaj të rëndësishëm, që përforcon dyshimet për një vrasje. Në telefon ka disa thirrje të humbura nga ana e gruas së tij dhe këto thirrje janë bërë më shumë se një orë përpara se ai të ndërronte jetë.

Gjurmët e gjakut

Nëse thuhet se Kosta Trebicka ka vdekur, pasi i ka shtypur kokën makina gjatë rrokullisjeve, në një pjesë të makinës duhet të ketë patjetër një gjurmë gjaku, në vendin ku një pjesë e mjetit është përplasur me kokën e viktimës. Pikërisht kjo gjurmë, që është thelbësorja për të ngritur pistën e aksidentit, mungon. Një burim i besueshëm brenda grupit hetimor që po shqyrton rastin e vdekjes së dëshmitarit kyç të dosjes "Gërdeci", tha për gazetën "Shqip" se në makinë nuk ka asnjë gjurmë gjaku. "Nga këqyrja e mjetit rezultoi se nuk ka asnjë gjurmë gjaku, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë", u shpreh hetuesi. Ai tha gjithashtu se gjurmët e gjakut kanë qenë të pakta edhe në vendin ku u gjet kufoma. "Kishte vetëm pak gjak poshtë kokës, çka është anormale po të gjykojmë nga dëmtimi", tha hetuesi.

Makina

Nga vendi i ngjarjes vijnë të tjera detaje, me të cilat mund të ndërtohet një skenë tronditëse: një vrasje me mjete të forta, e ndodhur gjetkë dhe përpjekje për ta bërë të duket si një aksident, në atë fushë me bar në Kulet e Gjergjevicës. Kështu, hetuesit kanë arritur të kuptojnë se makina nuk ka qenë duke lëvizur në rrugë përpara se të rrokullisej, por është lëshuar nga pjesa e ngritur e asaj fushe ku u gjet i vdekur Trebicka. Makina i ka prerë tërthoras rrugën dhe ka përfunduar në pozicionin ku u gjet, rreth 50 metra larg trupit të Kosta Trebickës. Ndërkohë është konfirmuar se në vendngjarje nuk ka shenja të një ndjekjeje me makinë, çka e bën të palogjikshme një lëvizje të tillë të makinës. Përpos këtyre konkluzioneve të hetimit, shtohen disa dëshmi nga ata që gjetën të parët trupin e pajetë dhe që thonë se në xhamat e makinës kishte shenja duarsh, sikur dikush ta kishte shtyrë atë.

Shpendi

Një shpend i vrarë pranë trupit të viktimës krijoi menjëherë përshtypjen e vdekjes së papritur të një njeriu të shkujdesur që kthehej nga gjuetia. Por ekspertët nuk mendojnë se shpendi është element që e anon peshoren nga aksidenti, përkundrazi. Shpendi që u gjet pranë Trebickës është një shapkë fushe, pra një shpend që nuk gjendet në atë zonë malore ku mendohet se kishte dalë për gjueti Trebicka. Eksperti që tregon detajet e reja të hetimit për gazetën "Shqip", thotë se mbetet për t‘u saktësuar nëse shpendi është vrarë me çiften e Kosta Trebickës, apo me ndonjë armë tjetër. Sipas tij, shpendi, sikundër të gjitha provat e tjera materiale, janë bllokuar në pritje të ekspertëve nga Amerika.

Ndërkohë, gjuetarët e zonës shpjegojnë se në zonë nuk gjuhet asnjëherë ditën, por natën dhe se askush nuk del i vetëm për të gjuajtur. Gjithashtu, ata kanë pohuar se nuk e kishin parë kurrë më parë Kosta Trebickën të gjuante në këtë vend.

Telefoni

Celulari i Kosta Trebickës ka dhënë shumë detaje për hetuesit e kësaj ngjarjeje, që pak nga pak po zhvishet nga velloja e misterit, duke zbuluar një të vërtetë të frikshme, atë të ekzekutimit të një dëshmitari të rëndësishëm të drejtësisë.

Në celularin e viktimës janë parë disa thirrje të humbura, që janë bërë nga telefoni i gruas së tij. Gruaja e ka telefonuar Kosta Trebickën të paktën një orë përpara se ai të ndërronte jetë dhe ai nuk është përgjigjur. Këto thirrje të humbura tregojnë gjithashtu se rreth një orë përpara se të vdiste, Trebicka ka qenë disa kilometra larg vendit ku u gjet, pasi në Kulet e Gjergjevicës nuk ka sinjal telefonik.


 

Gazeta: Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama