JONIDA SHEHU E DASHURUAR POR JO GATI PER FEJESE

JONIDA SHEHU E DASHURUAR, POR JO GATI PER FEJESE
Prej 4 vjetësh punoni në “Vizion Plus”. Një besnikëri që e ka një arsye…?

-Arsyet janë të shumta. E para sepse është vendi i parë ku unë provova të dalë në ekran. Provova dhe mu besua një rol shumë i rëndësishëm. Unë nuk mund të tradhëtoj ato njerëz që më besuan mua, duke qenë se nuk kisha ndonjë eksperiencë kushedi çfarë. Arsyeja tjetër është se me ta kam një bashkëpunim të suksesshëm, ambienti është mikpritës, dhe raporti është shumë i frytshëm.

Ju drejtoni lajmet prej shumë vitesh. Shpeshherë në edicionet e lajmeve ka disa gazetare që u kushtohet më shumë rëndësi ndërkohë që ca të tjera lihen në hije. Ikja e Sonila Meços nga Vizioni duket se ju nxori më në pah?

-Në fakt në televizione ndodh shpesh ky fenomen. Televizioni është një vend ku duhet të jesh jo vetëm profesionalist i mirë dhe i zoti, por varet ndonjëherë dhe nga situatat, të cilat nuk i përcakton ti. Krijohen rrethana të çuditshme, momente pikante dhe në momentin që del drita jeshile duhet ta provosh veten dhe të bësh diçka që vlerësohet. Edhe kur ishte Sonila, nuk është se nuk kam pasur pozicion të rëndësishëm. Kemi qenë të dyja bashkëudhëtare në të njëjtën rrugë në mënyrë që informacionin ta kishim në nivele maksimale.

Si i keni pasur raportet mes jush?

-Kemi pasur raporte shumë të mira, raporte kolegesh.

Jeni grindur ndonjëherë?

-Asnjëherë. Nuk kemi patur arsye. Në televizion duhet të dish të bashkëjetosh me të gjithë.

Televizioni nuk është gjithnjë fushë me lule. Ka dhe xhelozi?

-Nuk e përjashtoj xhelozinë në gazetari. Por në rastin konkret nuk ka pasur. Mendoj se xhelozitë lindin atëherë kur një njeri nuk është i aftë për të bërë mirë punën e saj. Në rastin konkret mendoj se ne ishim zonjat e punës.

Ke punuar për njëfarë kohe dhe me Ilva Taren. Po marrëdhëniet me të si kanë qenë?

-Të mira. Nuk ka pasur një konfidencialitet mes meje dhe Ilvës. Ka qenë një marrëdhënie paksa e heshtur. Ajo ishte eprore dhe unë vartësja. Por, nuk harroj që Ilva më ka bërë kjo që jam sot. Ajo më besoi një pozicion të rëndësishëm. Gjithsesi dua të them se nuk i jap rëndësi xhelozive.

Mendoj se gazetaria ka brenda pasionin. Ka një motor që e ushqen gjithë këtë pasion. Me çfarë e ushqeni këtë motor?

-Pa qenë pjesë e këtij realiteti mediatik nuk mund të kuptosh se çfarë magjie të mban lidhur me gazetarinë apo me televizionin. Në momentin që hyn brend tij bëhesh pjesë e një pune dhe një misioni, pa të cilën nuk mund të bësh dot. I ke dhënë vetes shumë përgjegjësi për sa kohë që ke dalë qoftë dhe njëherë të vetme në ekran. E para është ambicja dhe kërkesa ndaj vetes për faktin se ke marrë diçka përsipër dhe e dyta është një punë që të bën mirë, përsa kohë ti e bën me passion, të pëlqen dhe merr sodisfaksionin direkt ose indirekt.

Prej disa vitesh drejtoni emisionin “Zip” së bashku me Rezear Xhaxhiun. Çfarë ju lidh me njëri-tjetrin?

-Përveçëse emisionit që bëjmë bashkë njiheshim që më parë. Kemi punuar së bashku në TVA. Kishim një konsideratë për njëritjetrin dhe më pas na ka lidhur e njëjta përgjegjësi për emisionin, për lajmin, për mënyrën si duhet punuar në televizion, dhe pas 3 vjetësh në transmetim mendoj se na lidh një miqësi shumë e mirë. Drejtoni edicionin e lajmeve dhe një emision të drejtëpërsëdrejtë gazetaresk.

Ka një recetë që e përdorni për të pasur sukses?

-Receta kryesore është që si unë dhe kolegu Xhaxhiu kemi dashur të jepnim një edicion lajmesh përmbyllës, të dhënë jo në mënyrë të thatë, strikte dhe serioze siç jepet në edicionin e lajmeve por më njerëzor, më elastik ndaj detajeve të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë ditës, të ketë dhe batuta, dhe gjithashtu dhe të ftuar.

Nëpër intervista jeni shprehur gjithnjë se nuk jeni e dashuruar. Diçka e pabesueshme për një vajzë bukuroshe si ju…!

-Nuk është se nuk ka dashuri në jetën time. Njeriu përballet me shumë dashuri në jetë, por për sa kohë nuk është e tillë sa ti krenarisht ta deklarosh si lidhje, më mirë të thuash s’kam. Është tradicionale për ne shqiptarët që lidhjet t’i deklarojmë kur janë të vërteta dhe serioze dhe kur duam të fejohemi e martohemi. Dhe unë jam prehë e këtij rituali.

Gjithsesi ka një lidhje dashurore?

-Nuk është informacion për një publik të gjerë.

Çfarë ke pëlqyer tek ai?

-Cilësitë e të zgjedhurit timjanë: autoriteti, sinqeriteti, besnikëria, të qënit një mashkull i zoti dhe i respektuar në mjedisin shoqëror ku jeton.

Pasurinë e ke kriter?

-Për vete po. Për të dashurin jo.

Kjo do të thotë që nuk pëlqen që i dashuri të ketë dhe para?

-Po të kishte ato cilësi që unë dua dhe paranë do ishte mirë ta kisha bashkëshort. Se jeta është shumë e vështirë për ta përballuar si i varfër.

Jeni një femër që punon në televizion. Ju kanë bërë ndonjëherë oferta “të çuditshme”?

-Jo. Ka ndonjë njeri që të pëlqen për pamjen, të komplimenton por kërkesa indeçente, jo.

Me meshkujt si i ke raportet?

-Kur kam qenë më e vogël kam pasur shumë shoqe, ndërsa tani kam më shumë shokë, sidomos në punë. Kemi shumë kolegë meshkuj.

A ta ka sjellë në majë të hundës ndonjë mashkull në punë?

-Edhe mundet!

Për çfarë të komplimentojnë më shumë njerëzit?

-Për humorin.

Je ironike apo me humor dashamirës?

-Me humor dashamirës me ndonjë thumb të vogël.

Me kë jeton?

-Unë jetoj me time më. Ndërkohë që gjithë të afërmit e mi jetojnë jashtë. Babai më ka vdekur para tre vjetësh.

I beson meshkujt verbërisht?

-Nuk më pëlqen të besoj verbërisht as meshkujt dhe as femrat.

Ky mosbesim e ka një shkak?

-Mosbesimi më bën t’i mbaj larg njerëzit dhe të zgjedh pak njerëz të besuar. Nëse do i besoja të gjithëve do e kisha të vështirë për të zgjedhur ato pak njerëz të ngushtë.

Është një ligj vetëmbrojtjeje?

-Sigurisht. Nuk jetojmë në parajsë ku njerëzit janë të padjallëzuar. Jeta është e vështirë dhe njerëzit shpesh përfitojnë. Nuk më pëlqen rrethi i zgjeruar. Ndaj kam vënë kriter besimin.

Beson tek martesa?

-Besoj shumë, ndoshta se nuk e kam provuar kurrë. Njerëzit përgjithësisht nuk e besojnë, dhe nëse do martohem një ditë do mundohem që martesa ime të jetë jetëgjatë.

Flet për dashurinë pa iu referuar një lidhjeje serioze. I studioni lidhjet për të kuptuar mos është dashuri kalimtare?

-Asnjëherë nuk mund të thuash nëse është dashuri kalimtare apo për gjithë jetën. Koha vlerëson gjithçka. Vetëm ajo i jep rëndësinë një lidhjeje apo jo.

Nëse do të tradhtonte i dashuri ç’do bëje?

-Do mendohesha. Do shqyrtoja situatën dhe ndoshta nuk do e konceptoja idenë që ai me një tjetër që s’isha unë mund të kishte flirtuar. Sa të mbaronte kjo situata e grifshës brenda vetes do analizoja rrethanat.

Të dashurin nuk do e lije?

-Jo që në momentin e parë. Më pëlqen që gjërat t’i mendoj thellë qoftë në situata të tilla të vështira qoftë dhe në ato më lehtësueset.

Kjo do të thotë se e toleron tradhtinë?

-Varet nga situata. Duhet të kuptosh nëse është e vërtetë. Njerëzit përgjithësisht e mohojnë tradhtinë. Dua të jem e bindur për një gjë.

Do të ketë ndonjë të veçantë emisioni juaj gjatë sezonit të ri?

-Në Vizion Plus do të vazhdojnë projektet e suksesshme që kanë qenë gjatë vitit të kaluar. “Zip” do ristrukturohet dhe duke qenë vit elektoral do mbajë peshën kryesore të politikës dhe aktualitetit. Do të ketë një pamje më të mirë, besoj.


Gazeta: Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama