Të sinjalizuar për ngjarjen e rëndë, në vendin e shpërthimit kanë mbërritur jo vetëm drejtuesit e policisë së Pogradecit, por edhe ekspertë të antiterrorit të drejtorisë së Korçës. Hetimet për zbulimin e autorëve, por edhe të motivit të kësaj ngjarjeje kanë filluar menjëherë, ndërsa dyshimet e para bien mbi profesionin e gjyqtarit. Liradin Lila ka rreth 16 vjet qëshërben në gjykatën e Pogradecit, ku për 15 vjet ka qenë kryetar gjykate dhe vetëm para pak muajsh është zëvendësuar nga Niko Rrapi, i zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Hakmarrje për shkak të detyrës. Kjo është pista kryesore e hetimit për shpërthimin e eksplozivit në makinën e gjyqtarit të Pogradecit. Banorë të zonës bënë me dije mbrëmë për “Shekullin” se Liradin Lila ka shkuar të banojë tek blloku i ri i pallateve buzë liqenit gjatë muajve të fundit, ndërsa zotëronte edhe një garazh për makinën e tij, një “Golf” i zi tresh. Ky është shpërthimi i dytë brenda pak ditësh që trondit Pogradecin, duke pasur si objektiv punonjës të rendit dhe gjyqësorit. Pak ditë më parë, shpërthimi ndodhi tek ish- shefi i krimeve të Elbasanit, që banonte në Pogradec, Lytfi Bufit, ndërsa mbrëmë u kërcënua me tritol ish-kreu i Gjykatës së këtij rrethi. Për shkak të errësirës, policia rrethoi vendin e ngjarjes, duke e shtyrë ekspertizën e plotë për ditën e sotme. “Në kushtet e një errësire të plotë ishte e pamundur të kryhej ekspertiza dhe të përcaktohej lloji i eksplozivit dhe sasia e përdorur.Vendi po ruhet me policë, ndërkohë që po hetohet në disa pista të mundshme, kryesisht mbi çështjet që ka pasur gjyqtari Lila gjatë kohëve të fundit”,-bëri me dije policia e Pogradecit.
TRITOLI
Shpërthimi në pallatin buzë liqenit ka shkaktuar panik mes banorëve të Pogradecit. Për pak kohë u zbulua se atentati kishte si objektiv gjyqtarin e këtij rrethi, Liradin Lila
PISTAT
Kërcënim për shkak të detyrës. Kjo është pista kryesore mbi të cilën po heton policia, për të zbuluar autorët e vendosjes së eksplozivit në garazhin e gjyqtarit që ka drejtuar për 15 vjet Gjykatën











