Berisha replikon ashper me Mosken

Berisha replikon ashpër me Moskën
Reagimi i Berishës

Zyrtari më i lartë i qeverisë shqiptare i ka dhënë dje përgjigje akuzave të gjeneralit rus, Anatoli Nogovitsyne, se Shqipëria ka furnizuar me armë Gjeorgjinë. Shefi i qeverisë e cilëson të dënueshëm qëndrimin e palës ruse, duke thënë se "Moska, një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e kështu me radhë". Sipas tij, Gjeorgjia është një vend mik yni dhe një vend demokratik, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen që meriton një vend i tillë në një situatë të vështirë. Kryeministri Berisha, gjatë takimit të djeshëm me homologun e tij nga Islanda, kanë diskutuar mbi problemet që ende ekzistojnë në rajon dhe kërkojnë që zgjidhja e tyre me dialog është shumë e dobishme dhe e domosdoshme.

"Diskutuam dhe për zhvillimet më gjerë se rajoni, për situatën në Gjeorgji dhe pasojat e agresionit rus në këtë vend. Ne ramë dakord të bëjmë çdo përpjekje për intensifikimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona", tha Berisha. Përveç akuzave ndaj Shqipërisë, disa ditë më parë, gjenerali rus Nogovitsyne akuzoi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizim me armë në drejtim të Gjeorgjisë. Ky veprim ka detyruar Rusinë që të rishikojë numrin e paqeruajtësve që do të qëndrojnë në zonën e sigurisë brenda territorit të Gjeorgjisë në Osetinë e Jugut. Konflikti i armatosur mes Gjeorgjisë dhe Rusisë nisi më 6 gusht, pasi ushtarët gjeorgjianë qëlluan pozicionet e separatistëve në Osetinë e Jugut, pak orë pasi kishin arritur një marrëveshje. E shpejtë ishte edhe përgjigjja e Moskës, që nisi në këtë zonë ushtarë dhe tanke.

Qëndrimi i Rusisë

Moska zyrtare ka akuzuar një grup vendesh ballkanike dhe të Evropës Perëndimore se kanë furnizuar me armë Tbilisin. Përpos Shqipërisë, akuzat kanë qenë të njëjta edhe për Maqedoninë, Bullgarinë, Ukrainën, Serbinë, Hungarinë dhe Rumaninë. Gjithçka ka ardhur pas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, e cila bëri të ditur listën e furnitorëve të Tbilisit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë bëri të ditur se Shqipëria është një nga vendet që ka ndihmuar ushtarakisht Gjeorgjinë në konfliktin osetian. Përveç Shqipërisë, lista e ndihmuesve të Gjeorgjisë përpara se të niste konflikti zgjerohet me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Greqinë, Turqinë, Izraelin, Lituaninë, Estoninë, Ukrainën, por edhe aleaten më të ngushtë të Rusisë, Serbinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama