Rusia akuza Shqiperise I ka shitur arme Gjeorgjise
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Përpos Shqipërisë, akuzat kanë qenë të njëjta edhe për Maqedoninë, Bullgarinë, Ukrainën, Serbinë, Hungarinë dhe Rumaninë. "Roli i Shqipërisë në tregtinë e armëve, dhe jo vetëm nëpërmjet rrugëve ligjore, doli në shesh të zbuluar pas tragjedisë së Gërdecit (shpërthimit të një depozite municionesh në afërsi të Tiranës) dhe drejtuesi i MEICO (Military Export-Import Company) u arrestua nga autoritetet shqiptare", është cituar në mediat italiane, ruse dhe ballkanike, gjatë ditës së djeshme. Duke iu referuar mediave të huaja, në fillim të këtij viti të dhënat zyrtare të drejtimit gjeneral të armëve shënonin një rënie në drejtim të Kaukazit dhe Afrikës. Në gjashtë muajt e fundit të vitit 2007, eksportimet zyrtare bënin fjalë për rreth 3 milionë dollarë.
Bëhet fjalë në këtë rast për armë të llojit Kallashnikov, të prodhuara pa licencë deri në kohët e regjimit komunist. Tri ditë më parë, gjenerali Rus Nogovitsyne akuzoi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizim me armë në drejtim të Gjeorgjisë, çka do të detyrojë Rusinë të rishikojë numrin e paqeruajtësve që do të qëndrojnë në zonën e sigurisë brenda territorit të Gjeorgjisë në Osetinë e Jugut. Konflikti i armatosur mes Gjeorgjisë dhe Rusisë nisi më 6 gusht, pasi ushtarët gjeorgjianë qëlluan pozicionet e separatistëve në Osetinë e Jugut, pak orë pasi kishin arritur një marrëveshje. E shpejtë ishte edhe përgjigjja e Moskës, që nisi në këtë zonë ushtarë dhe tanke.
Serbia
Beogradi është futur në siklet pas akuzave të aleatit kryesor të saj, Rusisë, se i kanë shitur armë dhe municione Gjeorgjisë. Gjithçka ka ardhur pas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, e cila bëri të ditur listën e furnitorëve të Tbilisit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë bëri të ditur se Serbia është një nga vendet që ka ndihmuar ushtarakisht Gjeorgjinë në konfliktin osetian. Përveç Serbisë, lista e ndihmuesve të Gjeorgjisë përpara se të niste konflikti zgjerohet me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Greqinë, Turqinë, Izraelin, Lituaninë, Estoninë, Ukrainën dhe të tjerë.
Ndërkaq, ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviç, thekson se përfshirja e Serbisë është shqetësuese, sepse kallashnikovët e prodhuar në fabrikën e armëve të Kragujevaçit, "Zastava", janë përdorur për të sulmuar Osetinë Jugore dhe trupat ruse. Drashkoviç thekson se diplomatët rusë kanë paralajmëruar gjeorgjianët që predhat e helikopterëve të cilat qëlluan trupat e Moskës ishin të prodhimit serb. Politikani nacionalist serb, i cili aktualisht nuk merr pjesë në qeveri, theksoi në një intervistë për radion BBC se "kam deklaruar prej kohësh që ishte një ide e keqe t‘i shesësh armë një vendi që është në konflikt me Rusinë, aleati ynë më i madh". Ish-ministri i Jashtëm thekson se në fillim e ka bllokuar marrëveshjen, por ajo u aprovua pas një greve të punëtorëve të fabrikës së armëve.
Gazeta: Shqip