Balaj ja mesazhi per shqiptaret para ndeshjes me Serbine!

Balaj, ja mesazhi per shqiptaret para ndeshjes me Serbine!

Lojtarët kuqezinj kanë filluar t’i kapin ethet e ndeshjes së 8 tetorit, e cila do të luhet në “Elbasan Arena” ndaj Serbisë, në kuadrin e eliminatoreve të “Euro 2016”. Shqipëria është më pranë se kurrë kualifikimit për në finalet e një kompeticioni të tillë madhor, por duhet të dalë me 3 pikë në duelin ballkanik me serbët, që pastaj të shkojë më e relaksuar në Armeni.

Për shumë arsye, kthimi me Serbinë do të jetë tejet i ngarkuar emocionalisht, nisur nga fakti se çfarë ndodhi me kombëtaren tonë në Beograd, 14 tetorin e kaluar, por edhe si përfundoi beteja ligjore në KAS, me dhënien e tri pikëve në tavolinë për tanët. Kësisoji, serbët do të bëjnë çmos që t’i prishin punë Shqipërisë në rrugën drejt “Francë 2016”, sepse e konsiderojnë ndeshjen e ndërprerë me kuqezinjtë si momentin që i nxori ata duarbosh në këtë fushatë kualifikuesesh.

Masat që po merren janë të rrepta, të papara në ndonjë ndeshje tjetër të kombëtares më herët, çka vetvetiu ngre njëlloj frike në eter. A do të ketë ndikim te futbollistët tanë në fushën e lojës, kjo mbetet për t’u parë. Bekim Bala, autori i atij supergoli në fitoren historike kundër Portugalisë, në Aveiro, në startin e këtyre eliminatoreve, mezi e pret ballafaqimin me serbët. Shkodrani i Rijekës luajti titullar në Beograd, por hëngri edhe një karrige kokës, nga një tifoz serb, që hyri në fushë. Ai ishte, po ashtu, pjesë e betejës për flamurin që u ngrit dhe u ul me dron mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit.

Të gjitha këto momente i vijnë në mendje përditë Balajt, i cili kujton shqiptarët me një status në Facebook: “Ndeshja e madhe po afron…” Më tej, lidhur me duelin e 8 tetorit, sulmuesi i kombëtares shtoi: “Synimi madhor është fitorja. Të jemi të gjithë së bashku për këtë qëllimin final. Askush të mos harrojë që më tepër se fitorja dhe kualifikimi ne Europian nuk na duhet asgjë tjetër, prandaj le të bëjmë më të mirën tonë, që zemrat e miliona shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, të rrahin fort, fort, si asnjëherë tjetër!!! ‪‎Forca Shqipe!”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama