Serbia Mund te mos luajme! Rama Ishte nje 14-vjecar

Serbia: Mund te mos luajme! Rama: Ishte nje 14-vjecar

Shefi i sigurisë në Federatën Serbe të Futbollit, Milivoj Mirko vazhdon të këmbëngulë se ndeshja me Shqipërinë mund të mos luhet në rast se ka incidente të tjera si ai gjatë rrugës nga Rinasi për në Tiranë.

Mirko tha për RTS se ata druhen se mund të ketë incidente gjatë rrugës për në Elbasan, pasi bëhet fjalë për 50 kilometra rrugë.

Ndërkohë zëvendëspresidenti i FSF, Savo Milosheviç tha se lojtarët u tronditën nga incidenti, por më pas e morën veten.

Ndërkohë incidenti është komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me 60 studentët ekselentë serbë, të cilët do të ndjekin ndeshjen Shqipëri-Serbi në stadiumin “Elbasan Arena”.

Duke mos e fshehur që është një ndeshje me emocione shumë të forta, Rama nënvizoi nevojën e fqinjësisë me përfitime të mëdha reciproke për njëri-tjetrin. Gjithashtu u shpreh i keqardhur për incidentin duke deklaruar se ishte një fëmijë 14-vjeçar, i cili qëlloi me gur autobusin.

“S’jemi më armiq, përkundrazi. Në fushën e futbollit jemi kundërshtarë, në fushën e gjerë të jetës sonë të përbashkët duam të jemi miq. Më vjen shumë keq që dje një djalë 14-15 vjeçar hodhi një gurë drejt autobusit të skuadrës kombëtare të Serbisë, dhe kjo tregon sesa shumë ka ende për të bërë dhe se pavarësisht se gjenerata tjetër, e juaja,  mbart me vete etjen e madhe për ndryshim dhe sjell me vete ëndrrat e një bote të re, rreziku i nacionalizmit, i frymës së urrejtjes e përjashtimit është i pranishëm gjithmonë edhe brenda çdo gjenerate tjetër”.

Rama u shpreh i sigurt për vazhdimin e projektit me studentët duke i uruar t’ia kalojnë mirë në Tiranë dhe kur të kthehen në Serbi të flasin mirë për Shqipërinë.

“Shqipëria është një vend ku është vështirë të vish për herë të parë, por kush vjen, do gjithmonë të rikthehet. Jam i sigurt që ju do mendoni të riktheheni”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama