Markez i perulet Rosit Valentino eshte super

Markez i përulet Rosit: Valentino është super

Mark Markez i "zgjat dorën" Valentino Rosit. markezPas polemikave të sezonit të kaluar, duket se piloti i Hondës po kërkon të bëjë paqe me italianin, për të cilin ka thurur elozhe. Kryesuesi i Botërorit të MotoGP-së, gjatë një interviste për shtypin spanjoll ka analizuar paraqitjen e tij të fundit në pistën e Herezit në Spanjë, teksa theksoi se e kishte të vështirë që të rivalizonte me dy pilotët e Yamaha-s, Rosin dhe Lorencon, që u renditën në vendin e parë dhe të dytë në cirkuitin spanjoll: "Në të vërtetë u përpoqa të arrij diçka më shumë, por Yamaha ishte e paarritshme. Këtë e kuptova që në fillim, pasi nuk kisha ritmin e tyre.

Megjithatë, kënaqem me vendin e tretë para tifozëve të mi, pasi mora pikë të rëndësishme për renditjen e Botërorit", u shpreh fillimisht Markez. Më tej, dy herë kampioni i Botës në MotoGP u shpreh se Valentino Rosi bëri një garë të mirë, duke treguar klasin e tij.

"Valentino ishte i shkëlqyer në këtë garë, edhe vetë Lorenco nuk arriti të rivalizojë. E meritoi fitoren dhe për këtë e përgëzoj, pasi tani Botërori është më i bukur dhe ka më shumë rivalitet", tha Markez për rivalin e tij italian, edhe pse mes dy pilotëve, por edhe me Lorencon, marrëdhënia është e krisur. Mes pilotëve në podium mungoi shtrëngimi i duarve, duke e bërë ceremoninë e pasgarës formale. "Rëndësi ka gara dhe jo gjërat e tjera. Tani mendoj për sfidën e radhës, pasi çdo garë është ndryshe nga tjetra. Jam i bindur se sivjet kampionati do të jetë akoma edhe më i bukur dhe i rivalizuar deri në fund, pasi Rosi, por edhe Lorenco kanë akoma shumë 'uri' për të fituar kampionate dhe beteja do të zgjasë deri në fund", shtoi Markez.

PËRGATITI: LEAR MAÇI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama