Kukesi gjen pasuesin e Micit per mbrojtjen akord me Vidovic

Kukësi gjen pasuesin e Micit për mbrojtjen, akord me Vidoviç

Kukësi merr masa për të zëvendësuar Micin. Sido që të mbyllet "gjyqi" i nisur në DHZK, "divorci" mes palëve duket i sigurt. As lojtari nuk dëshiron që të vazhdojë aventurën te verilindorët, por as këta të fundit nuk e duan më në ekip, gjë që e ka thënë hapur vetë presidenti Safet Gjici.

marko vidovic

Në të tilla kushte, drejtuesit kanë nxituar në merkato, duke gjetur pasuesin e Gledi Micit. Dhe klubi mësohet se ka "peshkuar" në Serbi, më konkretisht Marko Vidoviçin. Burime të sigurta zbulojnë për "Panorama Sport" se akordi paraprak është arritur. Gjithçka mund të quhet e mbyllur, pasi palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe për termat financiarë. 27-vjeçari konsiderohet si i duhuri për të blinduar krahun e majtë, ndërsa provat i ka dhënë te Partizani, ndërsa kujtojmë që sezonin e fundit ai ka qenë pjesë e kryeqytetasve.

Edhe pse ka luajtur vetëm 140 minuta me të kuqtë, Kukësi po e projekton si blerjen e radhës. Mbrojtësi shtatlartë, sipas stafit të kuksianëve, ka të dhëna shumë të mira sportive. Të ndodhur në këtë situatë dhe për t'i paraprirë largimit të Gledi Micit, drejtuesit nuk kanë humbur kohë dhe kanë arritur marrëveshjen paraprake me majtoshin.

kukesi stervitje

I vetmi që mban pezull transferimin e tij është Safet Gjici. Me t'u kthyer presidenti nga pushimet, gjë që pritet të ngjajë sot, pritet që t'i prezantohet kjo kandidaturë. Shanset që të japë OK-in janë të mëdha, derisa edhe vetë stafi teknik e ka dhënë pëlqimin për afrimin e këtij elementi. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, atëherë as firma nuk do të vonojë dhe Vidoviç do të vihet nën urdhrat e Ernest Gjokës.

Duke qenë se Mici ka refuzuar kategorikisht që Kukësi të vendosë të ardhmen e tij, bie poshtë dhe plani për të huazuar Leonit Abazin. Kujtojmë që klubi pat planifikuar që ta çonte mbrojtësin në Korçë, megjithatë ky "operacion" duket i pamundur.

Shiriti

Me rikthimin e presidentit Safet Gjici, do të zbulohet edhe emri i kapitenit të ri. Pas largimit të Renato Malotës, ende nuk është zgjedhur futbollisti që do të mbajë shiritin. Favoritët janë mbrojtësi Ylli Shameti dhe mesfushori Besar Musolli. Kjo mbetet për t'u parë në ditët në vijim, teksa nuk përjashtohet ndonjë surprizë.

Përgatitjet

Kukësi vijon përgatitjet në Ohër. Ngarkesat janë të larta, ndërsa edhe dje kanë kryer dy seanca. Skuadra duket se po rritet nga dita në ditë dhe lojtarët po e marrin veten nga ana fizike. Por burime nga klubi bëjnë me dije se akoma Kukësi nuk ka gjetur kundërshtar për t'u ndeshur në miqësore. Gjithsesi, drejtuesit po punojnë që të gjejnë një skuadër të denjë për të provuar veten para finales së Superkupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut.

Skerdilaid Sulozeqi



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama