Elbasan Arena tashme edhe me piste atletike

'Elbasan Arena' tashme edhe me piste atletike

Një ditë para mbërritjes së Presidentit të Federatës Botërore të Atletikës në Shqipëri, numri 1 i Federatës Evropiane të Atletikës, Svein Arne Hansen, ka mbërritur në Elbasan për të parë pistën e parë atletike në vend në stadiumin “Elbasan Arena”.

I ndjekur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, Hansen ka parë nga afër pistën e re që pritet të inaugurohet zyrtarisht në muajin maj të këtij viti me aktivitetin e parë ndërkombëtar të atletikës që do të zhvillohet në Shqipëri.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë 11 vende. Hansen u shpreh me nota mjaft pozitive për stadiumin e Elbasanit, duke e cilësoi një ndër stadiumet më të bukura në Ballkan. Ai e ka cilësuar pistën e atletikës, një pistë të standardeve botërore.

“Paskeni një stadium shumë të mirë për futbollin dhe një pistë të mirë atletike. Dua të falënderoj autoritetet që kanë lejuar ndërtimin e kësaj piste. Do të ketë shumë atletë në gara që do të marrin pjesë. Do të jetë një nga stadiumet më të bukur në Ballkan. Ju duhet ta shfrytëzoni pasi kjo është një pistë me standarde dhe në një nivel të lartë. jam shumë pozitiv për pistën e atletikës”, është shprehur Hansen.

Gjithashtu, ai ka thënë se një pistë atletike duhet të bëhet edhe në stadiumin e ri të Tiranës. “Shpresoj që edhe stadiumi në Tiranë të ketë një pistë të tillë pasi kryeqyteti duhet ta ketë. Federata është mjaft e interesuar dhe ne duhet të luftojmë për atletiken. Jam i sigurt që do të keni sukses në të ardhmen”.

Gjergj Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës theksoi se kjo pistë është realitet falë mbështetjes së qeverisë dhe vetë kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se aktiviteti i parë ndërkombëtar do të jetë në 21 maj.

Sipas "Infoelbasani", pista e atletikës do të fillojë të shfrytëzohet qe  në javët e para të shkurtit deri në inaugurimin e madh në maj. Kjo është e para pistë shqiptare e standardeve sportive në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama