Olimpiada lajme shkurte

Olimpiada lajme shkurtë
Uolker, ar në 400 m me pengesa

Pas Bolt, një tjetër xhamajkane. Është Melanie Uolker, atletja që ka fituar medaljen e artë në 400 metrat me pengesa, pasi ka shënuar kohën 52“64, një tjetër rekord olimpik. Xhamajkania ka lënë pas amerikanen Shina Tosta dhe britaniken Tasha Danvers.

Medalje e artë për Wu Jingyu

Kinezja Wu Jingyu ka fituar medaljen e artë në kategorinë -49 kg në taekwondo. Gjatë takimit final, atletja kineze ka mundur atë tajlandeze Buttri Puedpong, e cila ka fituar të argjendtën. Dy medaljet e bronzit i kanë shkuar Dalia Contreras Rivero dhe Daynellis Montejo.

Fiton rusi Buvaisa Saitiev

Mundësi rus Buvaisa Saitiev ka fituar medaljen e artë në mundje stil i lirë, në kategorinë e peshave 74 kg. Medalja e argjendtë është fituar nga mundësi Soslan Tigiev, ndërsa medalja e bronztë i ka shkuar bjellorusit Murad Gaidarov si dhe bullgarit Kiril Terziev.

E arta për turkun Ramazan

Sahin Ramazan ka fituar medaljen e artë në mundje në kategorinë 66 kg për meshkuj. Në finale ai ka lënë pas ukrainasin Andri Stadnik, ndërsa medalja e bronztë i ka shkuar gjeorgjianit Otar Tushishvili si dhe indianit Sushil Kumar.

Fitojnë Davidova-Ermakova

Anastasia Davidova dhe Anastasia Ermakova kanë fituar medaljen e artë në dyshen e notit të sinkronizuar në Lojërat e Pekinit. Dy ruset kanë mbyllur performancën e tyre, duke shënuar 99.251 pikë. Medalja e argjendtë i ka shkuar spanjolleve Andrea Fuentes dhe Xhema Mengual. Bronz për japonezet Sara Harada e Emiko Suzuki.

Medalje e artë për Miankovën

Bjellorusja Aksana Miankova ka fituar medaljen e artë në disiplinën e hedhjes së çekiçit me 76,34 metra. Ajo ka shënuar një rekord të ri olimpik. Argjend për kubanezen Yipsi Moreno (75,20 m), bronz për kinezen Zhang Wenxiu (74,32 m).

Itali-Brazil në gjysmëfinale

Italia do të përballet në gjysmëfinalen e volejbollit për meshkuj me skuadrën braziliane. Pasi ka fituar me Poloninë, skuadra e të kaltërve gjendet tashmë në aktin e parafundit të manifestimit në fjalë për t’u përballur me më të fortët. Brazili është skuadra favorite për fitoren e medeljes së artë në volejboll për meshkuj. Brazili ka dominuar në takimin me padronët e shtëpisë, duke fituar me rezultatin 3-0 në më pak se një orë lojë. 25-17, 25-15 dhe 25-16 ka qenë rezultati për brazilianët.

Pozitive, i heqin medaljen

Shënohet një rast i ri i dopingut në Olimpiadat e Pekinit. Ukrainasja Ludmila Blonska, fituesja e medaljes së argjendtë në hedhje gjyleje ka rezultuar pozitive ndaj dopingut pas daljes së rezultatit të analizave. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja franceze “L`Equipe”. Komisioni ekzekutiv i CIO-s ka skualifikuar atleten, duke i marrë edhe medaljen që i është dhënë amerikanes Hileas Foutain, e cila në fund të provave ka fituar medaljen e bronztë, e cila tashmë do t’i jepet ruses Tatiana Çernova. Ky është rasti i shtatë me doping në Lojërat Olimpike të Pekinit. Ndërkohë që rastet e dopingut në Olimpiadën e Pekinit janë në minimumin historik. Sipas Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, rezultati ka ardhur falë programit të ri antidoping, që parashikonte 4500 teste për edicionin e 29-të Lojërave. Zëdhënësja Zhizel Dejvis pohoi se deri tani janë kryer 4133 kontrolle dhe deri në fund të Lojërave do të kryen 4500. Në “Athinë 2004” u kryen 3290 teste në total. Gjatë Lojërave Olimpike kanë rezultuar me doping atletja greke e 400 metrave me pengesa, Fani Halkia, qitësi koreano-verior Kim Hong Su, çiklisti spanjoll Isabel Moreno, gjimnastja vietnameze Thi Ngan Thuong Do dhe së fundi, ukrainasja Ludmilla Blonska. Para fillimit të Lojërave Olimpike, 39 atletë rezultuan pozitiv.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama