Felps eshte nje legjende fiton dhe medaljen e 8-te
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Tregon medaljen e artë. Në sytë e tij shkëlqen gëzimi. Pastaj, gjatë xhiros së nderit përqafon nënën dhe motrën e tij. Me krenari i tregon publikut flamurin amerikan. Tani Felps është idhulli i amerikanëve, njësoj si Kobi Brajant apo Lebron Xhejms. Notari amerikan Majkëll Felps thyen rekordin e Mark Spitz. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, ai ka fituar medaljen e tetë të artë në të njëjtën Olimpiadë. Felps vari në qafë medaljen e tetë, duke siguruar një vend nderi në historinë e Lojërave Olimpike. Majkëll Felps është atleti i parë që arrin të fitojë tetë medalje ari në të njëjtin eveniment. Me fitoren e djeshme, notari ka mbyllur në mënyrën më të mirë një javë, gjatë së cilës ka thyer disa rekorde. Ai drejtoi skuadrën amerikane drejt fitores në 4x100. Në Pekin 2008 “Plumbi i Baltimorës” theu në total shtatë rekorde bote dhe u bë sportisti më i suksesshëm i të gjitha kohërave në olimpiada. Ai numëron gjithsej 14 medalje ari të fituara. Gara kishte nxitur interesin e të gjithëve: në tribunë, për të duartrokitur katërshen amerikane, ishte i pranishëm edhe Kobi Brajant dhe basketbollistët e tjerë amerikanë. Pas sinjalit të nisjes, Aron Peirsol mori komandën dhe e mbylli në vend të parë në fraksionin e stilit të shpinës. Pas tij ishte radha e Brendan Hansen, që në bretkosë stonoi disi dhe u kalua nga japonezi i jashtëzakonshëm Kitazhima dhe australiani Rikard. Kështu, Felps u nis në vendin e tretë në stilin flutur. Kontrolloi kundërshtarët në xhiron e parë dhe në kthim shpërtheu, duke kaluar përpara Fuzhin dhe Lautershtejn. Ai i dha skuadrës avantazhin përfundimtar, një metër përpara japonezëve dhe dy metra para australianëve.
Phelps:
“Këta djem (duke u drejtuar nga shokët e skuadrës) ishin të jashtëzakonshëm. Gjatë kësaj gare u duk qartë puna e madhe që skuadra jonë bëri dhe kohezionin që na bashkon. Jam krenar që jam pjesë e kësaj katërsheje. Ëndërroja që të bëja diçka, të cilën nuk e kishte arritur askush tjetër më parë në këtë sport. Ia dola mbanë. Megjithatë, pa ndihmën e shokëve të mi do të kishte qenë e pamundur”, ka thënë mes emocionesh të mëdha Majkëll Felps. Arritja e tij është përshëndetur edhe nga Mark Spitz. “Ky ishte një rezultat epik”, theksoi heroi i Mynih ’72 për “Associated Press”.