Dy kritikat e Bankes Boterore
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Kur ka mbetur gati dhe një muaj nga privatizimi i OSSH-së, ekspertë të Bankës Botërore japin, ndoshta, udhëzimet e fundit rreth manovrave financiare dhe teknike që duhet të ndjekin kompanitë e huaja, të cilat kanë shfaqur interesin e tyre të plotë për blerjen e 76 për qind të aksioneve. Demetrios Papathanasiou, përfaqësuesi i BB-së për çështjet energjetike, vlerëson, si elementë kyç në performancën ekonomike të OSSH-së, dy faktorë: humbjet teknike dhe arkëtimet. Këtë deklaratë, përfaqësuesi i Bankës Botërore e bëri para pak kohësh në një aktivitet që u zhvillua në hotel "Tirana", ku ishin të pranishme kompanitë që shprehën interes për privatizimin e OSSH-së. Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Energjetikës, Genc Ruli.
Përpara përfaqësuesve të katër kompanive, Papathanasiou ka nxjerrë disi në pah të metat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke u bërë me dije të huajve, disa fakte, të panjohura për ta. "E para, 1 për qind humbje energji elektrike për ju është baras me 4.5 milionë euro minus në bilanc. E dyta, çdo diferencë nga mosarkëtimi i energjisë elektrike do të paguhet nga xhepi juaj dhe për këtë duhet të bëni tepër kujdes", ishin fjalët e para të përfaqësuesit të BB-së, për projektet energjetike. Në këtë aspekt, duke u nisur nga treguesit e OSSH-së, të cilët nuk janë dhe aq premtues për një kompani fitimprurëse, investitorët e huaj janë stepur disi, pasi në të dyja linjat e përmendur nga BB, dilnin plotësisht të humbur, në disa miliona euro. KESH-i ka një humbje të energjisë elektrike në masën e rreth 35 për qind, e përkthyer në shifrat e BB-së, minus 130 milionë euro humbje në vit. Për sa i përket nivelit të arkëtimit, të dhënat e fundit flasin për një rezultat prej rreth 86 përqindësh. Edhe këtu, investitorët e huaj kanë bërë llogaritjet, sesa u takon të paguajnë nga xhepi i tyre, para se të paraqesin ofertën më 15 shtator, data kur do të zhvillohet tenderit.
Niveli i humbjeve
"Unë e di që ju të gjithë jeni në bisedime me qeverinë, ndaj dhe çështja e parë që do të ngre është më se e qartë për ju: Cili është niveli i humbjeve dhe kostoja që mbartin ato". Shpjegimi i bërë nga Papathanasiou lidhet me efektet negative që rrjedhin nga humbjet e energjisë elektrike, të cilat, sipas përfaqësuesit të BB-së, një pjesë e madhe e tyre shkaktohet nga konsumatorët, ndërsa pjesa tjetër i atribuohet sistemit teknik tepër të amortizuar. "Një për qind e humbjeve në rrjet arrin në 68-70 gigavatorë. Çmimet, si vitin e kaluar, ashtu dhe këtë vit, do të mbeten të larta në rajon, rreth 65-70-80 euro për megavatorë. Pra 1 për qind e humbjeve është pothuajse 4.5 milionë euro në vit. Pra është sinjifikative dhe rregullimi i 1 për qind të humbjeve do ta ulë koston tuaj me 4.5 milionë euro, ndërsa 10 për qind do të ishte akoma dhe më i madh", vijon sqarimin Papathanasiou, drejtuar katër kompanive që duan të privatizojnë OSSH-në.
Arkëtimet
Numri dy në listën prioriteteve të BB-së është niveli i arkëtimeve. "Në qoftë se dikush nuk e paguan faturën e energjisë elektrike, atëherë ju takon juve ta paguani nga xhepi", janë disa nga komentet e bëra nga përfaqësuesi i BB-së, i cili, duke paraqitur disa shifra rreth nivelit aktual të arkëtimeve, ka krijuar një gjendje dyshimi për investitorët. Aktualisht arkëtimet në vend janë rreth 85 për qind, e në këtë pikë, sipas BB-së, do të jenë investitorët ata që do të paguajnë diferencën. "Çdo arkëtim duhet të jetë 100 për qind, ndaj dhe ju duhet të ndani mendjen se sa mund të arrini të mblidhni dhe çdo gjë që nuk mund ta mblidhni do t‘ju duhet ta mbuloni nga xhepi juaj", përfundon diskutimin Papathanasiou.