Xhorxho Kielini Iku vetem Pogba kete vit per Champions-in

Xhorxho Kielini: Iku vetëm Pogba, këtë vit për Champions-in

Xhorxho Kielini mbushi dy ditë më parë 32 vjeç dhe është gati të nisë sezonin e tij të 12- të me fanellën bardhezi. Si senator i Juves, ai përpiqet të shpjegojë gjatë një interviste për "Gazzetta"-n përse skuadra pëson gol në miqësore, por siguron se pas pak javësh skuadra do të rigjejë cinizmin për të qenë fituese.

kielini

Xhorxho Kielini, në çfarë pike është Juventusi?

Kemi ende punë në progres. Ia kam thënë edhe trajnerit, ka detaje që duhen përmirësuar. Jemi të ndërgjegjshëm. E dimë që mungon edhe pak, kështu që duhet të nxjerrim diçka më shumë nga vetja çdo ditë. Jemi stërvitur mirë. I kemi kushtuar më tepër rëndësi aspektit fizik, zotërimit të topit dhe kemi provuar situata të ndryshme. Tani duhet të mendojmë edhe për të qenë më konkretë dhe të fortë.

Janë çështje kujdesi?

Po, detajet janë pjesë e kujdesit. Nuk duhet të ishte kështu, por jemi një grup që e ka nisur vonë përgatitjen. Gjysma e skuadrës e ka nisur më përpara, tani po rihyjmë pak të gjithë dhe duhet të rigjejmë besimin me këtë përqendrim. Janë detaje të vogla. Tani kemi më shumë kohë. Kemi nisur një sezon shumë të vështirë dhe kjo duhet të na stimulojë edhe më shumë për të qenë të suksesshëm.

Çfarë ndjesish keni në krahasim me sezonin e shkuar?

Ka entuziazëm të madh, dëshirë për të bërë mirë, për t'u përmirësuar dhe bërë një skuadër e madhe, ndeshje pas ndeshjeje. Siç ju ka thënë Alegri juve dhe neve, nuk janë rolet, pasimet apo driblimet ato që duhet të provojmë, por vëmendja, përqendrimi dhe dëshira për t'u sakrifikuar për të ndihmuar shokun. Këto janë gjëra që nuk i gjen rastësisht kur vërshëllen arbitri, por duhet të stërvitesh dhe t'i stimulosh. Dhe sigurisht që prej ditës së hënë duhet të mendohemi gjithnjë një minutë më tepër derisa të vijmë të shtunën në "Juventus Stadium" me entuziazmin që kanë sjellë blerjet e reja, por edhe me përqendrimin e duhur dhe cinizmin që na kanë lejuar të mbërrijmë deri në këto rezultate.

Si është të stërvitesh me Higuainin?

Niveli mesatar i skuadrës është rritur shumë, është e kotë ta mohojmë. Kur jemi të gjithë në dispozicion, është një kënaqësi të stërvitesh dhe ne japim më shumë intensitet në stërvitje sesa në ndeshje, ashtu siç ndodhi me Espanjolin. Pastaj ndeshjet janë ndryshe, përballesh me skuadra që mbyllin hapësirat.

higuain juve

Edhe vitin e shkuar pësuat shumë gola në fazën përgatitore. Cili është dallimi?

Krahasuar me sezonin e shkuar kemi ndryshuar pak. Verën e shkuar u larguan shumë ikona me një moshë të caktuar dhe erdhën shumë të rinj që patën nevojë për kohë për të hyrë në sintoni. Raportet krijohen me kohën. Këtë vit kanë ardhur lojtarë të kualitetit dhe përvojës së ndryshme. Sezonin e shkuar menduam se dhamë 100%, por nuk ishte kështu. Sidomos në nivelin ndërkombëtar duhet të japim diçka më shumë.

Rruga më e mirë është një mbrojtje me 3 apo 4 lojtarë?

Mund të vendosim në varë- si të lojtarëve që janë më mirë.

Vitin e shkuar ju thatë se golat e Vidalit i prisnit nga Pogbaja. Tani që ai u largua, kush do jetë surpriza në mesfushë?

Kemi rritur cilësinë me Pjaniç, i cili si nga goditjet standarde ashtu edhe nga loja e hapur mund të shënojë dhe shërbejë. E kemi rritur akoma më tepër cilësinë në sulm, me një lojtar si Higuain. Kemi bërë blerje të mëdha dhe në fund u largua vetëm Pogba, sepse pak a shumë e dinim se Morata dhe Kuadrado nuk do qëndronin.

Flasim gjithnjë për cilësinë, a janë ngushtuar diferencat me rivalet?

Me gjithë respektin mendoj vetëm për Juven. Interi ka një ekip klasi dhe nuk mund të mos synojë si Champions-in ashtu edhe titullin. Napoli humbi Pipitan, por ka një grup solid. Roma me Spaletin ka bërë shumë pikë. Nuk është e vërtetë që ka diferenca me të tjerët, por gjithçka do të varet nga ne.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama