Shqiptari De Biasi Do te eliminojme Italine ne Euro 2016

Shqiptari De Biasi: Do te eliminojme Italine ne Euro 2016

Duartrokitje pa fund për Gianni De Biasi-n, i ftuar nderi në “Galanë e Futbollit të Trivenetos”, që vlerëson lojtarët më të mirë të krahinës veri-lindore të Italisë, nga Seria A deri në Ligën Pro, por edhe trajnerin dhe gjyqtarin më të mirë.

Trajneri i Kombëtares ishte protagonist në ceremoninë e zhvilluar në Viçenca.

Ai konfirmoi se u largua nga futbolli italian prej zhgënjimit se si trajtohen teknikët, ku asnjëherë nuk kanë garancinë e vazhdimësisë së punës.

Sipas De Biasit “në Itali trajnerët shkarkohen në pengesën më të vogël” dhe për këtë arsye ai beson se kishte “kurajën dhe oportunizmin për të punuar në Shqipëri”.

Një mundësi për të vazhduar karrierën “në një vend me futboll jo të zhvilluar” shpjegoi drejtuesi i stolit kuqezi, por ku iu dha mundësia të niste dhe të përfundonte “një punë falë së cilës përfaqësuesja u kualifikua në Kampionatin Europian”.

De Biasi u tregoi personalisht të pranishmëve për arritjen historike të të gjithë vendit, duke theksuar se “së bashku dhe me besim, Kombëtarja mund të shkojë larg”.

Në këtë kuadër, De Biasi foli edhe për shortin e 12 dhjetorit, ku do të përcaktohen kundërshtarët e grupeve të finaleve të Euro 2016.

Trajneri shpjegoi se nuk ka ndryshim cilët rivalët do t’i rezervojnë goglat, pasi “Shqipëria do të jetë në vazon e katërt dhe sido që të jetë, do të luajë me ekipe më të forta”.

Duke kujtuar mrekullinë në kualifikuese në një grup ferri me Portugalinë, Danimarkën dhe Serbinë, De Biasi ironizoi edhe rreth një përballje të mundshme me Italinë.

“Në kualifikuese nuk na jepnin shanse, por ia dolëm. Nëse tani do të jemi në të njëjtin grup me Italinë, do të thotë që do t’i eliminojmë edhe të kaltërit”, ishte batuta e trajnerit, që gjithsesi theksoi se do të dëshironte ta evitonte përballjen me skuadrën e Contes, edhe pse kjo mund të jetë një dëshirë e tifozëve shqiptarë.

De Biasi u vlerësua edhe me çmim në “Galanë e Futbollit të Trivenetos” për arritjen me Kombëtaren shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama