Shperblimet per kualifikimin De Biasi kerkon 2 milione euro

Shperblimet per kualifikimin, De Biasi kerkon 2 milione euro

Ditët e fundit është shkruar e folur shumë për një ngërç në shpërblimin e premtuar të lojtarëve kuqezinj për suksesin historik që arritën, shkuarjen në finalet e “Euro 2016”.

Qoftë për shumat, qoftë për mënyrën e shpërndarjes së tyre, ka pasur versione të ndryshme. “Telesport.al” kontaktoi një nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe e pyeti në lidhje me këtë situatë, se si qëndron e vërteta.

Ai konfirmoi se në mbledhjen e fundit të këtij organi vendimmarrës të FSHF-së është vendosur dhe miratuar premioja prej 2.5 milionë eurosh, që do të shkojë për krejt kombëtaren.

Natyrisht, sipas tij, këtu përjashtohet trajneri De Biazi, i cili e ka marrë tashmë shpërblimin e vet, të parashikuar në kontratën që ka me federatën.

350 mijë euro është shuma, që trajneri kuqezi ka përfituar nga kualifikimi me Shqipërinë në finalet e “Euro 2016”, ndërkohë që mësohet se rreth 300 mijë euro të tjera i përfiton në formë rroge.

De Biazi ka qenë i pari që e ka marrë premion, që pas ndeshjes me Austrinë, ndërsa shpërblimi i lojtarëve do të ndahet vetë mes tyre, natyrisht sipas një skeme që do të vendosë kapiteni Lorik Cana me bashkëlojtarët e tjerë.

Në këtë pikë ka mbetur kjo çështje, e cila pritet të zgjidhet brenba muajit dhjetor. Pra, pasi grupi kuqezi të bjerë dakord për mënyrën dhe shumën që do të marrin lojtarët, secili emër për emër, FSHF-ja do të kalojë menjëherë paratë në llogaritë e tyre bankare.

Shuma prej 2.5 milionë eurosh është miratuar në Komitetin Ekzekutiv dhe tashmë ajo është në dispozicion të “heronjve” kuqezinj, që e dërguan Shqipërinë në “Euro 2016”, për herë të parë në historinë e futbollit tonë.

Ndërkohë, disa lojtarë të kombëtares, të kontaktuar për këtë problem, kanë konfirmuar se premiot e kualifikimit do të jepen në muajin dhjetor. Do të vendoset mes tyre si do të shpërndahet shuma e miratuar nga FSHF-ja, pastaj secili do të përfitojë përafërsisht nga 80 mijë euro. Dikush më pak e dikush më shumë, në varësi të produktit dhe aktivizimit në ndeshjet kualifikuese të Grupit I të “Euro 2016”.

Ndërkohë, i njëjti burim i “Telesport.al” konfirmoi kërkesën e De Biazit për kontratën e re, ku ka kërkuar 2 milionë euro deri në fund të fushatës kualifikuese të “Botërorit 2018”.

Kjo shumë i është prezantuar presidentit Duka në formë kërkese, për të cilën është vënë në dijeni edhe Ekzekutivi i FSHF-së, por nuk ka gjasa të plotësohet. Shuma është e madhe për mundësitë e futbollit tonë, çka i është bërë e ditur edhe trajnerit, i cili mbetet të bëjë zgjedhjen e vet.

Natyrisht, pas kualifikimit në “Euro 2016”, De Biazit do t’i rritet rroga që përfiton, por shifra të tilla as që çohen nëpër mend nga drejtuesit e FSHF-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama