Mërgim Mavraj, që ishte shprehur edhe para ndeshjes me Izraelin kundër masave të rrepta të sigurisë, pavarësisht kërcënimeve për akte terroriste, ka reaguar sërish i revoltuar sot.
Ai thotë se ajo që ndodhi ishte poshtërsi dhe Izraeli nuk duhet ta kërkojë të keqen tek shqiptarët, por diku tjetër.
“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi janë bërë në dëm të së gjorës Shqipëri!
Por a duhet thënë STOP? A duhet të abuzojnë të tjerët me mikpritjen tonë?
Një vend nuk e bën të madh numri i banorëve, por karakteri, zemra, dëshira e krenaria e atij popullit!
Ne kemi tradita, e këtë e tregon qartë historia e kombit tonë! Ne nuk duhet ti hedhim asnjëherë poshtë njerëzit tanë, tifozët tanë, gjakun tonë vetëm se “siguria” e tjetrit është në “rrezik”!
A kishte rrezik më të madhe ndaj nesh në Serbi?! A kishte poshtërim më të madh se përçarja e frika që futën tek tifozët tanë dy ditë më parë kundërshtarët?! Nuk besoj se ka ndonjë qe mendon se shkaktar i atij “boshlliku” që u krijua në stadium ishte shiu, por paniku i hapur kot së koti.
Futbolli duhet të japë mesazh paqeje, e jo të krijojë panik, stres e përçarje. Unë nuk e ndjej veten aspak mirë kur krijohen situata të tilla! Tifozët tanë e duan këtë vend, e duan këtë kombëtare e ndaj duhet ta shijojnë siç duhet, të paktën në shtëpinë e tyre! Tjerët, le ta “gjejnë” të keqen diku tjetër, jo tek Shqiptarët”, shkruan mbrojtësi i Kombëtares, që në ndeshjen ndaj Izraelit nuk ishte në formën e tij më të mirë.