Dushku konfirmon Jam gati te kontribuoj tek Elbasani

Dushku konfirmon: Jam gati të kontribuoj tek Elbasani

Një ditë më parë u lakua në media emri i Safet Gjicit për një mundësi investimi të tijin në klubin e Elbasanit, së bashku me biznesmenin nga Elbasani, Ilir Dushku. Ndërsa Gjici e mohoi të ketë ndonjë lidhje me klubin e Elbasanit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Dushkun, i cili në një prononcim për "Panorama Sport" është shprehur:

elbasan arena

"Aktualisht unë jam me pushime, por po lexoja shtypin dhe doli emri im në skenë. T'ju them të drejtën më vjen keq për ekipin e futbollit që ka disa vite që nuk po kalon një formë të mirë dhe me shumë dëshirë do të jepja ndihmën time për ta ringritur edhe njëherë. Madje, bëj thirrje që për Elbasanin duhet të kontribuojnë të gjitha bizneset e qytetit dhe ta nxjerrim skuadrën nga kriza.

Të bashkohemi disa biznesmenë dhe të bëhemi pjesë e projektit për ta mbështetur financiarisht ekipin, por vetëm të mos na nxirren pengesa absurde në aspektin e procedimit sipas ligjit për realizimin dhe mënyrën e financimit", tha fillimisht Dushku, pronar i disa hotelerive dhe restoranteve në Elbasan.

Çështja "Gjici"

Në lidhje me mundësinë e ndonjë bisede me Safet Gjicin, të cilin e ka edhe mik, Dushku "driblon" pak dhe nuk jep një përgjigje të prerë. "Janë disa biseda që mbeten midis nesh, por unë me Gjicin flas për gjithçka, edhe për futbollin edhe për Elbasanin. Nëse biem dakord me disa biznesmenë për të financuar tek Elbasani, shumë mirë mund të marrim diçka edhe nga eksperienca e Gjicit, në ide dhe menaxhim.

Safet gjici

Ne shpresojmë që në mos Gjici, kolegë të tij të fuqishëm të bëhen pjesë e projektit për ta mbështetur financiarisht ekipin e Elbasanit", vijoi më tej Ilir Dushku, që mesa duket e ka shumë seriozisht investimin në klubin e Elbasanit dhe nuk bëhet fjalë për një thashethemë vere. Gjithsesi, mbetet për t'u parë nëse do të marrë konkretisht ndonjë nismë ligjore për të investuar apo do të qëndrojë thjesht në kuadrin e dëshirave.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama