Dremitja e Tares kthehet ne ceshtje ne Itali

'Dremitja' e Tares kthehet ne ceshtje ne Itali

Rreth 20 sekonda para fundit të pjesës së parë të ndeshjes Udineze-Lacio, mesfushori lacial Konko godet mbi traversë dhe Tare, sipas shtypit italian, mbyll sytë si për të thënë “çfarë rasti!”

Një “dremitje” në tribunën e stadiumit “Friuli” gjatë ndeshjes Udineze-Lacio është bërë shkak që Igli Tare të kthehet në një çështje në Itali. Drejtuesi shqiptar i klubit bardhekaltër, është kapur nga kamerat e shumta të “Sky Sports”, ndërsa në mes të dy drejtuesve të tjerë është zënë “mat” duke “fjetur”. Ndeshja e luajtur të dielën pasdite, ku titullar në portë ka qenë edhe portieri i kombëtares shqiptare Etrit Berisha ka përfunduar në barazim 0-0. Por ajo që ka shqetësuar më shumë tifozët dhe njerëzit e futbollit pranë Lacios, nuk ka qenë rezultati, por “dremitja” e Tares. Fillimisht, episodi i drejtorit sportiv roman ka marrë trajta humori, por me kalimin e orëve, nuk kanë munguar kritikat dhe polemikat, aq sa arrihet deri aty sa kërkohet edhe dorëheqja e tij. Megjithatë, 42-vjeçari ka reaguar, duke u mbrojtur ndaj kritikave: “Nuk po flija, mbylla sytë për rastin e humbur të Konkos”.

Ironia në web

Ky moment i drejtorit sportiv të bardhekaltërve ka bërë tashmë xhiron e botës në rrjetet sociale. Shtypi italian shkruan se drejtuesi shqiptar ka “dremitur” pak para pushimit mes dy pjesëve, me komentet ironike në rrjetet sociale që nuk kanë vonuar. “Drejtori sportiv Igli Tare nuk ka përjetuar ndonjë kënaqësi nga loja, – shkruan një tifoz. – Ndoshta po ëndërron ndonjë goditje në merkato. Iluzion”, – shkruan Massimo në “Lazio Fan Club”. “Natën e mirë Tare, – ironizon portali pranë rivalëve historikë verdhekuq, “RomaToday”. – Ne jemi aktiv në merkato”.

Xhordano kërkon dorëheqjen

Por më kritiku nga të gjithë, ka qenë ish-sulmuesi legjendar i Lacios, Bruno Xhordano, i cili arrin deri aty sa kërkon dorëheqjen e Iglit. Opinionisti dhe komentatori sportiv i njohur në Itali shpreh të gjithë indinjatën e tij: “Tare duhet të japë dorëheqjen, nuk është e pranueshme të shohësh një skenë si ajo e së dielës në tribunë, – tha ish-bomberi që ka luajtur për një dekadë me fanellën laciale. – Nga ndeshja më intereson të shoh relativisht atë imazh të Tares që fle, u ndjeva shumë keq. Ndeshjet e Serisë A shihen në të gjithë botën, kjo është një përballje ndaj tifozëve bardhekaltër, është një fyerje që nuk mund të merret lehtësisht. Tare duhet të japë dorëheqjen dhe nëse nuk ndodh, duhet që presidenti Lotito ta shkarkojë. Është e papranueshme. Pak orë më pas, shikon një president si Silvio Berluskoni që ndodhet në tribunë në mbrëmje duke vuajtur dhe duke festuar për skuadrën e tij (i referohet derbit Milan-Inter). Lacio është një skuadër e braktisur”.

Tare u përgjigjet kritikave

Reagimi i Tares ka qenë i menjëhershëm. Ai mbrohet duke thënë se episodi ka lidhje me një rast të humbur të Konkos 20 sekonda para fundit të pjesës së parë, ku mesfushori godet në qendër të zonës mbi traversë. Një rast për gol për Lacion, me keqardhjen jo vetëm të tifozëve, por edhe të drejtuesve bardhekaltër në tribunë. Pikërisht pas këtij rasti drejtori është kapur me sytë mbyllur. Tare shpjegon për shtypin italian se ndodhej në mes të sekretarit Kalveri dhe përgjegjësit të komunikimit, De Martino. “Është e thjeshtë të verifikohet, – pranon Tare për “Radiosei”, – mbylla sytë për rastin e humbur të Konkos. Ishte një mënyrë reagimi me shprehjen ‘çfarë rasti!’ Mjafton të shihet minuta ku ndodhi”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama