Skandali shteti blen nafte pa tender
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Struktura e re në Ministrinë e Brendshme, e ngritur posaçërisht (në shkurt 2008) për zhvillimin e tenderëve për nevojat e gjithë administratës publike, nuk kishte eksperiencën e duhur në zgjidhjen e këtij ngërçi, duke kërkuar kështu një ndërhyrje nga ekspertët e Kryeministrisë. Sipas udhëzimit të parë, lëshuar në janar të këtij viti, departamenti pranë Ministrisë së Brendshme do të kryente ndër të tjera, për llogari të institucioneve të ndryshme, të gjitha prokurimet publike me vlerë deri në 400 mijë lekë (për secilin institucion) dhe për rastin e blerjes së karburanteve do të përdorej një çmim fiks, përcaktuar mes Ministrisë së Financave dhe INSTAT-it. Nisur nga udhëzim, më 2 qershor u ftuan kompanitë e karburanteve që të paraqisnin ofertën e tyre lidhur me furnizimin e institucioneve për 6 muajt e mbetur të vitit, duke vendosur një çmim fiks prej 114 lekë për litër, në një kohë kur nafta ose benzina në atë kohë shitej rreth 150 lekë për litër. Ky çmim i vendosur në tender nuk ka ngjallur interesin e kompanive private, aq më tepër kur tarifa do të qëndronte e pandryshuar për gjithë vitin. Në këto kushte, anulimi i tenderit ishte i sigurt, ndërsa administrata mbeti pa naftë, duke krijuar një krizë të vërtetë, në një kohë kur edhe çmimi i naftës po shkonte drejt 160 lekëve për litër. Pra, shkaku i dështimit të tenderit ishte vendosja e një çmimi fiks, një gabim fatal që do t‘i kushtojë rëndë qeverisë, si në aspektin e funksionimit të punës, ashtu edhe në atë moral (dështimi i tenderit ka detyruar ministritë të marrin naftë borxh nëpër kompani të ndryshme, deri në zgjidhjen e problemit).
Udhëzimi
Të ndodhur në këto kushte, një grup ekspertësh të mbledhur nga institucione të ndryshme sugjerojnë ndryshimin e procedurave të tenderit deri në zgjidhjen e problemit, duke marrë edhe miratimin e Kryeministrisë. Pas kësaj, Agjencia e Prokurimit Publik, APP, nxjerr një udhëzim të ri, duke iu referuar vendimit të qeverisë, datë 16 qershor 2008, dy javë pas dështimit të tenderit, e cila sqaronte mbi formën ligjore që duhej të ndiqej deri në daljen nga kriza. Udhëzimi merr për bazë shembullin që ndjek KESH-i në ato raste kur nuk sigurohet sasia e duhur në tender. Por ngërçi qëndronte pikërisht mbi faktin se me vendim qeverie i lejohet vetëm KESH-it të blejë mall, sipas procedurës prokuruese me negocim (pra, pa tender), në rastet emergjente kur vendit i nevojitet më shumë import energjie elektrike. Në këtë pikë, mungesa e naftës për administratën publike u trajtua si rast emergjent, duke lejuar blerjen e karburantit sipas procedurës me negocim (kjo procedurë lejon titullarin e institucionit, që pas një vlerësimi të tregut, ta zgjedhë vetë subjektin privat ku do të blejë mallin me çmim më të lirë). "Aktualisht, gjatë periudhës deri në lidhjen e kontratave të reja pas realizimit të procedurave normale të prokurimit nga ana juaj, ju udhëzojmë që autoritetet kontraktore duhet të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat ligjore që parashikon legjislacioni aktual i prokurimit publik për plotësimin e nevojave emergjente. Pra, autoriteti juaj kontraktor duhet të vlerësojë rrethanat dhe kushtet në të cilat ndodhet. Në rast se arrihet të argumentohet emergjenca, atëherë, autoriteti juaj kontraktor mund t‘i referohet nenit 33/2/c të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik" (me ndryshime)". Kjo është një pjesë e udhëzimit, ku APP u lejon institucioneve të blejnë karburant pa tender, deri në lidhjen e kontratave të reja. Aktualisht këto kontrata nuk janë lidhur ende, pasi ministritë janë duke zhvilluar tenderët.
Megjithatë, udhëzimi sqaron më tej se, "parashikohet që autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor i parashikuar në nenin 43 të ligjit 9643, datë 20.11.2006 për njoftimin e kontratës për procedurat e hapura, të kufizuara ose me negocim, me publikim, nuk mund të respektohet". APP sqaron institucionet se rrethanat e përmendura për të justifikuar nevojën ekstreme nuk duhet të shkaktohen në asnjë rast nga veprimi ose mosveprimi i autoritetit kontraktor. Në fakt, shkaku që solli këtë "rast emergjent" ishte pikërisht gabimi i qeverisë për të vendosur një çmim fiks, duke u dhënë mundësi ministrive që për dy muaj me radhë të shpenzojnë fondet duke blerë karburant sipas "vlerësimit" që ata duhet t‘u bëjnë çmimeve të tregut. Një tjetër ndryshim në ligjin "për prokurimin publik" lidhet me të drejtën që u jepet institucioneve t‘i kryejnë vetë tenderët, vetëm për karburantet dhe për këtë vit, në një kohë kur ligji i mëparshëm ia jepte të drejtën vetëm Ministrisë së Brendshme, për fonde deri në 400 mijë lekë.
Gabimi
Ministria e Financave e ka llogaritur çmimin e naftës që në nëntor të 2007-ës, kur një fuçi shitej për 77 dollarë. Sipas këtij vlerësimi, Ministria e Brendshme nisi procedurat e tenderit për blerjen e rreth 18 milionë litrave karburant, në një kohë kur nafta shitej me 145 dollarë fuçia.
Rregulli i ri
Jo më çmim fiks, por me bursë
Institucionet, në momentin e furnizimit me karburant, duhet t‘u referohen çmimeve të bursës, sipas agjencisë "Reuters". Po ashtu, çdo javë APP do të paraqesë të listuar të gjitha çmimet në ton për USD të karburanteve, si dhe çmimet mesatare të tyre, me ndihmën edhe të doganave. Institucionet shtetërore duhet të kenë parasysh edhe elementët fiskalë, përfshi akcizën, taksën e karbonit, marzhin e fitimit, të shprehur në vlerë absolute dhe në përqindje. Nëse çmimi, gjatë kohës së zbatimit të kontratës për furnizimin me karburant, ndryshon dukshëm në ulje apo në ngritje, me kërkesën me shkrim të palëve dhe në varësi të çmimeve në bursë, subjekti privat pasqyron në faturat periodike të shitjes, çmimin e mallit, të mbështetur në deklaratën doganore SAD.
Korriku
Çmimet sipas APP-së
Benzinë 50ppm 1030 USD/Ton
Vajguri 1003 USD/Ton
Gazoil 50 ppm 1194 USD/Ton
Gazoil 2 1163 USD/Ton
Mazut 663 USD/Ton
Butan 915 USD/Ton
Propan 905 USD/Ton
Gazeta: Shqip