Rekordet pastaj surprizat

Rekordet, pastaj surprizat
Zoti Bello, vetëm pak orë na ndajnë nga Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Cila është atmosfera në kampin kuqezi?

Ka pothuajse 10 ditë që delegacioni ynë është sistemuar në fshatin olimpik. Gjatë kësaj periudhe nga informacionet që kemi nga shefi i misionit, të gjithë sportistët janë ambientuar dhe sistemuar me ndryshimin e orarit. Madje, pjesa më e madhe e tyre kanë filluar të stërviten në mënyrë të rregullt, që do të thotë se janë ambientuar me klimën, ushqimin dhe janë përshtatur me kohën dhe oraret e sakta të garave të tyre, me disa përjashtime të vogla, ku mundësi Sahit Prizreni ka pasur një problem me gjurin dhe e ka ngushtuar pak programin stërvitor. Ndërsa qitësja Lindita Kodra ka pasur një problem teknik me armën, por që besoj se në ditët në vijim ka për ta zgjidhur, pasi i kemi dërguar edhe pjesët për ndërrimin e dorezës. Kurse pjesa tjetër e delegacionit, siç e thashë edhe më lart, po vijon normalisht stërvitjen.

Si u përcoll ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar OLGERT SERANI në fshatin olimpik?

Sipas traditës, çdo ekip kur mbërrin në fshatin olimpik zhvillon këtë ceremoni të mikpritjes dhe ngritjes së flamurit, ku përveç delegacionit shqiptar ishin të ftuar ambasadori shqiptar në Kinë, Maxhun Pepa, si dhe mjaft shqiptarë që jetojnë në Pekin. Sipas informacioneve që kemi nga shefi i misionit, kjo ceremoni festive ka kaluar me shumë sukses dhe të gjithë janë shprehur të kënaqur me kushtet dhe ambientet ku është sistemuar delegacioni shqiptar.

Po rekordmeni Dorian Çollaku u bashkua me përfaqësuesen shqiptare?

Atleti Çollaku ka mbërritur sot (dje) me grupin e sportistëve. Në fakt, ai ka kërkuar të jetë në data fikse për arsye të kushteve të punës së tij në Finlandë. Megjithatë koha për Çollakun është e mjaftueshme deri më 15 gusht, kur ai do të konkurrojë, për t’u sistemuar e ambientuar me oraret e stërvitjes në Pekin. Shpresojmë të ambientohet sa më shpejt dhe të ketë rezultate sa më të mira në përfaqësimin e tij në këtë eveniment kaq të rëndësishëm.

Mund të na informoni për formën aktuale që gëzojnë sportistët tanë?

Në përgjithësi, sportistët, pavarësisht problemeve që mund të kenë, pasi mundja kërkon edhe oponentë për t’u stërvitur sistematikisht nëpër seanca, janë në gjendje optimale. Mendojmë se së pari objektivi i tyre kryesor në këto Lojëra Olimpike do të jetë thyerja e rekordeve personale, pastaj presim edhe ndonjë surprizë. Të gjithë e dimë se sporti është i bukur dhe ofron të tilla situata të këndshme. Megjithatë, ne do të jemi optimistë për rezultatet e sportistëve tanë.

E para nga “armata” kuqezi që do të garojë në këtë olimpiadë do të jetë kampionia e Evropës, Lindita Kodra. Çfarë parashikoni? Lindita Kodra merr pjesë në dy gara. Duke qenë edhe kampione Evrope në fuqi, ne shpresojmë shumë që ajo të përsërisë rezultatin e kampionatit evropian të 2006-ës. Do të uronim që të kishte edhe pak fat.

Kush mendohet të jetë favorit tjetër në “Pekin 2008”?

Të gjithë presim nga mundja dhe peshëngritja, që e kanë vërtetuar tashmë që janë sporte elitare dhe kanë dhënë rezultate të nivelit botëror dhe evropian. Kemi shpresa se mund të arrijmë diçka.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama