Blushi rrefehet per Kandidatin Parlamenti me bandite sbehem kaubojs

Blushi rrefehet per 'Kandidatin': Parlamenti me bandite, s'behem 'kaubojs'

Shkrimtari dhe politikani Ben Blushi shpjegoi dje të gjithë personazhet e librit të tij të fundit “Kandidati”, kush është Kadim Sedini, Lef Nosi, Simon Shuteri, por dhe gazetari Henri.

I ftuar në “Zonë e Lirë” me Arjan Çanin, duke shpjeguar fabulën e librit, Blushi shprehet se qëllimi i tij ishte që t’u kujtonte njerëzve që të mendohen mirë para se të votojnë dikë.

Blush, kush është Kadim Sedini, njerëzit duan ta dinë nga goja jote?


Së pari, ua të them se çfarë është ky libër. Sigurisht është e vështirë për mua dhe për çdo shkrimtar të shpjegojë atë që ka shkruar. Sigurisht që kam shkruar për një botë që e njoh, merrem prej shumë vitesh me politikë dhe e njoh mirë këtë planet sepse jam vetë aty. Për fat të keq, në vitet e fundit, Shqipëria nuk ka ecur në rrugën e duhur. Unë kam shkruar shumë kohët e fundit sepse gjërat në Shqipëri nuk po shkojnë mirë. Shoqëria shqiptare ka hynë një pesimizëm dhe depresioni që ka detyruar rreth 100 mijë shqiptarë të ikin nga vendi, një qytet gati sa Elbasani që të zhduket.

Të rinjtë shënojnë numrin më të madh të të papunëve në Europë, që shkon në 70% nga ata që mbarojnë shkollën. Vendi ka një shkallë shumë të lartë pabarazie dhe padrejtësie sociale, dhe të gjitha këto e ngacmojnë dikë që shkruan, përfshi edhe mua. Pyetja për të gjithë është se kur kemi në dorë të zgjedhim, bëjmë zgjedhjet e duhura apo jo? Kësaj pyetjeje jam munduar t’i përgjigjem përmes këtij libri. Fabula është fillimi i zgjedhjeve në një qytet të vogël të Shqipërisë, që mund të ngjajë me Elbasanin, por është realisht imagjinar. Njëri nga kandidatët vdes, por edhe pse vdes, ai fiton zgjedhjet.

Pyetja është për të gjithë ne: fajin e ka ai që kandidon, megjithëse është i vdekur, apo ata që e futën në garë? Jo, fajin e kanë ata që e votuan. Vallë nuk kemi pasur ne në zgjedhjet e fundit kandidatë politikisht të vdekur?! Kemi pasur pafund! Për sa kandidatë është folur në zgjedhjet e fundit lokale? Janë përfolur si banditë, kriminelë, të korruptuar njerëz që s’duhet të zgjidheshin, prapë u zgjodhën. Faji është i atyre që i zgjedhin, këtë kam dashur të them në mënyrë artistike në libër.

Pra, a mund të votohet për të vdekurit?! Kjo është çështja! Ne vazhdojmë të zgjedhim akoma njerëz të vdekur që e kanë konsumuar kohën e tyre, jo biologjike, por mendore apo politike. Ju e keni parë Parlamentin e Shqipërisë, po kthehet në një vend qesharak. Këta njerëz nuk mendojnë se aty është një “Panair i kotësirave”?! Në një vend që edhe ti vetë tallesh me njerëz të konsumuar, pra të vdekur politikisht, si kandidati im.

A mund të jetë ky libër një manual zgjedhor që do t’i orientojë njerëzit në votim?


Unë nuk bëj një libër për të ndryshuar një palë zgjedhje. Ky libër nuk është një traktat politik, nuk është një shkrim gazete, as edhe një film, por letërsi e angazhuar. Letërsi e një njeriu që do t’u thotë njerëzve me të cilët jeton se duhet të mendoni pak më shumë para se të votoni.

Por të ishte tre muaj para zgjedhjeve, nuk do kishte një efekt të mirë?


Nuk e di, ndoshta… Zgjedhjet e shkuara ma kanë bërë edhe mua këtë efekt, sepse mendoj sikur të isha zgjedhës në disa prej qyteteve të Shqipërisë, që u bënë në qershor. Ata kandidatë u bënë të pavotueshëm për mua. Ti do të thuash se nga të dy palët ishte njëlloj. Ky është problemi se nga të dy palët është njësoj në shumë raste si do që ta kthesh.

S’mund të mohosh që emrat e personazheve të tu kanë ngjashmëri me njerëzit realë, të cilëve u ke vënë një emër të përafërt. Kush është Kadim Sedini?


Shumë njerëz më pyesin përse personazhi e ke emrin siç e ka. Kadim Sedini është emri që i kam zgjedhur personazhit tim për të treguar skadimin. Skadim Sedini, që do të thotë: Ka skaduar, por ju s’e dini! Është lojë fjalësh. Sigurisht që përkon me emra të ngjashëm, por unë nuk jam këtu për të thënë po ose jo. Secili mund ta marrë si të duan, është çështje shijeje.

Por Lef Nosi është i vërtetë, Blush?


Kam përdorur edhe më parë emra realë personazhesh historikë. Pse është Lef Nosi në libër?


Lef Nosi ka qenë një patriot, filantrop, njeri që ka pasur pasion kulturën, koleksionist, ka shkruar, një njeri i kamur, i pasur nga familjet kryesore të Elbasanit para 100 vjetësh që jetonte në lagjen Kala. Në atë kohë të varfrit nuk merreshin me politikë, të pasurit po. Lef Nosi ishte një nga firmosësit e Aktit të Pavarësisë në 1912. Elefteros Nosi ishte njeriu që aktin e pavarësisë e mbajti ai i fundit, ishte ministër i Ismail Qemalit, ministër i Postave dhe në vitin 1937 e zhduku pas një ceremonie që organizoi mbreti Zog. Pas largimit të Italisë dhe ardhjes së Gjermanisë naziste, në 1943 Lef Nosi u bë regjent, një nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë Shtetëror, nga një përfaqësues të të katër besimeve fetare në Shqipëri, të cilët përbënin qeverinë e kohës. Gjermanët ishin pushtues. Kur komunistët erdhën në pushtet, Lef Nosi u pushkatua si kolaboracionist me pushtetuesit.

Por busti i tij është në Elbasan?


Ky është problemi, është i vetmi qytet në Europë që ka në qendër të tij bustin e një kolaboracionisti si Lef Nosi. Në Francë kjo nuk ka ndodhur, as në Holandë apo gjetiu. Të gjithë e dimë rastin e marshall Peten në Francë, i cili ishte kryegjenerali i Luftës së Parë Botërore, lavdia e Francës. Kur Franca u pushtua nga nazistët, Peten u bë President i Francës dhe ndërtoi qeverinë e famshme të Vishisë. Ai iu nënshtrua Hitlerit dhe ndërtoi një qeveri filonaziste. Kur Franca u çlirua, Hitleri e mori marshall Peten në Gjermani për ta mbrojtur. Marshalli e kuptoi, ndërsa në Francë i hapën gjyq. Ai kërkoi të kthehej në Francë, ku i bënë një gjyq publik ku e dënuan me vdekje, por meqenëse ishte mbi 80 vjeç, De Gol i fali jetën dhe e internoi në një ishull të Francës. Kur Franca i trajtoi në këtë mënyrë, kolaboracionistët e luftës nuk i gjen dot një bust Petenit në një qytet të Francës. Është i vetmi rast Elbasani që ka një bust të një kolaboracionisti në mes të qytetit, dhe ky është Lef Nosi. Në libër, Simon Shuteri e shtjellon historinë e vërtetë të Lef Nosit dhe në këtë mënyrë e detyron qytetin që ta rrëzojë këtë bust dhe ta tërheqin zvarrë. Shpresoj që qytetarët e Elbasanit ta bëjnë një gjë të tillë një ditë. Tani po flas jashtë librit, do të jem i lumtur nëse qytetarët e Elbasanit do ta rrëzonin bustin e Lef Nosit si kolaboracionist. Kjo do të ishte për nderin dhe dinjitetin e qytetit.

Kush e ka vënë bustin e tij?


E ka vënë Bashkia në mënyrë legale.

Por Qazimi është kandidat i së majtës. Mos e ka vënë bustin që të marrë votat e antikomunistëve, për të marrë vota djathtas?


Kjo pra është Shqipëria, që për të marrë vota, ti bën kompromis edhe me maskarain, edhe me banditin, edhe me budallain. Shikojeni çfarë kemi në Parlamentin e Shqipërisë, janë koncesione për të marrë vota edhe aty ku nuk ka nevojë. Pse ndodh në Parlamentin e Shqipërisë që gjysma të jetë e mbushur me banditë? E kemi parë këtë në Maqedoni? Apo në Serbi, apo Greqi? Populli nuk përfaqësohet me banditët e vet në Kuvend, e aq më pak me kolaboracionistët. Është fatale që të ketë bust të një kolaboracionisti, një regjenti në qendër të një qyteti shqiptar si Elbasani.

Një tjetër personazh që ju përdorni në libër është Henri, por nuk është Henri Çili, por ju thoni që është drejtues i një emisioni në një TV kombëtare, pra ai është Fevziu, sepse ju merreni shumë me veshjen e tij etj., etj.


Frymëzimi dhe imagjinata që ka një shkrimtar është i pamjaftueshëm për të krijuar një personazh, prandaj detyrohesh të marrësh brumë nga njerëzit që njeh. Nëse ndonjë nga personazhet e mi i ngjajnë dikujt që ti i njeh, kjo nuk është keq as për ty, as për mua dhe as për ata. Në fund, të gjithë e kuptojnë se është imagjinare. Kryetarët e bashkive janë gjallë, ndërsa kandidati im ishte i vdekur, prandaj të mos i ngatërrojmë njerëzit dhe t’i lemë në qetësinë e tyre. Do të ishte shumë e vogël të mendohej se unë do të bëja një libër kundër një njeriu. Unë nuk jam meskin. Bëra një libër sepse më frymëzon dhe e besoj atë që shkruaj dhe dua ta ndaj me të tjerët.

E keni menduar ndonjëherë që të ikni nga ky vend, meqenëse jemi në periudhën e ikjeve masive?


Jo, nuk e kam menduar.

Edhe nëse vendi mund të shkojë edhe më keq?


Kemi parë edhe 1997, luftë civile. Por u them të gjithëve që kanë një justifikim që ikim para fëmijëve të tyre, duke thënë qe ne u përpoqëm, por nuk ia vlen më. Unë them që ia vlen edhe pak para se të ikin. Kemi mundësi që republikën tonë për 2-3 vjet ta vëmë në rend para se të ikin.

Keni 7 vjet që bëni libra. A keni menduar se çfarë do të bëni, politikanin apo shkrimtarin, apo që të dyja?
E kam këtë dilemë, por çështja është se arti është shumë personal dhe si suksesin edhe dështimin e merr autori. Ndërsa në politikë, kemi të bëjmë me një akt kolektiv, me një ekip. Unë e kam shumë problem që të mbaj faullet e të tjerëve. E kam bërë në të kaluarën, por kam vendosur të mos e bëj më. Kjo mund të më nxjerrë mua nga fusha, por kjo nuk ka pikë rëndësie. Më mirë të jetoj si spektator i kënaqur sesa si një sportist i dështuar për shkak të të tjerëve. Pra, mos prisni që unë të bëhem një politikan kaubojs dhe të shkoj në Parlament me pistoletë. Mos duhet të vras disa njerëz që të jem politikan klasik i vlefshëm. Lexoj diçka në internet kur shkruajnë që ne të paguajmë me taksa që të shkosh në Parlament dhe ti bën libra. Këta më kërkojnë që unë të mos mendoj. Kjo është absurde. Kjo është fatale. Unë i bëj të dyja. Në fakt, unë kam disa javë që nuk kam shkuar në Parlament si refuzim. Ky parlament i orëve të fundit është i rëndë për t’u mbajtur. Kur je brenda, ti ndotesh dhe mbyllem brenda. Nuk bëhem dot si të gjithë. Kam zgjedh veten time, të shkruaj dhe të mendoj. Dua të bashkëjetoj me letërsinë, për aq kohë sa unë kam mundësinë.

A ekziston realisht Kadim Sedini?


Ekziston si personazh i librit.

A ekziston një kandidat i tillë?


Kandidatë të tillë të zgjedhur ka shumë nëpër Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama