Rolihlahla Dalibhunga u lind më 18 korrik të vitit 1918 në një fshat të vogël të Kepit në Afrikën e Jugut. Kur mbushi shtatë vjeç, u bë i pari pjesëtar i familjes së tij që do të shkonte në shkollë. Emri Mandela iu dha nga mësuesi i shkollës, nga një anë në nderim të admiralit të famshëm anglez Horatio Nelson dhe, nga ana tjetër, sepse kishte vështirësi në shqiptimin drejt të emrit të tij afrikan.
I ati i Mandelës kishte katër gra dhe trembëdhjetë fëmijë me to. Mandela lindi nga gruaja e tretë. Ai i konsideronte të gjitha gratë e babait si nënat e tij dhe fëmijët e tyre si motrat e vëllezërit e tij. Mandela, deri kur u rrit, mendonte se ishte normale që një burrë të kishte shumë gra.
Mandela u lidh në vitin 1943 me Partinë Kongresi Kombëtar Afrikan, parti që luftonte për të drejtat e të zinjve. Në fillim ai ishte veprimtar i kësaj partie dhe më pas u bë themelues dhe president i rinisë së partisë. Në vitin 1952 u diplomua si jurist dhe në vitin 1954 u martua për herë të parë me Evelyn Mase, lindi me të katër fëmijë, por u divorcua në vitin 1957. Në vitin 1958 Mandela u martua me gruan e tij të dytë, Uini Madikizelën, e cila u tregua shumë aktive në luftën kundër aparteidit dhe, më pas, për lirimin e Mandelës nga burgu. Me Uinin, Mandela pati dy fëmijë.
Regjimi jugafrikan kishte vendosur ligje të rrepta të ndarjes raciale për popullsinë, apo siç quheshin aty, ligje të aparteidit. Pakica e bardhë, rreth 10% e popullsisë, sundonte egërsisht në mbi 90% të pjesës tjetër të popullsisë. Ligjeve të aparteidit, populli afrikan iu përgjigj me protesta. Protestat ndaj atij regjimi vinin e shtoheshin, sidomos kundër ligjeve të lëvizjes, të ligjeve që diktonin vendet se ku duhej të jetonin dhe të lëviznin të zinjtë. Protesta e popullsisë së zezë mbetën gjithnjë, sipas udhëzimeve të Mandelës dhe të drejtuesve të tjerë të Partisë së Kongresit Kombëtar Afrikan, të padhunshme. Në vitin 1956, Mandela, së bashku me 155 aktivistë të tjerë, u akuzuan nga autoritetet raciste të Afrikës së Jugut për tradhti. Pas një gjyqi që zgjati katër vjet, ata dolën të pafajshëm.
Në vitin 1960, në një protestë kundër aparteidit në Sharpervil, u vranë nga policia 69 të zinj, Partia e Kongresit Kombëtar Afrikan u nxor jashtë ligjit dhe Mandela kaloi në ilegalitet. Në këtë kohë rezistenca krejtësisht paqësore mori fund dhe Mandela, që tashti ishte nënkryetar i partisë, udhëzoi një fushatë sabotimesh në ekonomi, por nuk inkurajoi vrasje. Më 5 gusht 1962 Mandela u arrestua. Në gjetjen dhe kapjen e tij ndihmoi edhe shërbimi amerikan i CIA-s. Mandela u akuzua për sabotim dhe për përpjekje për të përmbysur me dhunë qeverinë. Duke bërë vetëmbrojtjen, ai paraqiti bindjet dhe aspiratat e tij për demokraci, liri dhe barazi. Në atë mbrojtje, ai tha: "Gjithnjë kam mbështetur idealin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, në të cilën të gjithë të jetojnë së bashku në harmoni dhe me të njëjtat mundësi. Ky është një ideal për të cilin shpresoj të jetoj dhe të fitoj. Por, po të jetë nevoja, ai është një ideal për të cilin jam gati edhe të vdes". Në vitin 1964, Mandela u dënua me burgim të përjetshëm. Për 18 vjet, burgu i tij do të ishte në Robin Ailand, një ishull i izoluar 7 kilometra larg Keip Taunit, në të cilin do të thyente gurë në një gurore dhe më pas, për 9 vjet të tjera, do të kalonte në dy burgje në tokë.
Në vitin 1980, udhëheqësi tjetër i Partisë së Kongresit Kombëtar Afrikan, Tambo, që gjatë kësaj kohe ishte në mërgim, nisi një fushatë ndërkombëtare për të liruar nga burgu Mandelën. Komuniteti ndërkombëtar i forcoi sanksionet kundër Afrikës së Jugut. Mandelës iu propozua nga qeveria lirimi nga burgu, me kusht që të mos merrej më me politikë. Ai refuzoi.
Në vitin 1990, Presidenti i ri i Afrikës së Jugut, De Klerk, legalizoi Partinë e Kongresit Kombëtar Afrikan dhe Mandela, pas 27 vjetësh, u lirua nga burgu më 11 shkurt të vitit 1990. Lirimi i tij u transmetua drejtpërsëdrejti në televizor në të gjithë botën. Në fjalimin që mbajti atë ditë, ai u zotua se do t‘i përkushtohej paqes dhe pajtimit të popullit të Afrikës së Jugut.
Pas daljes nga burgu, filluan bisedimet për formimin e një demokracie shumëracore. Në këtë kohë, në Afrikën e Jugut plasën trazira komunale midis grupeve të ndryshme. Mandela i bëri thirrje grupit të tij, grupit më të madh, të mos përdorte armët në luftën politike. Në vitin 1992 Mandela e ndau gruan e tij, Uinin, sepse ajo u akuzua për veprimtari terroriste, për rrëmbim dhe për sulmim.
Në vitin 1993, Mandela dhe De Klerku u nderuan së bashku me çmimin "Nobel" për paqe. Një vit më pas, për të parën herë në historinë e Afrikës së Jugut, u bënë zgjedhje të përgjithshme të lira. Mandela u zgjodh President i vendit. Në ceremoninë e përurimit të Presidencës, Mandela ftoi të merrte pjesë edhe një nga gardianët e tij të burgut. Në vitin 1999 e la presidencën për t‘u zëvendësuar nga një udhëheqës tjetër i Partisë së Kongresit Kombëtar Afrikan, nga Mbeki.
Në vitin 1998, Mandela tetëdhjetëvjeçar u martua për herë të tretë, këtë radhë me Graca Machel, të venë e ish-presidentit të Mozambikut.
Veprimtaria vërtet e padhunshme dhe e urtë e Mandelës nuk u tregua aq gjatë luftës për shkërmoqjen e aparteidit, sesa pas asaj shkërmoqjeje. Kjo veprimtari përbën dhe punën më të shquar të tij.
Pas mundjes së aparteidit, si në çdo rast tjetër të përmbysjes së diktaturave, problem ishte se si do të bëhej ndarja me të shkuarën, se si do të trajtoheshin ligjërisht të gjithë ata që kishin mbajtur në këmbë atë regjim dhe që kishin kryer krime në emër të tij. Zyrtarët e lartë të bardhë kërkonin amnisti, pa pranuar t‘i nënshtroheshin asnjë hetimi dhe dënimi për veprimtarinë e tyre. Ata kërcënonin se nuk do t‘i lëshonin postet e tyre shtetërore, pa iu dhënë më parë amnistia. Të tjerë dhe shumë nga Partia e Mandelës, Kongresi Kombëtar Afrikan, kërkonin dënime të rrepta për të gjithë bashkëpunëtorët e regjimit.
Mënyra që zbatoi Mandela për të trajtuar problemin e bashkëpunëtorëve të regjimit të vjetër ishte tepër e veçantë. Ajo nuk i shëmbëlleu as asaj të zbatuar nga komuniteti botëror kundër nazizmit, pra "drejtësisë së fituesit," drejtësisë së gjyqit të Nurembergut, drejtësisë retributive, drejtësisë shpaguese, drejtësisë proporcionale, drejtësisë "një sy për një sy, një dhëmb për një dhëmb", drejtësisë hakmarrëse e as modelit që u zbatua nga vendet e ish-Evropës Lindore, në trajtimin e diktaturave komuniste dhe njerëzve të tyre, të cilët kishin kryer krime në emër të atyre diktaturave. Në këto vende, pas rënies së diktaturave, u fol në mënyrë abstrakte për krime, por nuk u mor kurrë ndonjë masë ndaj kriminelëve, nuk u shpallën kurrë zyrtarisht ata dhe nuk u njohën plotësisht krimet e tyre. Në këto vende u bë dhe bëhet shumë zhurmë për dosjet e spiunëve, ndonëse spiunët ishin vetëm një hallkë, shpeshherë e mjerë, e një zinxhiri të gjatë kriminelësh që kryesohej nga ideatorët e krimit, që vazhdonte nga miratuesit dhe mbështetësit e krimit dhe, përfundonte nga një seri kriminelësh e sadistësh ordinerë që realizonin materialisht krimin.
Për t‘u marrë me krimet dhe kriminelët e së shkuarës, për t‘i evidentuar dhe për t‘i dënuar, qoftë edhe moralisht ata, në Afrikën e Jugut, pas rrëzimit të sistemit të aparteidit, një vit pasi Mandela ishte bërë President i vendit, në vitin 1995, u krijua dhe filloi nga puna një komision hetimor që u quajt Komisioni i së Vërtetës dhe i Pajtimit. Vini re, emri është zgjedhur me shumë kujdes e me shumë domethënie. Ky komision, krejtësisht i paanshëm dhe krejtësisht i pavarur, nuk kryesohej nga ndonjë partiak i Mandelës, apo nga ndonjë racist i zi, por prej njërit prej personave më me integritet të Afrikës së Jugut, prej Kryepeshkopit të vendit, Desmond Tutu, laureat i çmimit "Nobel" për paqe. Komisioni kishte për detyrë të nxirrte në dritë të gjitha llojet e krimeve dhe të gjithë kriminelët që kishin marrë pjesë në ato krime. Sipas metodës së përdorur, secili që e dinte se i kishte shërbyer regjimit duke kryer krime, apo se e kishte kundërshtuar regjimin po duke kryer krime, qoftë i bardhë apo i zi, do të shkonte vetë të dëshmonte për krimet e kryera para komisionit, në prani të popullit, të televizioneve, të gazetarëve, të viktimave dhe të familjarëve të tyre. Në shkëmbim të të vërtetave që do të thoshte, do të siguronte ose jo amnistinë. Proceset ishin krejtësisht transparente, nuk mund të kishte as mbulesa dhe as sajesa krimesh nga shteti. Në hyrje të sallave, ku zhvilloheshin procedurat e dhënies së dëshmive shkruhej: "The truth shall set us free" (E vërteta do të na çlirojë) apo "The truth leads to reconciliation" (E vërteta çon drejt pajtimit.) Në qendër të vëmendjes ishte e vërteta, jo dënimi, jo hakmarrja. Të gjithë, pasi bënin dëshmitë, që duhet të ishin të sinqerta e të plota dhe, duke qenë të tilla, ishin edhe shumë tronditëse, amnistoheshin. Amnistia jepej rast për rast dhe jo në grup. Të amnistuarit e rifillonin jetën normalisht. Ata që kishin kryer krime dhe nuk paraqiteshin para këtyre komisioneve, në bazë të dosjeve të tyre, apo të padive të viktimave, gjykoheshin dhe dënoheshin sipas shkallës së fajit. I gjithë procesi zhvillohej midis kriminelëve dhe viktimave të tyre. Komisioni hetimor ishte vetëm mbikëqyrës.
Qëllimi i kësaj metode ishte nisja e një jete të re për të gjithë: për popullin duke falur, por duke mos harruar; për ata që kishin kryer krime, duke njohur krimet, duke i deklaruar dhe duke shprehur pendesë për to. Metoda e përdorur do të ndihmonte në procesin e pajtimit kombëtar. Në të vërtetë, ajo do të ishte njëfarë sakrifikimi i drejtësisë, por jo sakrifikimi i së vërtetës. Çdo vegël e regjimit të mëparshëm që kishte kryer krime, tashti e dinte se ishte falur, se ishte amnistuar, por jo se ishte shlyer, se ishte larë, se ishte pastruar, se nuk kishte kryer asgjë të keqe. Ai nuk mund të fshihej më mbas padijes, gënjeshtrës, heshtjes, apo mbrojtjes së një të fuqishmi në shtet; ai nuk mund të sillej më si arrogant, si kapadai e si fodull; ai nuk mund të vazhdonte të urrente dhe të luftonte viktimat e tij, që ishin dëshmitarë të krimeve të tyre dhe që, ashtu siç thoshte Ainshtaini: "Sa më mizore të jetë sjellja e dikujt ndaj një personi apo ndaj një populli, aq më e thellë është urrejtja dhe cinizmi i tij ndaj tyre".
Mandela për luftimin e së keqes nuk përdori metodat që përdori sistemi racist paraardhës për të mbajtur pushtetin e tij: metodat e dhunës, metodat e eliminimit fizik të kundërshtarëve. Një sistem civil, i cili zëvendëson një sistem diktatorial të dhunës, nuk mund të përdorë po ato metoda që ka përdorur sistemi brutal e gjakësor i dhunës, për të ndëshkuar apo korrigjuar kundërshtarët e tij. Në të vërtetë, një sistem civil nuk mendon se ka kundërshtarë, si të thuash, personalë. Ai pranon se ka nxitës dhe zbatues të së keqes dhe ai e lufton të keqen, e ndryshon atë dhe përmirëson të këqijtë. Mandela goditi të keqen dhe vetëm të keqen, duke e shpallur dhe demaskuar atë.
Në vitin 1998, tre vjet pasi filloi punën, Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit e përfundoi detyrën dhe botoi raportin e tij, në të cilin dokumentoheshin të gjitha krimet e kryera nga njerëzit e shtetit, por edhe nga kundërshtarët e shtetit, duke përfshirë edhe ato të Uini Mandelës, gruas së Mandelës. Komisioni në raportin e tij jepte rekomandime për përmirësimin e gjendjes dhe për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj atyre që nuk e përfitonin amnistinë.
Me këtë mënyrë të trajtimit të krimit, në të cilën duhet të dalë me çdo kusht e vërteta, në të cilën e vërteta duhet njohur sado e hidhur dhe e shëmtuar që të jetë, në të cilën brezat e rinj duhet të njohin se ç‘kanë bërë brezat e mëparshëm, në të cilën fëmijët duhet të dinë se ç‘kanë bërë prindërit e tyre, në të cilën të dënohet kryesisht krimi dhe jo krimineli, në të cilën mjetet duhet të jenë po aq të mira sa dhe qëllimi, Mandela, tashmë i moshuar, mbi shtatëdhjetë e pesë vjeç, i dha fund një të kaluare mizore, si dhe armiqësive që mund të vazhdonin prej saj edhe për shumë kohë më pas. Ai, ashtu, paraqitet si një burrë shteti i madh e i urtë, si model për vende të tjera, në të cilat, në kushte diktaturash, ishin kryer krime të ngjashme dhe, pas rrëzimit të tyre, nuk u mor asnjë masë ndaj së keqes apo të këqijve, madje e keqja as që u njoh zyrtarisht e praktikisht. Vende të tilla në fund të shekullit të njëzetë, në kohën që përkon plotësisht me rrëzimin e aparteidit në Afrikën e Jugut dhe me përpjekjet e atij vendi për ndarjen me krimin politik, pati me shumicë në Evropë. Në këto vende, krimi politik, mjerisht, mbeti i pazyrtarizuar, ai mbeti i pashpallur, ai mbeti jetim, ai nuk u dokumentua, ai nuk u dënua dhe për këto arsye ato vende vuajnë ende dhe do të vuajnë edhe më tej nga kriminelë kapadainj e nga pasardhës të tyre, nga krime të mbuluara, nga armiqësi të shkuara, nga armiqësi që mendohen si të mbyllura, por që zhvillohen në një terren të ri.
Në kohën e sotme Mandela, edhe pse pa post politik, dallohet si një person me integritet politik të padiskutueshëm, si një person me qëndrim shumë parimor në trajtimin e problemeve ndërkombëtare. Fjala e tij dëgjohet kudo me shumë kujdes dhe respekt. Presidenti amerikan Klinton ka thënë për Mandelën: "E admiroj atë për qëndrimin që mbajti për 27 vjet… Nuk jam gjithnjë në një mendje me të… Por, në qoftë se ka ndonjë që ka fituar të drejtën të më thotë çfarë të dojë, ai është Mandela. Kurdoherë që më telefonon dhe më thotë ‘Presidenti im‘, unë e di se ç‘do dhe do ta bëj atë, dua apo s‘dua".
Në vitin 2003 Mandela kritikoi publikisht Presidentin amerikan Bush për pushtimin e Irakut. Ai e quajti atë agresor. Në shenjë proteste të luftës së Bushit në Irak, Mandela refuzoi ta takonte atë, kur ai bëri një vizitë në Afrikën e Jugut. Konservatorët republikanë amerikanë nuk e kanë parë kurrë Mandelën si mikun e tyre, apo si një demokrat të vendosur, ata e kanë konsideruar atë, ashtu siç kanë konsideruar edhe të gjithë të tjerët që ndryshojnë në mendim me ta, si komunist. Në vitin 1986, kur kërkohej një votë e Kongresit Amerikan për lirimin e Mandelës nga burgu, zëvendësi i sotëm i Bushit, Dik Çenei, votoi kundër.
Anglia e ka parë ndryshe Mandelën. Në gusht të vitit 2007, në Londër, në Sheshin e Parlamentit, u ngrit dhe u përurua një statujë e Nelson Mandelës. Ajo u vendos në të njëjtin shesh ku ishin vendosur edhe statujat e njerëzve të tjerë të mëdhenj të botës: të Uinston Çërçillit, të Abraham Linkolnit, të Beniamin Dizraelit. Në ceremoninë e përurimit, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Braun, mbajti një fjalim, në të cilin e cilësoi Mandelën si "udhëheqësin më të madh dhe më kurajoz të gjeneratës sonë". Në atë ceremoni, Mandela tha se edhe pse statuja ishte e një njeriu, ajo simbolizonte të gjithë ata që i kanë rezistuar shtypjes. Kryetari i Bashkisë së Londrës, Livingston, tha se shumë kohë pasi të gjithë ata që merrnin pjesë në atë ceremoni do të ishin harruar, Mandela do të kujtohesh për të vërtetën e mrekullueshme që i mësoi botës: se drejtësia mund të arrihet pa hakmarrje.
Nga : Gazeta Shqip











