Topi “E patolerueshme qe hapja e dosjeve te kthehet ne demagogji te paster”

Topi: “E patolerueshme, që hapja e dosjeve të kthehet në demagogji të pastër”
Mjaft qytetarë kanë problem edhe me gjykatat, ku siç shprehet njëri prej tyre, “drejtësia nuk jep drejtësi”. Ndërkaq, është shpallur një reformë në sistemin e drejtësisë. Lajmet që vijnë ditët e fundit për konflikte midis ministrit të Drejtësisë me nënkryetarin e KLD, qytetarët i presin me shumë shqetësim. Si po ecën reforma në drejtësi dhe a ka pengesa për ta çuar atë deri në fund?


Ka dy linja të reformës në drejtësi, njëra linjë është e reformës legjislative, pra reforma e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e gjyqësorit. Janë bërë hapa konkrete, ka një miratim muajt e fundit të një ligji organik për sistemin gjyqësor, është në vazhdim puna për prokurorinë dhe për struktura të tjera që lidhen me drejtësinë, me Këshillin e Lartë të Drejtësisë e kështu me radhë. Ka një linjë tjetër që është linja e reformimit të kualiteteve njerëzore dhe KLD, që unë e kryesoj prej një viti me detyrën e presidentit, mund t’ju them që ka organizuar një rinovim të strukturave drejtuese të gjykatave, proces i cili është bërë në transparencë të plotë me të ashtuquajturin Libri i Bardhë, ku ka pasur një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të komunitetit të gjyqtarëve, por edhe të publikut.

Kështu që janë rinovuar dhe ne mendojmë se KLD bashkë me gjykatat kanë ndërtuar një dokument bazë, i cili është referencë për funksionimin me korrektësi të punës së tyre në të ardhmen. Besojmë se, qoftë reforma në legjislacion, qoftë përmirësimet e kualiteteve, ku janë marrë në mënyrë të konsiderueshme mendimet e publikut edhe për statusin moral të gjyqtarëve, do të japin patjetër një rritje të dukshme të punës në sistemin e drejtësisë.


Janë dhe të përndjekurit, shpeshherë ju drejtohen në largësi, por dhe duke hyrë në derën tuaj si shpresë e tyre për zgjidhjen e problemeve të dëmshpërblimit. A ekziston realisht vullneti i strukturave shtetërore për të zgjidhur problemet e tyre?


Unë mund t’ju them se, po të kishte ekzistuar vullneti, kjo gjë do të duhej të ishte zgjidhur. Asnjëherë të përndjekurit politikë nuk kanë kërkuar para cash për gjithçka që iu ka takuar. Ata kanë qenë mirëkuptues, që në kohën kur unë kam qenë në parlament, qoftë në opozitë, qoftë në mazhorancë. Ata kanë kërkuar skemën e kompensimit financiar, një skemë realiste, një skemë, e cila do të fillojë të bëhet funksionuese. Fakti që kanë kaluar vite, fakti që sot kemi një zë të ngritur të të përndjekurve politikë, ndonëse ata janë edhe në vetvete të ndarë në rryma të ndryshme, ata bashkohen në një zë, bashkohen te kërkesa për fillimin e kompensimit real të vuajtjeve të tyre, të cilat nuk kanë qenë thjesht vuajtje të individëve që kanë qenë në burg, por kanë qenë të familjarëve të tyre të internuar, të brezave që janë ndjekur në kuptimin e vërtetë të fjalës, që nuk kanë marrë arsimimin e duhur, pra, dëmi që është shkaktuar te shtresa e të përndjekurve politikë është një dëm kolosal, i cili kurrsesi nuk mund të kompensohet me një skemë financiare. Kështu që kjo e bën të domosdoshme që skema financiare minimalisht duhej të jepej në mënyrë të menjëhershme, për të demonstruar jo vetëm vullnet politik, por mbi të gjitha atë që thamë në fillim të intervistës sonë, që fjala e dhënë duhet të jetë kompatibël me fjalën e mbajtur.


Kohët e fundit ka patur raste, kur është krijuar imazhi se keni mjaft pengesa në ushtrimin e detyrës suaj. Votimi i ndryshimit të rregullores së Kuvendit lidhur me dekretet tuaja është komentuar si një rrudhje e kompetencave të presidentit. Qytetarët që e ndjejnë këtë me instinkt, kanë shprehur mbështetjen për ju, jo pak herë në emisionin “Koha për t’u zgjuar”. A ndjeheni realisht në vështirësi dhe, nëse po, si do të mund t’i kapërceni pengesat?


Ju doni të konfirmoni atë që thonë qytetarët? Do kisha bërë gabim, nëse do thoja të kundërtën, sepse unë e mbaj zërin e qytetarit si një referencë reale. Ajo që percepton qytetari është përtej zërit të një njeriu, përtej zërit të një intelektuali apo qytetari të thjeshtë. Nuk mund të them që nuk ekzistojnë. Këto vështirësi janë vështirësi të forcimit të demokracisë nëpër institucione dhe besoj që është një debat politik dhe publik, i cili unë shpresoj dhe besoj të mos jetë i personalizuar. Shpresoj që të jetë shumë parimor. Them shpresoj, sepse shpeshherë ndryshimet e mëdha ndodhin brenda një nate, ndërkohë që ndryshimet e mëdha presupozojnë të jenë në frymën e asaj që kërkohet me referendume, pra atëherë kur miratohet Kushtetuta, ku qytetari duhet të jetë i pranishëm me zërin dhe me votën e tij. Po unë mendoj që këto gjëra patjetër që do të sistemohen gradualisht, sepse nuk bëhet fjalë për interesat e një individi, kurrsesi. Unë kam qenë konstant në jetën time, pavarësisht nëse kam qenë politikan i thjeshtë apo tani që jam në një pozicion të lartë të shtetit. E vetmja konstante që dëshiroj të mos ndryshojë është raporti im me qytetarin, sepse, tek e fundit, merret edhe certifikimi i politikanit, merret certifikimi, nëse këtë e ke bërë për të kapur një karrierë apo e ke bërë për të realizuar një mision qytetar. Dhe unë jam i sigurt se nuk ka asnjë lloj ndryshimi, deformimi nga misioni fillestar. Aq më shumë sot, që ulem në këtë pozicion, që në radhë të parë i takon qytetarit për t’i shërbyer atij, pastaj të tjerëve.


Janë disa çështje që përfliten vazhdimisht, Gërdeci, nëntëdhjetë e shtata, rritja e çmimeve dhe përballë tyre një çështje shumë intriguese: hapja e dosjeve. A ka në këtë mes një lojë politike për të fshehur realitete, apo mendoni se realisht shoqëria duhet të përballet në mënyrë frontale me të gjitha?


Unë mendoj që të gjitha këto që u përmendën janë ngjarje të hidhura. Ngjarje të hidhura, sepse ju iu referoheni shprehjeve të qytetarëve për etapa dhe ngjarje të rëndësishme e tragjike që ka kaluar vendi dhe shoqëria jonë. Kam parasysh vitin ’97, duke vazhduar me ngjarjen e Gërdecit, ngjarje me përmasa tragjike, duke vazhduar më pas me çështjen e diskutueshme të hapjes së dosjeve. Unë pa dyshim që dëshiroj të bëj komentin tim për çështjen e fundit. Në parlament drafti që po diskutohet është propozim i grupit parlamentar të PD, ka emrin tim atje, pra si kryetar i grupit, çka do të thotë që kjo është një çështje e hershme, por është akoma më e hershme, sepse çështja e hapjes së dosjeve ka filluar që në vitin ’92 dhe është e pafalshme për politikën, e patolerueshme do të thoja, që në vitin 2008, kur kanë kaluar kaq vite, kjo të kthehet në një demagogji të pastër dhe të mos ketë hapa konkretë, hapa realë. Mbi të gjitha, kjo vlen jo për të gjithë shoqërinë, vlen për ata njerëz që marrin funksione publike dhe futen në një kontradiktë shumë të thellë, kontradikta është që i besohet një mision publik, ku qytetari i thjeshtë shpreson që ai njeri që zgjidhet, do t’i shërbejë atij dhe, kur nuk ka transparencë për këta njerëz, atëherë ne kemi veshur të gjithë këtë karrierë me një mister të madh. Kështu që do të ishte e padiskutueshme që dosjet duhej të ishin hapur.

Është edhe një kërkesë e Këshillit të Evropës, madje kemi një deklaratë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zoti Aleksandër Biberaj ka pasur një rol aktiv konkret dhe ka qenë gati i mandatuar, sepse është edhe nënkryetar i Asamblesë Parlamentare, dhe unë do ta gjeja zotin Biberaj si një zë të fortë, i cili do të ishte promotor i asaj që nuk është realizuar për 18 vjet. Nuk duhet të ketë më shanse asnjë politikan, asnjë zyrtar, që të marrë misione për t’i shërbyer qytetarit, duke pasur një damkë të errët, një moment të errët në jetën e tij, sikurse ndodh. Eksperienca në të gjitha vendet e ish-Lindjes, që e kanë kaluar këtë fazë, shoqëria private në kapitalizëm të jep një mijë mundësi, ku çdo njeri, i cili në një etapë të caktuar të jetës së tij mund të ketë gabuar, të shkojë e të punojë i lirë e i qetë, të gëzojë frytet që ka demokracia, por të mos marrë misione të rëndësishme, të cilat në këtë rast qytetarët me të drejtë i quajnë misione të marra me qëllim për të deformuar demokracinë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë dhe në vazhdim. Një e keqe asnjëherë nuk është vonë për t’u shkulur nga trupi. Këtu nuk është problem që po krijohet një persekutim për këtë kontigjent njerëzish, por këta njerëz së pari duhet të kenë një reflektim moral, janë ata vetë që duhet të reflektojnë, në mënyrë të heshtur t’i shkëputen politikës, t’i shkëputen karrierës, sepse kjo nuk do të jepte asnjë lloj shansi për kredibilitetin e institucioneve dhe njerëzit që i drejtojnë këto institucione.

Nga Bashkim Hoxha, Gazeta “Tribuna”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama