Ah, kam ardhur me pushime. Ashtu si çdo verë, unë vij pushoj në Pogradec. Ky qytet më pëlqen pasi është vërtet një perlë, por desha të shtoj një fakt që më bëri përshtypje në ato spotet që bëri Ylli Pango mbi turizmin tek ne. Nëpër stacionet prestigjioze nuk pashë asgjë për Pogradecin dhe më duket një gabim i rëndë të lesh jashtë këtë perlë, siç është Pogradeci. Është vërtetë mëkat dhe papërgjegjësi. Por meqenëse më pyetët dhe për krijimtarinë, edhe pa krijimtari nuk rri dot pa u marrë, po punoj me disa gjëra të vogla, por më shumë po pushoj.
Z.Agolli, doli përsëri në skenë problemi i hapjes së dosjeve. Mos është tërheqje e vëmendjes për Gërdecin?
Edhe problemi i Gërdecit mund të jetë për t’u anashkaluar, por kjo historia e dosjeve ka 20 vjet që na mban pezull. Dosjet duhet të hapeshin që 20 vjet më përpara, por me dosjet janë bërë manipulime. Dosjet janë hapur dhe ata peshqit e mëdhenj i kanë pastruar dosjet e tyre. Aty mund të kenë mbetur peshqit e vegjël. Ka mbetur dosja e ndonjërit që ka spiunuar ndonjërin që ky tha se “nuk ka djathë” apo ndonjë spiunllëk që mund t`i ketë bërë ndonjë kryetari kooperative. Unë them se në dosje nuk janë të gjithë, ata që kanë pasur mundësi, i kanë pastruar. Po të duash, hapi dosjet, po hapi në atë mënyrë që ai njeri që do të marrë pushtet apo do të bëhet deputet, thirri mënjanë dhe thuaji: Ti e di që ke qenë i implikuar me Sigurimin e Shtetit prandaj tërhiqu butësisht dhe shko bëj një punë në profesionin tënd, se nuk i plotëson kushtet për t’u ulur mbi këtë karrige. Është kollaj që të thuash që ky është spiun, por ai ka 20 a 30 veta me vete; familjarë, shokë, krushqi. Ka fëmijët, ka të gjithë njerëzit e tij. Pse të bëhet kjo zhurmë? Puna bëhet me qetësi. Hapja e dosjeve është një punë dhe çdo njeri, punën e bën pa zhurmë. Hapja e dosjeve është një punë si gjithë të tjerat, e cila duhet bërë pa tensione të brendshme.
Z.Agolli, opozita po akuzohet nga disa zëra edhe brenda saj se po sillet si e butë dhe bashkëpunëtore me Berishën...
Mua më kanë pëlqyer lëvizjet e Edi Ramës. Ai me urtësi ka ulur tensionet dhe po zhvillon vërtetë një politikë të re, me vizione të reja, lag politikës konfliktuale, e cila në këto 20 vjet pluralizëm na ka gërryer si krimbi drunë dhe na ka lodhur së tepërmi. Edi Rama kudo që ka shkuar e ka zhvilluar dialogun me qytetarin, jo me anëtarin e partisë. Rama i ka prekur hallet e popullit duke shkuar atje ku janë njerëzit. Ja, unë mora vesh që ka qenë edhe në Mokrën tuaj të thellë malore. Të vjen keq që nuk sheh një ministër të qeverisë aktuale që të shkojë tek njerëzit, atje ku janë hallet e popullit dhe ky popull, për hir të së vërtetës, ka shumë halle. Të shkojë ministri dhe t’u thotë njerëzve atje në bazë, si jeni, si i keni hallet, çfarë problemesh ju shqetësojnë... Edhe ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor i shërbejnë shmangies së konfliktit. Çdo parti politike të konkurrojë me forcat e saj dhe mbi bazën e votave të popullit, të marrë atë që i takon. Boll hëngrën partitë e vogla nga të mëdhenjtë! Ja si ndodhi; iu dha Berisha të vegjëlve nga një ministri dhe ata, sikur ta kenë çiflig, që nga maja nga ministria, deri në bazë, venë militantët e partisë së ministrit që është në qeveri ndonëse nuk kanë kapacitete dhe venë njerëz të paaftë, por vetëm të kenë veshur fanellën e partisë së ministrit. Kjo është katastrofë! Të të drejtojnë të paaftit është një e keqe e madhe. Të aftit nga të paaftit, ndryshojnë ashtu siç ndryshojnë të vdekurit nga të gjallët. Ky është një paradoks. Do të qeverisin ato që do populli dhe ato parti që fitojnë, dhe jo ata që hanë në kurriz të tjetrit si shushunjëza.
Z.Agolli, kohët e fundit ka pasur sulme të shumta mbi personalitete të kulturës dhe figura historike të vendit tonë. Cili është komenti juaj?
Po, unë do ta filloja me këta që merren me Ismail Kadarenë. Lloj-lloj sajimesh dhe letrash. Lere, tani Kadareja është shkrimtar i madh dhe i afirmuar në tërë botën. Kadareja është shkrimtar i madh që i bën nder Shqipërisë. Gjërat duhen vendosur në kohë. Nuk gjykohet me njëanshmëri, por harrojmë të gjykojmë mbi veprën që na ka lënë. Por ne jemi mësuar të hedhim baltë mbi këdo, edhe mbi disa simbole që ne i kemi të shenjta. Edhe për Nënë Terezën kemi hedhur baltë, edhe mbi Naim Frashërin kemi hedhur baltë, edhe mbi Fishtën, mbi Faik Konicën po hidhet baltë, mbi Skënderbeun, edhe mbi Ali Pashë Tepelenën. Këta janë simbole të Kombit. Gjyko mbi veprën e tij. Rrëmohet jeta personale deri në skuta. Edhe në kohën e socializmit kur shkruhej vepra, mendohej se ky regjim ishte i drejtë dhe i shërben popullit.
Mua më kanë pëlqyer lëvizjet e Edi Ramës. Ai me urtësi ka ulur tensionet dhe po zhvillon vërtet një politikë të re, me vizione të reja, lag politikës kofliktuale, e cila në këto 20 vjet pluralizëm na ka gërryer si krimbi drunë dhe na ka lodhur së tepërmi. Edi Rama kudo që ka shkuar e ka zhvilluar dialogun me qytetarin, jo me anëtarin e partisë. Rama i ka prekur hallet e popullit, duke shkuar atje ku janë njerëzit.
Edhe ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor i shërbejnë shmangies së konfliktit. Çdo parti politike të konkurrojë me forcat e saj dhe mbi bazën e votave të popullit, të marrë atë që i takon. Boll hëngrën partitë e vogla nga të mëdhenjtë.
Po unë do ta filloja me këta që merren me Ismail Kadarenë. Lloj-lloj sajimesh dhe letrash. Lere, tani Kadareja është shkrimtar i madh dhe i afirmuar në tërë botën. Kadareja është shkrimtar i madh që i bën nder Shqipërisë. Gjërat duhen vendosur në kohë. Nuk gjykohet me njëanshmëri, por harrojmë të gjykojmë mbi veprën që na ka lënë. Por ne jemi mësuar të hedhim baltë mbi këdo, edhe mbi disa simbole që ne i kemi të shenjta.
Po të duash, hapi dosjet, po hapi në atë mënyrë, që ai njeri që do të marrë pushtet apo do të bëhet deputet, thirri mënjanë dhe thuaji: Ti e di që ke qenë i implikuar me Sigurimin e Shtetit prandaj tërhiqu butësisht dhe shko bëj një punë në profesionin tënd, se nuk i plotëson kushtet për t’u ulur mbi këtë karrige.
Bardhyl Berberi : Gazeta Shekulli











