Shqiptaret evropianet me te lashte dhe me te rinj

Shqiptarët, evropianët më të lashtë dhe më të rinj
Të punosh në administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk do të thotë që apriori të identifikohesh me një zyrtar burokrat. Në të vërtetë, ka disa personalitete nga vende të ndryshme të botës, që këtë eksperiencë e kanë shfrytëzuar për të mbledhur materiale interesante për librat e tyre të ardhshëm. Disa nga këta libra, ku shigjetat e kritikave i drejtohen pikërisht institucionit ku kanë punuar, kanë dalë në dritë, por të tjerë, më të shumtë me siguri, pritet të informojnë se çfarë ka ndodhur realisht me OKB në Kosovë, një organizatë kjo gjigante, që mbi të gjitha ka prodhuar status quo-në përmes njëmijë e një veprimeve të padukshme, që shpesh vetëm ata që kanë punuar aty i kanë kuptuar. Një eksperiencë të tillë, çështje të ndjeshme tashmë, bëjnë pjesë edhe në dosjen personale të Mal Berishës. Dikur një diplomat shqiptar, kontributi i të cilit në Turqi është i çmuar, e sot një punonjës i OKB-së, por jo vetëm kaq. Për Mitrovicën, qytetin ku ka punuar për shumë vite e ka parë shumëçka, do të flasë pak më vonë, atëherë kur t‘i ketë mbyllur "kontratat e fjalës" me ndërkombëtarët.

Tashmë librat që ka nxjerrë nga duart e tij janë dy dhe që të dy kanë të bëjnë me studime dhe mënyrat se si e kanë paraqitur Shqipërinë dhe shqiptarët mediat prestigjioze. Në kohën kur jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria e sheh veten nëpër faqet e gazetave të huaja gjithnjë për gjëra negative, ka pasur media prestigjioze me gazetarë-udhëtarët kureshtarë që i kanë parë shqiptarët në një dritë tjetër. Të tillë kanë qenë gazetarët e "National Geographic", revistë amerikane me famë botërore, që i kanë rënë Shqipërisë kryq e tërthor rregullisht, pothuajse çdo 5-vjeçar. Një vend i panjohur, por ekzotik, një vend i vjetër, më i lashti në Ballkan, e që ka mbijetuar falë tipareve të tij të veçanta. Mal Berisha ka kaluar nëpër duart e tij të gjitha botimet e një shekulli dhe ka nxjerrë prej aty çdo fjalë që thuhet për shqiptarët, çdo përshkrim për të cilin këta të fundit nuk kanë qenë as të vetëdijshëm e jo më krenarë. "Brengës, dhembjes, dashurisë dhe krenarisë sime të pafund që mban emrin Kosovë", ky është dedikimi në faqen e parë të librit dhe mesazhi është fare i qartë. Një libër që ka përmbledhur një shekull vlerësimesh të shtypit amerikan për Shqipërinë dhe Shqiptarët që u shfaqën për herë të parë në vitin 1908, vetëm katër vjet para shpalljes së pavarësisë. Natyrisht Kosova e sotme është shumë më me fat. Pavarësia e saj u ndoq "live" nga e gjithë bota, por propaganda e fqinjëve serbë veçanërisht vazhdon me një intensitet më të lartë për shtrembërimin e fakteve historike. Ndaj nevoja për të njohur vetveten, historinë tonë është e madhe. Libri me titull "Shqiptarët, lisa mbi truallin Ilir", sjell të gjitha vlerësimet e kësaj reviste, por të grupuara sipas temës për periudhën 1908-2003. Shqipëria ka munguar në këtë revistë prestigjioze gjatë periudhës komuniste, por jo plotësisht. Një gazetar i famshëm, nëpërmjet një miku të tij turk, i kishte gjetur shtigjet e depërtimit edhe në muret e izolimit komunist.

Por, gjithsesi, fillimi i shekullit kur u publikua shkrimi i parë më 1908-ën i gjeti shqiptarët në një gjendje aspak të lakmueshme. Në atë kohë, shteti shqiptar nuk kishte lindur ende. Shqipëria përmendej në shkrimet e bëra nga udhëtarë, që kishin kaluar pranë, apo nëpër Shqipëri. Por, në vitet 1909, 1912, 1913 Shqipëria e sheh veten në faqet e revistës deri sa vjen te shkrimi i parë i plotë i ilustruar dhe plot informacion, i shkruar nga gjeneral brigade i ushtrisë amerikane, George P. Scriven, i cili është gjithashtu bashkëthemelues i Qendrës së Aeronautikës NASA në Florida.

Shkrimi mban titullin "Vëzhgime të kohëve të fundit në Shqipëri", gusht 1918 dhe përbën edhe fillimin e një periudhe kur Shqipëria shfaqet në revistë me tipare sa të veçanta, aq edhe romantike e realiste. Ndërsa në dhjetor të vitit 1918, në një shkrim të veçantë për racat e Evropës, raca shqiptare zë një vend të rëndësishëm, përshkruhet plot me ngjyra interesante dhe mënyrë me një mjaft shkencore.

Ky artikull përbën bazën e librit të dytë të Mal Berishës, "Shqiptarët, evropianët më të lashtë dhe më të rinj".

Përveç shpjegimeve të sakta shkencore të autorit që ka punuar disa kohë mbi këtë, studimi është një përkthim, por mjaft i detajuar i racave që në këtë kontekst ka kuptimin e popujve të sotëm në Evropë. "Racat në Evropë" është shkruar nga G.H. Gasnover, profesor shumë i njohur amerikan i kolegjit "Robert" të Stambollit, botuar në vitin 1918, në të njëjtën revistë amerikane. Për të bërë dhe hartuar këtë studim, atij i është dashur të shkelë me këmbë çdo pëllëmbë të Evropës. Shkrimi rendit edhe kombin shqiptar midis kombeve më të vjetra të Evropës. "Ky fakt na bën vërtetë krenarë, por edhe na detyron që të arrijmë zhvillim e kombeve të tjera, që megjithëse mund të jenë të pranishëm më vonë se ne në kontinentin evropian, kanë bërë përparime të mëdha", thotë Berisha. Ndërsa materiali tjetër që përmban libri është "Racat dhe fetë në Maqedoni", shkruar nga Luigji Villari, në librin çështja ballkanike, në vitin 1912. Pjesa e dytë e librit në fjalë, që ka dalë nga shtëpia botuese një muaj më parë, përbëhet nga materiale të nxjerra nga anale të institucioneve bashkëkohore evropiane. Në disa prej këtyre institucioneve, Shqipëria dhe Kosova synojnë të anëtarësohen edhe pse rruga e tyre duket e gjatë. Por, mbi të gjitha, janë informacione të nevojshme, që secili prej nesh t‘i dijë.


Pjese nga librat e Mal Berishes


...Shqiptarët zënë një territor në lindje të Adriatikut, që i korrespondon afërsisht Epirit të lashtë dhe Ilirisë Jugore..., ata i kanë rrënjët në vendin e tyre... është e pranueshme që t‘i shohim ata si popullin më të vjetër të Evropës Juglindore, pasardhës të pellazgëve...



"Shqipëria është Lis i rritur mbi një trung ilir. Ashtu si disa drurë të mëdhenj zënë me hijen e tyre një pjesë të madhe të lëndinës, mbretëria e shtriu hijen e saj mbi Epir, në veriperëndim të Maqedonisë dhe në më të shumtën e territoreve që sot quhen Jugosllavi... Ajo, gradualisht, u shkatërrua nën sulmin e furishëm të Filipit të Maqedonisë dhe të birit të tij të famshëm, Aleksandrit. Më vonë, rreth kohës kur Roma kishte përfituar për vete nga parulla e luftës ‘Delenda est Carthago‘, iu kthye pushtimit transadriatik dhe Ilirisë, duke e vendosur atë në varësinë e tri perandorive. Duke ndjekur ndarjen e Epirit, Iliria ra nën gotët dhe, më vonë, jugu i saj u përfshi nga pushtimet bullgare. Kështu, të shtyrë nga prapa, fiset ilire, epirote dhe maqedonase u shkrinë në një dhe, konkretisht, në atë që gjeografia e kohës së sotme e njeh si Shqipëria. Asgjë nuk mbeti nga Lisi Ilir përveç lëndës shqiptare".

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama