Klodeta Gjini rekordmenia e atletikes qe u be teme studimi ne Rome (FOTO)

Klodeta Gjini, rekordmenia e atletikës që u bë temë studimi në Romë (FOTO)

Nga UVIL ZAJMI

Cila ishte Klodeta Gjini, karriera sport ive e vajzës që shtangu mjedisin sh qiptar, kur kaloi mitin e mjeshtres Pronjari? Çfarë bën sot nxënësja që i binte të fikët në klasë pas garave, ajo që ka konkurruar me Stefka Kostandinovën kur ishte 16 vjeç?

13106806_10208305438090171_1223309750_oNga urdhri i Ramiz Alisë për punësim si merceologe në NTUS, llastiku i transportierit të llaçit, trajneri Ruli, familja, deri te refuzimi i ftesës së "Rai"- t, si dhe dëmtimet që habitën mjekësinë sportive italiane.

Cila është jeta e kampiones që i erdhi në ndihmë "Operacioni Pelikan" dhe pasioni i saj për pikturën? Një histori nga fillorja dhe zbulimi i Qendros, te rekordi i parë dhe ai legjendar, që vazhdon të mbetet i pathyer edhe pas një çerekshekulli!

Radoja, ai që i "zbuloi" talentin

Nëse Robert Radoja do t'i kishte premtuar se do të bëhej këngëtare ose muzikante e famshme, kur në moshën 6-vjeçare u provua, jeta e saj do të ishte krejt ndryshe.

Por mjeshtri i njohur, me sinqeritetin që e karakterizon e me dashamirësi, i tha se "nuk ke vesh për muzikë e as zë për të kënduar". Dhe nuk kishte gabuar!

Ajo do të bëhej rekordmene në kufijtë e një legjende në sport, në garën e kërcimit së larti.

13106600_10208305437890166_72143158_oPetrit Qendro dhe kërcimi i parë: 1 m

Kur Petrit Qendro, profesori trajner, shkon në shkollën "Vasil Shanto" në kërkim të vajzave të vogla për klasat e para sportive për te "20- vjetori", të sapokrijuara atë ditë, Klodeta e sëmurë nuk është në mësim, kurse mësuesja i rekomandon Qendros një vajzë të gjatë, por që mungon.

Këmbëngulja e Qendros, miratimi i prindërve, ndonëse ngurrojnë paksa, pasi është e vogël, në klasë të dytë dhe viti shkollor sapo ka filluar, bënë që Gjini të transferohet te një tjetër tetëvjeçare, aty ku do të nisë karrierën pa limite të një sportisteje. Ndërkohë frekuenton edhe Pallatin e Pionierëve, degën e gjimnastikës së lirë, që do t'i shërbejë gjatë në çdo drejtim. Me një trup elegant, që e ruan edhe sot, kur ishte vetëm 9 vjeçe, në kampionatin me moshat e vogla që zhvillohet në "Qemal Stafa", kërcen lartësinë 1 metër, duke tërhequr vëmendjen e specialistëve. Si shkollë e sistemit zinxhir, "20-vjetori" i takon klubit "17 Nëntori" me trajnerët Petrit Qendro,

Hamide Xhaja, që së bashku me Sokol Morinën, shef i atletikës, do të jenë vendimtarë për Gjinin, pasi janë vitet e hovit të madh që pati kjo disiplinë në këtë klub.

13090016_10208305437810164_1891164418_nNxënëse e Gjebreas dhe studente e Lili Josës

Pak veta e dinin se ka qenë "Mjeshtre e Merituar Sporti" në moshë shumë të re, madje kur ulej në bankat e shkollës, ku as mësuesit nuk e dinin që në klasë kishin nxënëse një kampione, rekordmene, e cila të hënën, një ditë pasi kishte thyer rekordin e Pronjarit, humbi ndjenjat në orën e letërsisë me Agim Polovinën.

Ndërsa i rikthehet fillores e tetëvjeçares, Klodeta kujton Kaliopi Gjonin, Merjopi Gjebrean, Fatos Baxhakun, festat e Vitit të Ri kur vinin e këndonin Ardit Gjebrea dhe Irma Libohova, pastaj në gjimnaz, mësuesen e fizikës, Marta Toçi, atë kujdestar, Llazar Matlinë. Për të vijuar në Fakultetin Ekonomik 1983-'87, me Lili Josën, pedagogen e statistikës, që i thoshte: "Ti vjen gjithmonë në leksion, ndryshe nga djali im dhe shokët e tij (djali Mirel Josa) që mungojnë".

E përfundoi shkollën e mesme me mesataren 9.4, që i dha mundësi të vazhdonte Ekonomikun, më pas ILKF "Vojo Kushi" dhe pas viteve '90 të diplomohej në Itali në Universitetin e Sportit për "Shkencat lëvizore dhe të kurimeve nëpërmjet sportit".

Me Rulin, inxhinieri-trajner, e gjithë karriera

Ish-atlet, 10-garist, pasi ka mbaruar ILKF "Vojo Kushi", pastaj Inxhinierinë e Ndërtimit, ndonëse e caktuan në "Josif Pashko", në repartin e bunkerëve, me pasionin dhe intuitën për të stërvitur një atlete të perspektivës, vendos t'i kushtohej e ta lidhë përvojën e tij si trajner i Klodeta Gjinit. Për 17 vjet, kohë me shi, diell e vapë deri në 40 gradë, në palestër ose jashtë me një stërvitje intensive që fillonte qysh ditën e parë të vitit, pa u ndalur asnjëherë, ky stil pune e ka karakterizuar suksesin Gjini-Rulit.

Me shtatlartësi 1.73m dhe peshë trupore 62 kg, me parametra fizikë të jashtëzakonshëm, Klodeta Gjini ka qenë një sportiste shumë e fuqishme, e aftë të luante shumë mirë volejboll, basketboll, futsall, tenis, madje në peshëngritje konkurronte me djemtë, duke ngritur 230 kg në gjysmëpërkulje dhe 150 kg në shalëpërkulje të plotë.

13113148_10208305443290301_605756568_oNga llastiku i transportierit, dysheku me tallash, në pistat me tartan

E pabesueshme, por një pjesë e rëndësishme e karrierës së saj është e lidhur me një shirit llastiku prej gome, siç ishte ai i transportierit të tullave e llaçit, të cilin e vendoste mbi terrenin e pedanës për të kryer vrapin e kërcimit, pajisje kjo që do ta merrte me vete në Elbasan, Korçë, Shkodër, pa harruar në ato fillime edhe dyshekun me tallash të "Misto Mames", ose pistën me qymyr e tokë të fortë.

Por në veprimtaritë ndërkombëtare, ku garat zhvilloheshin në tartan, ka qenë shumë e vështirë të arrije rezultate pa asnjë faull, ndërsa kërkohej përgatitje e lartë teknike, pasi nga pista e dheut tek ato sintetike ndryshonin të gjithë parametrat, si ritmi i vrullit, këndi i hyrjes, ambientimi, përgatitja psikologjike, emocionet, elemente këto që krijonin vështirësi në ecurinë e garës. Pastaj uniforma: ka garuar me tuta të Korçës, duke përdorur atlete të NISH Gomës Durrës me këmbët që i bëheshin me kallo, si dhe këpucët me thumba të Ndërmarrjes së Mjeteve Mësimore "Hamid Shijaku", Tiranë, që ia përgatiste mjeshtri Gazheli.

Marjeta: "Kam qenë në stadium atë ditë..."

Nga 1.30m në vitin 1976 kur ishte 12 vjeçe, pastaj 1.40m një vit më vonë, 1.55 në vitin 178, 1.69 më 1979 dhe 1.75 në fund të dhjetëvjetëshit, për të ardhur te shifra rekord më 15 prill të vitit 1981, kur Gjini maturante tentoi të thyente rekordin e Marjeta Pronjarit 1.78m të vendosur 10 vjet më parë. Në "Qemal Stafa", me rastin e Kupës së Kufirit dhe të Policisë Popullore, pasi ka kaluar me sukses 1.65m, 170m pastaj 1.75m, Klodeta Gjini përgatitet për lartësinë rekord 1.79m.

Në çastin kur "lartësia e vet po lëkundet", në stadium ndodhet edhe Pronjari, mbajtësja e rekordit, femra mit e sportit shqiptar, e para "Mjeshtre e Merituar" që në moshën 19-vjeçare. "E kisha vendosur në Korçë në vitin 1971 dhe kam qenë konstante në lartësinë 1.75m për disa vjet. Kur kam kërcyer 1.78m me stil barkush, rekordi botëror ishte 1.91m dhe mbahej nga Balash. Ndjeva një emocion të madh kur kërcimi rekord ishte kryer me sukses.

Një emocion ndryshe, pasi tjetër gjë është kur garon vetë, dhe ndryshe kur ndjek të tjerët. Kam qenë e para që e kam përgëzuar me një tufë me lule, pasi për Klodin dhe trajnerin Azis Ruli, kolegun tim, ishte një kënaqësi e meritë e veçantë". Vetëm një muaj më vonë në Korçë, në Kupën "Kristo Isak", Gjini vendosi edhe dy rekorde: 1.80m dhe 1.82m.

Rekorde në pranverë, ndërhyjnë mjekët

Ndonëse një talent i jashtëzakonshëm, forma maksimale dhe rezultate të larta, Gjini i regjistronte vetëm në pranverë. Madje, ky ritual ka ndodhur për disa vjet. Ndërkohë, në vitin 1982 nga 1.83 m në prill, 1.85, 1.86 në maj të vitit 1983, Gjini arrin lartësinë 1.87 në Kupën "Asim Vokshi" në Shkodër.

Pastaj një frenim disavjeçar, pasi shfaqen problemet shëndetësore, në plan të parë anemia, për shkak të dietës që mbante, shqetësime që e shtyjnë trajnerin Ruli bashkë me një grup mjekësh të kryejnë disa analiza specifike.

Dhe pas një kurimi të gjatë, Gjini rikthehet fuqishëm dhe gjatë vitit 1988, në prill në Kupën e Republikës në Tiranë, kërcen lartësinë rekord 1.88m dhe më 24 qershor në "Qemal Stafa" arrin kuotën 1.90m. Gara zhvillohet në pushim të takimit "17 Nëntori-Flamurtari" dhe ndërsa ka filluar pjesa e dytë dhe kur nga altoparlanti i stadiumit është dëgjuar se Klodeta Gjni përgatitet të kërcejë lartësinë rekord 1.90m, pa asnjë komandë, ndeshja ka ndaluar dhe të gjithë me vështrimin nga pedana veriore kanë mbajtur frymën. Gjini ka kërcyer dhe stadiumi ka shpërthyer: lartësi e re 1.90, e të gjithë kanë vrapuar ta përqafojnë. Pas pak muajsh, sërish rekord, tashmë 1.91m gjatë një kupe në muajin tetor, për të pritur gushtin e një viti më vonë...

13101009_10208305442610284_1172469574_nNë NTUS, nuk i japin punë, vjen urdhri i Ramiz Alisë

Në 1987 mbaroi Fakultetin Ekonomik dhe e emëruan në NTUS (Ndërmarrja Tregtare e Ushqimit Social) Tiranë, si merceologe në degën e blerjeve. Por zyra e punës, shefi i kuadrit në Komitetin Ekzekutiv i thanë se nuk kishte vend pune për të. Ishte një periudhë e vështirë për Gjinin, kishte shqetësime nga neuroza bulimike, pasi ditë pas dite e shihte të vështirë sistemimin, goditej emocionalisht dhe shtoi 10 kg në peshë.

I duhej të qëndronte një vit pa punë, ndonëse "Ligji për sistemimin e sportistëve të nivelit të lartë" ia krijonte mundësinë për t'u sistemuar. E këshilluan t'i shkruante një letër Ramiz Alisë, sekretar i Parë i Partisë, pas vdekjes së Hoxhës. Ishin ato pak rreshta që e habitën Alinë, pas të cilëve me urdhrin dhe interesimin e tij iu garantua përfundimisht vendi i punës.

Familja, çokollata "Dea" e vëllait

Një raport shumë emocional ka qenë ai me familjen. Në çdo garë, sidomos kur ato zhvilloheshin në kryeqytet, jo e gjithë familja ishte e pranishme në stadium, vetëm nëna dhe vëllai, pasi i ati tipograf ishte i detyruar të qëndronte në shtypshkronjë. Madje, në shumë raste, lajmin për rekordet e saj ai e merrte kur gazetarët bashkë me shkrimin që dërgonin për botim në gazetë, i jepnin edhe urimin në ato orë të vona të natës.

Për vite të tëra asnjëherë nuk e pa në stadium Klodetën duke kërcyer në lartësitë rekord, kurse vëllai i jepte një çokollatë "Dea", 80-lekëshe, gjithmonë pas garës, që ishte një ditë pune për atë kohë.

Në Helsinki, e vetme në pedanë

Pasi vendosi rekord me 1.79 m, po atë ditë ajo kërceu edhe në lartësinë 1.82 m. Në harkun e atij viti, steka u ngjit disa herë. Në kupën "Asim Vokshi" në Shkodër me lartësinë 1.87 m arriti normën e kualifikimit për në Botërorin e Finlandës, si e para atlete shqiptare që do të konkurronte në një veprimtari kaq të rëndësishme.

Në muajin gusht, bashkë me hedhësin Fatmir Bajraktari e vrapuesin Syrja Dalipi udhëtuan për në Helsinki. Shoqërues dhe trajnerë njëkohësisht ishin Pleurat Tahiri e Mirush Deliallisi. Ishte vetëm 19 vjeçe, pa asnjë përvojë të tillë, pa trajnerin Ruli, pa mjek, përballë atleteve më të mira të botës, duke e ndier veten krejtësisht të humbur në gjigantin "Olympiastadion". Askush për

t'i qëndruar pranë në zonën e kërcimit ose për t'i dhënë një këshillë në lidhje me vrullin, hapat, kërcimin. Çdo gjë e bëri vetë, madje me një dhembje thembre që nuk e linte as ta mbështeste këmbën në tokë. Dhe kërceu 1.70 m.

Veprimtaria ndërkombëtare, në garë me kampionet e kohës

Takimi i parë ndërkombëtar i Klodeta Gjinit ka qenë ai në Selanik, në vitin 1980, kur ishte 16 vjeçe. Ka garuar bashkë me Stefka Konstadinovën, duke kërcyer 1.75 m.

Pastaj në Botërorin e Helsinkit, për të vijuar në Shvehat të Austrisë në '88-ën me të njëjtin rezultat 1.89 m me vendin e parë, bashkë me një atlete polake. Kurse në Ballkan ka kërcyer me atletet e gadishullit në kulmin e formës së tyre: Më 1989 në Rumani, bashkë me atleten vendëse Galina Estafein, kërceu 1.89 m, në një miting të organizuar nga IAAF, pas rënies së murit të Berlinit.

Në Seres të Greqisë kërceu 1.90 m, e njëjta lartësi me Niki Bakojanis, sportistja femër simbol në Lojërat Olimpike "Athinë 2004", me të cilën e afronte mosha dhe stili i kërcimit. Gjithmonë e vetme, në garat jashtë Shqipërisë, sepse trajneri Ruli vetëm në pak shtete e ka shoqëruar, pasi për motive pune, biografie, arsye buxheti, në veprimtari të tilla shkonte vetëm një trajner që ndiqte sportistët.

"Tendina e Akilit", në lojë "Operacioni Pelikan"

Problemet me aneminë dhe dëmtimet traumatologjike, si gjuri i djathtë, tendini i Akilit, e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Mjekët ortopedë V. Gjata, I. Mazniku, E. Gjika ose Dh. Stratobërdha kanë qenë gjithmonë të gatshëm për t'i dhënë ndihmën mjekësore.

Në vitin 1992, për një ndërhyrje kirurgjikale në Itali, shkak u bë kryetari i Bashkisë në Krotone (Kalabri), Nello Alfieri, ish-atlet i garave të gjysmëthellësive, mësues i edukimit fizik, i cili, si vullnetar, sillte ndihma në Shqipëri.

Me origjinë arbëreshe, duke ndjekur në "Qemal Stafa" disa gara atletike, takoi Gjinin dhe u vu në dijeni për gjendjen e rënduar shëndetësore. Pa ngurruar, dërgoi fillimisht një letër, pastaj ndërhyri pranë qeverisë italiane dhe me një avion ushtarak të "Operacionit Pelikan" e dërguan Gjinin në spitalin ushtarak "Celio" në Romë.

Fillimisht diagnostikim, pastaj ndërhyrja në "Tendinën e Akilit" dhe riaftësimi pranë qendrës së mjekësisë sportive "Giulio Onesti". Ajo ishte ende me këmbën në allçi, kur Alfieri e pyeti: "Do të qëndrosh në Itali apo do të kthehesh në Tiranë?". Gjini vendosi të qëndronte, fillimisht në Kalabri. Më pas u transferua sërish në Romë, ku do të kurohej edhe nga një tumor në sistemin limfatik dhe përfundimisht në Bolonjë. Ishte në moshën 29-vjeçare, nuk mund të garonte më, dhe për arsye shëndetësore e uli siparin e karrierës së saj brilante.

Dëmtimet, habiten profesorët, leksione në "La Sapienza"

I ndodhur atëherë në Itali për specializim, Dr. Mel Ostreni, njëherazi mjeku dhe miku i Gjinit, tregon: "Gjini kishte aftësi të jashtëzakonshme, ishte një sportiste talent e kompletuar. E kam ndjekur karrierën e saj dhe mund t'ju them se rezultatet e larta i ka arritur shpeshherë edhe kur kishte probleme me shëndetin. Por, ajo që më ka befasuar, ka qenë kur në vitin 1992, gjatë një leksioni në 'La Sapienza' të Romës, ku isha për specializim, ndërsa bashkë me studentët e tjerë po ndiqnim leksionet e pedagogut, mjekut të njohur italian Dr. Santili.

U surprizova kur profesori në një temë për traumatologjinë demonstroi para të gjithëve rastin e një atleteje nga Shqipëria, që ishte Klodeta Gjini. Si një shembull unik që vinte pas një stërvitjeje të madhe, ai u ndal gjatë, pasi bënte çudi për faktin e pazakontë se si kjo atlete vazhdonte ende veprimtarinë, ndonëse vuante nga dëmtime të rënda".

Dopingu, pabesia e gazetarit dhe refuzimi i ftesës së "Rai"-it

Janë vitet kur shpërtheu skandali i dopingut në sport, i cili përfshiu të gjitha vendet lindore dhe kur atletet e Lindjes konsideroheshin si përdoruese sistematike të dopingut. Gjinit, ndonëse kishte dalë nga një kurim intensiv lidhur me një tumor në sistemin limfatik, nuk i mungonte dëshira për të bërë një publicitet falas për dhurimin e palcës së kurrizit kundër tumoreve. Një gazetar në Bolonja, pasi e mori këtë informacion, e shfrytëzoi.

Në pabesi, pa komunikuar me Gjinin, e përcolli në kanalet televizive të "Rai"- t, duke e trajtuar si një rast ku dopingu ka dëmtuar shëndetin e një sportisteje. I interesuar për këtë informacion, drejtuesi i emisionit të njohur ditor të "Rai 2"-shit Xhankarlo Magali e ftoi Gjinin në një debat të drejtpërdrejtë televiziv për ta përdorur këtë argument në emisionin e tij "Piazza Grande". Kjo ftesë u refuzua nga Gjini, edhe pse stafi i "Rai"-t këmbënguli që ajo të ishte pjesë e një debati për këtë problem. "Ata nuk i njihnin kushtet e Shqipërisë, ku as që mund të bëhej fjalë për përdorim të lëndëve të ndaluara në sport gjatë viteve të diktaturës", shpjegon Gjini motivin pse e refuzoi ftesën e Magalit.

Shoqet e garës, rivalitet dhe miqësi

E para me të cilën e ruan edhe sot miqësinë është Marjeta Pronjari-Zaçe, me të cilën e lidh karriera, fama. Pastaj shoqet-rivale me të cilat ka garuar në këtë disiplinë sportive shumë të vështirë e mjaft teknike janë: L. Karanxha, M. Saqellari, F. Marku, S. Ifti, Hajdari, A. Qirinxhi, A. H. Hasi, V. Teli (nuk jeton), T. Çavo, G. Dida, A. Jatru, A. Xhabafti etj. Apo gjyqtarët si A. Fafaj, stadiumet "Qemal Stafa", ai i Korçës, i Shkodrës, që e shtynin drejt rekordeve, pasi jo të gjitha pistat i tërheqin sportistët ose krijojnë një "feeling" me ta.

Me kroaten simpatike Blanka Vlasiç, rekordmenia, kampionia e botës, ka një lidhje të veçantë. Sa herë që ajo shkon në Itali, si anëtare e "Grupit të kërcyeseve së larti", takohen në Romë. Kanë vlerësime dhe konsiderata të ndërsjella ndërmjet tyre.

Nga bluza me nr.44, te shenjat në kurriz

E ruan ende një fanellë me nr. 44, me të cilën stërvitej dhe që ia kishte falur një atlete greke. E pëlqente, pasi ishte bluzë e veçantë bejsbolli, duke qenë se në Shqipëri në atë kohë nuk kishte një të tillë.

Pastaj biçikletën jeshile 6.500-lekëshe, prodhim i uzinës "Tirana", e cila e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës, në stërvitje, shkollë e punë, por që ia vodhën në vitin 1992. Ka ruajtur me shumë kujdes edhe këpucë, si ato të shpejtësisë e të rrahjes. Kujtimin e mensës së klubit, Ganimetin, ose "nonën", që i shërbente, por dhe një tollon ushqimi, që e ruan me kujdes. Ka ende në lëkurën e kurrizit shenjat që i ka lënë fërkimi i stekës prej alumini gjatë kërcimeve pa fund. Nuk harron edhe qenin prej pelushi që e kishte blerë në Elbasan dhe e mbante për t'i sjellë fat.

Dhe, në fund, dushet e stadiumit dhe Sulën e paharruar, që kujdesej për mirëmbajtjen e tyre.

Me Balash, ngjashmëri e madhe

Qershor 1990, takimi i parë ndërkombëtar i atletikës në Bukuresht pas rënies së Causheskut. Në qendër, përpara hotel "Interkontinental" protestohet dhe ndërtesa në krah ka ende shenjat e plumbave dhe dyer e dritare të djegura. IAAF e ka organizuar këtë veprimtari për të dhënë një sinjal të fortë që në Rumani ka filluar një jetë normale, edhe pse radhët e njerëzve për të marrë racionin janë pa fund, ndërkohë që sportistët janë sistemuar në qendrën olimpike "23 Gushti".

Ndërsa përgatiten të fillojnë garat, në stadium hyn një bionde me syze, me një fustan basme me lule të vogla e ngjyra të ndezura, me mëngë të shkurtra, me një rrip të trashë mesi, sandale pa taka, që u uronte mirëseardhjen të gjithë atleteve. Është e shqetësuar, çka reflektohet në fytyrë, pasi në stadium zhvillohen gara, por në rrethina të Bukureshtit dëgjohen ende armë. Midis atleteve, u takua edhe me Gjinin, rekordmenia shqiptare. Vite më vonë, kur tezën e mbrojtjes së diplomës Master në Universitetin e Bolonjës, Gjini e pati për "Teorinë dhe metodologjinë stërvitore në atletikë" pikërisht duke trajtuar garën e kërcimit së larti, si model mori Jolanda Balash, si e para rumune fituese e dy medaljeve olimpike, "Romë 1960" me rezultatin 1.85 m dhe më pas në Tokio, me lartësinë 1.90; 14 rekorde botërore dhe fituese në 140 gara radhazi.

Me Balash, Gjini ka edhe një paralelizëm: Të dyja ballkanese, të rritura në një vend socialist, madje edhe kampionia shqiptare e filloi karrierën duke përmirësuar lartësinë nga 1.78 m që mbahej nga Marjeta Pronjari prej dhjetë vitesh, deri në shifrat rekord 1.92 m, duke e përmirësuar 17 herë radhazi rekordin, ashtu si Balash 14 herë atë botëror.

Të dyja kanë kërcyer në pista qymyri, madje të dyja kanë vuajtur nga dëmtimet në "Tendinën e Akilit", ndërkohë që Balash është tërhequr nga atletika në vitin 1967, kur Gjini ishte vetëm tre vjeçe. Ndonëse kanë garuar në periudha të ndryshme, metodologjia e stërvitjes ka qenë pothuajse e njëjtë.

Diferenca qëndron në stil, pasi Balash kërcente një stil valëvitës të një gërshëre të përmirësuar, kurse Gjini me Fosburi një stil më i avancuar me të cilin ka vendosur edhe lartësinë rekord 1.92 m, që mbetet i pathyer, edhe pse ka kaluar një çerekshekulli. Jolanda Balash vetëm pak kohë më parë është ndarë nga jeta.

Miqësia me Minarollin, pasioni për pikturën e bursën

E ka pasur mik regjisorin e njohur që papritur u nda nga jeta në fund të vitit të kaluar. Një miqësi e lidhur në vitin 1990 në Torino, kur Artan Minarolli paraqiti dokumentarin me metrazh të shkurtër "Për një centimetër" kushtuar Klodeta Gjinit. Filmi 10-12-minutësh u vlerësua me çmim të veçantë në këtë festival dhe ishte ideuar nga Minarolli bazuar në filozofinë se, kur një kërcyese punon me vite "për një centimetër më shumë", qëllon që të mos e arrijë kurrë lartësinë.

Ai ka mbetur si i vetmi material filmik për kampionen, që i referohet karrierës së saj. Me Minarollin shkëmbeu mesazhe për Krishtlindje, kur papritur lexoi lajmin tronditës. E konsideronte jo vetëm regjisor, por shumë njerëzor, të arsyeshëm e reflektiv. Për vetë Klodetën, pas sportit, piktura është pasioni i dytë.

Pikturon në pastel e vaj dhe frekuenton ekspozitat që hapen në Bolonjë e Firence ose kudo, kur ka mundësi. Një tjetër pasion i fshehur, por që ia ngacmon profesioni, është lidhja me bursën, të cilën e ndjek me kënaqësi, ashtu siç dëgjon dhe admiron Inva Mulën, Ermonela Jahon, violinistin Rezart Kapetani dhe ngjyrat e stilin e piktorit Arben Morina.

Rekordi legjendar 1.92 m

Gjini ishte në formë, sapo ishte kthyer nga disa turne të suksesshme, nuk e kishte ndërprerë për asnjë çast stërvitjen, për të ardhur te 24 gushti i vitit 1989. Në Tiranë, i ftuar nga Ministria, FSHA, për të dhënë përvojën dhe ndihmesën e tij në sektorin e atletikës, ndodhej Rudiger Marko, ish-atlet gjermanolindor i garave të mesme.

Duke shfrytëzuar praninë e tij, u organizua një garë kontrolli me atletët e qytetit të Tiranës, në një stadium me pak spektatorë, thuajse të boshatisur, nga vapa e madhe. E vetme dhe pa konkurrentë, si në mjaft raste të tjera, Gjini e filloi garën në lartësinë 1.80 m për të vijuar me 1.85m, 1.90 m, të cilat i kaloi pa vështirësi.

Steka u vendos në lartësinë 1.92 m: Është prova e dytë, përqendrim, një vrull e vrapim elegant, gjithçka në sintoni dhe steka ka qëndruar e paprekur. U regjistrua kështu një tjetër rekordi i ri, 1.92 i Klodeta Gjinit! Ka tentuar edhe për 1.94 m, por nuk ka mundur.

Në Itali, ku jeton dhe punon

Që nga viti 1992 jeton në Itali, ku "step by step", ashtu siç e ngrinte stekën centimetër pas centimetri, ka ndërtuar edhe jetën private dhe atë profesionale. Nga udhëtimi me avionin e "Pelikanit" e deri sot kanë kaluar 24 vjet, që janë të lidhur me një angazhim të saj të gjithanshëm aktiv. Ka pranë djalin, tashmë 21-vjeçar, që nuk e vijoi pasionin e nënës, ndërsa ushtron profesionin si pedagoge e edukimit fizik në një shkollë shtetërore në Bolonjë.

Por, n j ë k o h ë - sisht, si specialiste në g j i m n a s - tikën rehabilituese në një strukturë private, bashkëpunon si trajnere atletike dhe si profesioniste analizash bilanci e marketingu. E ndan qëndrimin në Itali me atë në Shqipëri, sepse vjen sistematikisht për të dhënë leksione në Universitetin e Sporteve të Tiranës, pasi ka fituar "on line" një konkurs për "Sport Marcheting".

Epilog

Ndonëse nga '89-ta e largët kanë kaluar shumë vjet, askush nuk ka provuar ta ngrejë më lart stekën që ka ndaluar tek ajo ditë e nxehtë gushti. Në disa shtete të botës janë disa rekorde të vjetra që kanë mbetur ende të pathyera. Në atë listë është edhe kërcimi së larti i shqiptares Klodeta Gjini, me 1.92 m...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama