Iniesta Perjetova tmerr pas fitores se Boterorit

Iniesta: Përjetova tmerr pas fitores së Botërorit

Ajo që duhet të ishte vera më e bukur e karrierës së tij u shndërrua në një makth të vërtetë. Heroi i Spanjës në vitin 2010, Andres Iniesta, kaloi momente shumë të vështira në karrierë dhe në jetë. Futbollisti që i dhuroi kombëtares së tij Kupën e Botës nuk e ndiente veten si dikur dhe në qendrën stërvitore të Barcelonës thuajse nuk kishte më forcë për të luajtur futboll.

iniesta

Në autobiografinë e tij ("Loja e jetës time") të shkruar nga Ramon Besa dhe Marko Lopez tregohen me detaje të gjitha momentet që ka kaluar Iniesta te Barcelona dhe në kombëtare. Mediat spanjolle kanë zbardhur një pjesë të librit, në të cilën flitet më shumë për momentet e vështira të kampionit spanjoll.

Makthi

"Ndonjëherë një njeri fillon të ndihet keq dhe nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, por problemi është që e keqja nuk largohej prej meje. Pa asnjë arsye, ditë pas dite nuk po e kuptoja atë që më ndodhte. Ndihesha si i humbur dhe pa asnjë motiv për të vazhduar futbollin dhe jetën. Ditët më të vështira i kam kaluar në qendrën stërvitore të Barcelonës 'La Masia'.

Aty flisja shpesh me mjekët, të cilët më bënë çdo analizë, por sipas tyre gjithçka ishte perfekte. Unë nuk ndihesha i tillë. Ndieja që trupi dhe mendja po ndaheshin nga njëri-tjetri dhe nuk ishin më bashkë. Njerëzit përreth më shihnin me admirim dhe më falnin buzëqeshje, por askush nuk e kuptonte që po kaloja ditët më të errëta të jetës sime.

Iniesta

Ishte e vështirë, shumë e vështirë. Topi çdo ditë dhe më shumë bëhej më i madh dhe nuk arrija ta kontrolloja", shkruhet në autobiografinë e Iniestës.

Lojtari që i magjeps të gjithë në fushën e lojës nuk di të kontrollojë topin. Tingëllon e çuditshme, por ndodh edhe kjo. Në librin e mesfushorit katalanas ka edhe momente shumë të bukura dhe një prej tyre është goli i shënuar ndaj Çelsit në minutat shtesë, i cili i dhuroi kualifikimin ekipit të Barcelonës në sezonin 2008- 2009.

"Nuk u mendova dy herë. Ndoshta do të bëj si i zgjuar nëse them që ishte gjithçka e llogaritur, por ai gol është intuitë. Sapo më erdhi topi në këmbë, e godita fort dhe pastaj festova si i çmendur. Kjo është e gjitha", tregon Iniesta në librin e tij.

Mesi

Lionel Mesi zbulon momentet e para kur ka takuar nga afër Andres Iniestën. Argjentinasi thotë se shkëmbyen një shikim, nga i cili u kuptua shumë.

iniesta mesi

"Iniesta flet shumë pak, por ne kuptohemi me shikime me njëri-tjetrin. M'u afrua, më dha dorën dhe më përqafoi. Nuk e harroj kurrë këtë moment. Jashtë fushës së lojës është një person fantastik dhe shumë modest.

Në fushë është një gjeni. Ajo që bën me topin është magjike. Gjatë çdo ndeshjeje i kërkoj të qëndrojë pranë meje për t'i pasuar topin. Nëse je në rrezik mund t'i pasosh Iniestës dhe loja merr një tjetër drejtim", tregon Lionel Mesi në librin për shokun e tij të skuadrës.

GENTJAN ALINANI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama